Ngërçi politik,zyrtari i DASH,
Yee: Zgjedhje dhe pa opozitën
Intervista e plotë e Brian Yee sot me gazetarët

Ngërçi politik,zyrtari i DASH,<br />Yee: Zgjedhje dhe pa opozitën<br />Intervista e plotë e Brian Yee sot me gazetarët
TIRANE-Zyrtari i lartë i DASH Hoyt Brian Yee dha sot mesazhin në Tiranë se zgjedhjet mund të realizohen dhe pa opozitën pasi janë partitë ato që vendosin nëse duan të qëndrojnë jashtë zgjedhjeve.

Edhe pse takimet e zyrtarit të lartë të DASH në Tiranë me politikanët e lartë shqiptare ishin hermetike, ajo çfarë u tha pas mureve u zbardh në një drekë me gazetarët në prani të ambasadorit amerikan Donald Lu.

Yee u shpreh se kryeministri është i hapur për negociata dhe se beson se Rama nuk do të qeverisë pa opozitën.

Pak para takimit me Bashën, Yee theksoi se bojkoti nuk është taktikë e mirë.

Ai shtoi më tej se, “Paketa Mc Allister është e pranueshme dhe ne e mbështesim. Por nuk kërkojmë marrëveshje me ndryshim Kushtetute”.

Sipas zyrtarit të lartë të DASH koha nuk pret dhe dialogu duhet përshpejtuar duke u fokusuar tek Paketa Mc Allister.

Basha: Rama po projekton një pushtet monist

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar me anë të një statusi në rrjetin social “Facebook”, lidhur me takimin me zv/ndihmës sekretarin-amerikan, Yee.
 
Basha shkruan se kryeministri kërkon që të bëjë zgjedhje pa opozitën dhe ta kthejë vendin në monizëm, ku sipas tij këtë opozita nuk do ta lejojë kurrë.
 
“Sot në ditën e dytë të Republikës së Re që shpallëm njëzëri më 13 maj, Çadra e Lirisë ishte plot me të rinj e të reja, profesionistë, intelektualë, artistë. Si në ditën e parë të qëndresës sonë, ata kërkojnë që pushteti t'i bindet vullnetit të popullit. Interesi i tyre, axhenda e tyre është axhenda e lirisë, demokracisë dhe vlerave europiane.
 
Ndërsa për Edi Ramën pushteti ka vetëm një qëllim, vetëm një axhendë, atë të pasurimit dhe të kontrollit të plotë të vendit nga ai dhe banda e korruptuar kriminale në qeverisje. Për Edi Ramën njerëzit janë thjesht numra, gurë shahu në lojën e tij për pushtet. Prandaj, ai po projekton një pushtet monist, që të sundojë i vetëm, i pashqetësuar nga populli dhe nga opozita.
 
Bashkimi ynë është e vetmja pengesë ndaj këtij plani ogurzi. Ne nuk do lejojmë kurrë një regjim monist në Shqipëri. Ne nuk do lejojmë kurrë zgjedhje të vendosura nga droga dhe krimi. Ose zgjedhje të lira dhe të ndershme, ose zgjedhje të tjera në Shqipëri nuk do të ketë”, shkruan Basha.



Mesazhi i Yee ne takim me gazetaret
“Zgjedhjet janë gjithmonë më të mira kur ka përfaqësim të gjerë. Nëse disa parti përjashtojnë veten, dëmtojnë veten, imazhin e vendit dhe investimet e huaja.
Eshtë e drejta e partive për të mos marrë pjesë në zgjedhje. Nëse zgjedhjet çertifikohen si të rregullta nga BE, OSBE dhe SHBA, do ti njohim.
 
Dhuna nuk ka vend në një vend demokratik. Zgjidhja duhet të vijë nga liderët politike. Shpresojmë që do të ketë zgjedhje. Ka një oferte nga McAllister. Eshtë ofertë e mirë. Shpresojmë që partitë ta pranojnë. Duhet dialog mes palëve. Koha po skadon. Jemi optimistë. Nuk besojmë se Rama dëshiron të qeverisë pa opozitën”.


Zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit për Evropën dhe Azinë i njohur ndryshe si “Buldozeri”, Hoyt Brian Yee mbërriti sot paradite ora 10:30 në Tiranë në kuadër të gjetjes së një zgjidhje për ngërçin politik.

