Për të dytën ditë radhazi, administrata e Gjykatës së Tiranës vijon bojkotin për shkak të ngërçit me pagat e muajit gusht. Punonjësit dhe sekretarët gjyqësorë të Dhomës Civile dhe asaj Penale nuk po ofrojnë shërbime, ndërsa kërkojnë sqarime se kur do të ekzekutohen pagat e tyre.
Për të mos penalizuar personat e arrestuar, do të zhvillohen vetëm seancat për masat e sigurisë. Bojkotit sot iu bashkua edhe administrata e Gjykatës së Fierit.
Ngërçi me pagat në sistemin e drejtësisë solli dje edhe mbledhjen e kryetarëve të gjykatave në Gjykatën e Lartë, ku u vendos që më 10 shtator të thirret një mbledhje e jashtëzakonshme e Përgjithshme e Gjyqtarëve.
Edhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, mblodhi dje drejtuesit e prokurorive, përfaqësues të KLP-së dhe Shoqatën e Prokurorëve. Në takim u theksua nevoja për një zgjidhje të shpejtë nga Kuvendi, në respektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se “u dakordësua vijimi i trajtimit të kësaj çështjeje përmes instrumenteve ligjore, në funksion të garantimit të pavarësisë dhe funksionimit normal të sistemit të drejtësisë”.
Ngërçi nisi pasi Kuvendi nuk miratoi brenda afatit të 31 korrikut formulën e re për pagat e magjistratëve, siç kishte kërkuar Gjykata Kushtetuese. Pas kalimit të afatit, KLGJ dhe KLP argumentuan se ishin të detyruara të zbatonin vetë vendimin e Kushtetueses dhe përcaktuan pagën e re referuese prej 222 mijë e 425 lekësh, nga 156 mijë e 800 lekë që ishte më parë, plus shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit.
Ministria e Financave nuk ekzekutoi listëpagesat e përllogaritura me rritjen, duke argumentuar se përcaktimi i formulës së pagave është kompetencë e Kuvendit dhe kërkoi që ato të ridërgoheshin sipas metodologjisë së mëparshme. Si pasojë, pa pagat e gushtit kanë mbetur jo vetëm gjyqtarë dhe prokurorë, por edhe punonjës të administratës së gjykatave dhe prokurorive.
Edhe administrata e Gjykatës së Fierit ka nisur bojkotin pas ngërçit të krijuar me pagat në sistemin e drejtësisë. Asnjë shërbim nuk po ofrohet për qytetarët dhe do të zhvillohen vetëm seancat për masat e sigurisë. Një avokat, Jurid Sharka tha se e mbështet bojkotin, por sipas tij qytetarët duhet të ishin njoftuar paraprakisht se nuk do të ketë shërbime.
“Në një mënyrë të papritur, janë njoftuar qytetarët që do ketë bojkot, nuk do ketë as shërbim sekretarie as procese gjyqësore, përveç masave të sigurisë. Procese të tjera është vendosur të mos zhvillohen dhe ka ardhur në një formë të papritur. Bojkoti është i drejtë, në zbatim të të gjitha kritereve ligjore që përcaktohen në kushtetutën shqiptare, por që do ta mbështesin bojkotin duke marrë masa paraprake për njoftimin e zhvillimit të këtij bojkoti”, tha avokati.










Komente
Komento