Ngërç edhe tek Banka e Shqipërisë, Këshilli Mbikëqyrës s’bën dot mbledhje

Ngërç edhe tek Banka e Shqipërisë, Këshilli Mbikëqyrës s’bën dot mbledhje

Foto ilustruese

Ngërçet institucionale, që kanë përfshirë disa segmente të rëndësishme të Drejtësisë apo ministrisë së Brendshme, kanë “zbarkuar” edhe në bankën qendrore. Ky institucion qendror, unik në llojin e vet, nuk ka mundur të zhvillojë më datë 7 nëntor, siç ishte planifikuar, mbledhjen e radhës të Këshillit të vet Mbikëqyrës, pa mundur të miratojë raportin tremujor të politikës monetare, ose ndonjë ndryshim të mundshëm të normës së interesit bazë, vendime këto, që mund t’i marrë vetëm ky organ i Bankës së Shqipërisë.

Kjo ka ndodhur për faktin se gjashtë, ndër nëntë anëtarët, që përbëjnë këtë organ drejtues kolegjial të bankës qendrore, u ka mbaruar mandati, duke qenë se ishin të zgjedhur të gjithë në nëntor të vitit 2011 me afat shtatëvjeçar, ose kanë zëvendësuar ish-anëtarë të emëruar atëhere, që ishin larguar.

Ligji

Në fakt, pika 5 e Nenit 49 të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”, të ndryshuar, parashikon që “Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës zhvillohet me praninë e më shumë se gjysmës së anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të emëruar, duke përfshirë praninë e kryetarit ose zëvendëskryetarit të Këshillit Mbikëqyrës”.

Kryetari, që është guvernatori, vazhdon të ketë mandatin, që e mori pas shkarkimit të Ardian Fullanit. Por zëvendëskryetarja e këtij Këshilli nuk mund të merrte më pjesë në mbledhje, pasi Elisabeta Gjonit i ka përfunduar mandati. 

Megjithatë, pika 7 e po këtij Neni parashikon një farë daljeje nga situata, duke sanksionuar se “Duke pasur parasysh pikën 5 të këtij neni, lidhur me pjesëmarrjen e anëtarëve në mbledhje, asnjë veprim ose procedurë e Këshillit Mbikëqyrës nuk do të konsiderohet e pavlefshme thjesht për shkak të qenies së vendit vakant ose të vendeve vakante të Këshillit Mbikëqyrës”.

Sidoqoftë, mbledhja është shtyrë në mënyrë të dukshme për të plotësuar jo pak, por gjashtë vende vakante, duke qenë se në mbledhje mund të merrnin pjesë vetëm tre anëtarë, nga nëntë që cakton ligji, por edhe për shkak të mungesës së zv.guvernatorit të parë.

Situata

Si rrallë ndonjëherë, vakanca në Këshillin Mbikëqyrës ka përfshirë dy të tretat e anëtarëve njëheraz. Madje, është dashur një interpretim i ligjit për të vendosur që guvernatori Sejko, që zëvendësoi Fullanin më 2015, kishte marrëe një mandat shtatëvjeçar dhe nuk do të plotësonte atë të paraardhësit, ndryshe tani BSH do të ishte në një ngërç edhe më serioz për një vend me ekonomi tregu.

Fakt është që, po t’i referohemi gjithnjë ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”, të ndryshuar, ligjëvënesit janë përpjekur t’i dalin përpara kësaj situate, duke sanksionuar: “të nëntë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë zgjidhen për shtatë vjet duke synuar që datat e mbarimit të këtij afati të çdo anëtari … të jenë të shpërndara gjatë periudhës shtatë vjeçare” (Neni 44, pika 4). Por në vite ky rregull është prishur. Për herë të fundit, ka qenë qeveria Berisha 2 (PD-LSI), e cila e ka shkelur kërkesën , duke lejuar që të zgjidhen njëkohësisht nën nëntor 2011 Dhori Kule, Ela Golemi, Elisabeta Gjoni, Petraq Milo dhe Ardian Fullani (i rikonfirmuar). 

Procedurat

Aktualisht, Këshilli vijon të funksionojë vetëm me guvernatorin Gent Sejko dhe anëtarët Denada Prifti e Tonin Kola, të cilët do të qendrojnë në këtë organ deri në vitin 2020.

Ndërkohë, Këshilli i Ministrave ka shpallur zyrtarisht aplikimet për 3 anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe Kuvendi për tre të tjerë. Aplikimet kanë mbërritur pranë institucioneve deri më datë 30 tetor, afati i fundit i pranimit, por më 7 nëntor ende nuk kishte asnjë procedurë në Kuvendin e Shqipërisë, për analizën dhe miratimin e votimin e tyre.

Sipas ligjit të Bankës së Shqipërisë, të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, mbështetur në propozimet e bëra si më poshtë: pesë anëtarë propozohen nga Kuvendi; tre anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave dhe një anëtar propozohet nga Këshilli Mbikëqyrës.
Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi, me propozimin e Presidentit të Republikës.
Duke qenë se Kuvendi drejtohet, ashtu si edhe qeveria, nga një parti e vetme politike – PS – mund të mendohej se do të ishte shumë e lehtë që të arrinin në kohë emërimet e anëtarëve të rinj në Këshillin Mbikëqyrës të BSH, por kjo nuk ka ndodhur.

Rreziku

Funksionet e Bankës së Shqipërisë janë të jashtëzakonshme dhe unike. Objektivi i saj kryesor është të arrijë dhe të ruajë stabilitetin e çmimeve, të nxitë e të ruajë likuiditetin, aftësinë paguese dhe funksionimin normal të sistemit bankar të bazuar në parimet e tregut. Ajo harton, miraton dhe zbaton në mënyrë të pavarur politikën monetare të Republikës së Shqipërisë, në përputhje me objektivin e saj kryesor; regjimin e këmbimit valutor; politikën e kursit të këmbimit të valutave në Republikën e Shqipërisë. Po kështu, ajo është i vetmi organ shtetëror që mund të licensojë ose t’ua revokojë këtë licensë bankave dhe duhet të mbikëqyrë veprimtarinë e tyre bankare, me qëllim që të sigurojë stabilitetin e sistemit bankar.

Banka qendrore gjithashtu administron rezervat valutore të shtetit, si dhe vepron me cilësinë e bankierit, këshilltarit dhe agjentit fiskal për Qeverinë e Republikës së Shqipërisë.

Një vonesë sado e vogël në plotësimin e vakancave në drejtimin e këtij institucioni duhej të shkaktonte alarm në të gjitha instancat e shtetit: Kuvend, Presidencë, qeveri, opozitë. Por shteti dhe politika shqiptare, edhe këtë herë, duket se kujtohen për mangësitë vetëm kur është tepër vonë.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Dibrës, PS përmbys rezultatin merr 3 mandate deputetësh kundër 2-ve të PD-së

Sondazhi i Dibrës, PS përmbys rezultatin merr 3 mandate deputetësh kundër 2-ve të PD-së