Vizita e tij shihet si përpjekja e fundit për të arritur një marrëveshje politike mes maxhorancës dhe opozitës për zgjedhjet parlamentare.

Amerikani mbylli takimet me Ramën e Meten dhe Bashës takohet edhe me deputetët rebele të PD, Bregu, Selami, Topalli dhe Patozin.

Ora 17:00 Yee takon deputetet e PD Topalli dhe Bregu
Zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Brian Yee ka takuar në ambientet e ambasadës amerikane në Tiranë, dy deputetet e PD, Jozefina Topalli dhe Majlinda Bregu. 

Si Topalli ashtu dhe Bregu kanë shprehur jo pak rezerva lidhur me vendimin e Bashës për të bojkotuar zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. 

Yee ftoi në këtë takim edhe dy deputetët e tjerë Astrit Patozi dhe Eduard Selami, por munguan për arsye personale. 

Ora 16:15 Yee takon në 17:00 Topallin dhe në 17:30 Bregun
Zyrtari i lartë i DASH, Hoy Brian Yee, do të vijojë takimet gjatë kësaj pasditje me përfaqësues të opozitës. 

Rreth orës 17:00, Yee do takohet me Topallin, ndërsa rreth orës 17:30 me ish-ministren e Integrimit, Majlinda Bregu. 

Ora 16:12 Përfundon takimi Basha-Yee, zgjati 90 minuta
Ka përfunduar takimi mes kryetarit të PD, Lulzim Basha dhe zv/ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Hoy Brian Yee. 

Takimi Basha-Yee ka zgjatur rreth 90 minuta, një takim i gjatë edhe ky pas atij me kryeministrin Edi Rama i cili tejkaloi edhe protokollin zyrtar 45 minuta. 

Basha shoqërohej në këtë takim nga deputetët Gerti Bogdani dhe Oerd Bylykbashi, ndërsa Yee nga ambasadori Donald Lu. 

Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe aleantët e PD

Pritet një deklaratë zyrtare nga selia blu.

Zyrtari i lartë i DASH do të vijojë takimet gjatë kësaj pasditje me përfaqësues të opozitës. 

Rreth orës 17:00 Yee do takohet me Topallin, ndërsa rreth orës 17:30 me ish-ministren e Integrimit, Majlinda Bregu.  

Ora 15:31 Patozi: PD jashtë zgjedhjeve, skenari më i keq i një krize
Deputeti i PD, një ndër zërat rebelë brenda së djathtës nuk do të takohet me zyrtarin e lartë të DASH, Brian Yee.

Sipas Patozit, kjo vjen pas një arsye të fortë personale ndërsa nuk nguroon të shprehet mbi atë cfarë po ndodh aktualisht në skenën politike. Edhe këtë radhë, Patozi nuk ngurron të kritikojë bojkotin e PD.
 
Patozi
E kam shprehur në mënyrën e duhur falenderimin dhe vlerësimin tim, jo vetëm ndaj ftesës për t’u takuar me zotin Yee, por mbi të gjitha ndaj përpjekjes së tij dhe të administratës amerikane për t’i dhënë një zgjidhje in extremis krizës se pakuptimtë politike në Tiranë.

Për një arsye të fortë personale nuk do të jem i pranishëm në takim, por vijoj të inkurajoj çdo faktor politik ndërkombëtar dhe vendas, që mund t’i shërbejë ende kauzës së zgjedhjeve normale në Shqipëri. Se nuk ma nxë goja ta them atë termin “të lira e të ndershme”, që më duket si versioni surrealist i ëndrrës shqiptare për demokraci perëndimore, kaq i largët me katandisjen tonë sot.

Ndonëse nuk i përkas racës së optimistëve futuristë, të cilët besojnë çdo përrallë që u shfaqet përpara, ende kam një shpresë të vakët se mund të gjendet prapëseprapë një shteg për të evituar dështimin e zgjedhjeve.

Sepse i qëndroj fort bindjes sime se mospjesmarrja e Partisë Demokratike në to është skenari më i keq i kësaj krize të pashembullt dhe të paprecedent.

Ora 15:20 Zbardhet takimi me Yee. Meta: Bojkoti nuk eshte zgjidhje, PD te hyje ne zgjedhje
Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti sot Zv. Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA z. Hoyt Brian Yee i cili shoqërohej prej Ambasadorit të SHBA në Shqipëri z. Donald Lu.
 
Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA ndaj forcimit të institucioneve demokratike të Shqipërisë dhe vuri theksin mbi rëndësinë e thellimit të këtij partneriteti strategjik në interes të avancimit me reformën në sistemin e drejtësisë dhe me procesin e integrimit evropian të vendit.
 
Zv. Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA z. Hoyt Brian Yee e uroi z. Meta për zgjedhjen e tij në postin e Presidentit të Republikës dhe vuri në dukje se SHBA do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për të forcuar demokracinë dhe për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri.
 
Duke diskutuar mbi zhvillimet e fundit politike në vend, Kryetari i Kuvendit Meta theksoi se mbarëvajtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme kërkon më tepër përgjegjshmëri e më shumë gjithëpërfshirje.
 
“Bojkoti nuk është zgjidhje dhe opozita duhet të gjejë të gjitha forcat për t’u përfshirë në procesin zgjedhor, për t’i shërbyer demokracisë dhe të ardhmes evropiane të vendit. Njëkohësisht mazhoranca duhet të tregojë vullnet maksimal për përfshirjen e opozitës dhe respektimin e kërkesave dhe të drejtave të saj.” – theksoi z. Meta.
 
Në përfundim, Kryetari i Kuvendit Meta u shpreh se gjithëpërfshirja dhe dialogu konstruktiv janë vendimtare për përshpejtimin e integrimit evropian, për sundimin e ligjit, për zbatimin e reformës në drejtësi dhe për legjitimitetin e institucioneve të vendit.
me me amerikanin

Ora 14:50 Yee nis takimin me kreun e opozitës, Basha
Zv/Sekretari amerikan i Shtetit, Hoy Brian Yee, ka nisur në këto momente takimin me kryetarin e PD, Lulzim Basha. 

Takimi po zhvillohet në selinë blu. 

Më herët Yee pati takime me kryeministrni Edi Rama dhe kryetarin e Kuvendit Ilir Meta.

Ora 15:00 Mesazhi i Yee ne takim me gazetaret, pyetje/pergjigje
Deri tani Z. Yee, keni takuar Z. Rama, Z. Meta dhe më pas Z. Basha. A keni një plan politik për krizën? Nëse dështon dhe opozita vazhdon të bojkotojë zgjedhjet, a do t’i njihni zgjedhjet? Po sikur gjërat të precipitojnë në dhunë e përplasje?

Së pari, më lejoni të shpjegoj qëllimin tim këtu sot. Pas dy vitesh qëndrimi jashtë, qëllimi është të takohem me anëtarë të qeverisë dhe shoqërisë civile, përfshi ju, për të kuptuar më mirë situatën. Ky është qëllimi im i parë. Së dyti, është për të riafirmuar politikën e SHBA në rajon dhe në Shqipëri specifikisht, e cila për ta thënë shumë thjesht, nuk ka ndryshuar në thelb, nuk ka ndryshuar. Politika e SHBA në Ballkan vazhdon në përkushtimin për t’i ndihmuar vendet e rajonit të integrohen me pjesën tjetër të Europës, me institucionet euro-atlantike, për t’u bërë më demokratike, më të qëndrueshme dhe më të begata. Në lidhje me pyetjet tuaja më specifikisht, besojmë se është shumë e rëndësishme në cilëndo demokraci që zgjedhjet të zhvillohen. Është një parim bazë i demokracisë që njerëzit duhet të zgjedhin udhëheqësit e tyre. Mendoj se ashtu si qytetarët në Shqipëri edhe ne kemi qenë shumë të kënaqur që kemi parë në tri zgjedhjet e fundit transferim shumë paqësor të pushtetit dhe partia apo partitë që nuk kanë qenë të suksesshme në zgjedhje i kanë pranuar rezultatet dhe kjo është shenjë e një demokracie të pjekur dhe të shëndetshme; dhe kjo është ajo që shpresojmë se do të ndodhë edhe nga këto zgjedhje dhe ato të ardhshme, siçndodh në të tjera demokraci europiane. Unë sigurisht do të përpiqem të kuptoj pikëpamjet e ndryshme lidhur me problemin, mosmarrëveshjen e tanishme zgjedhore dhe do të përcjell atë që Ambasadori Lu dhe ekipi i tij kanë përcjellë, se sipas pikëpamjes sonë, zgjedhjet janë më të mira kur kanë pjesëmarrjen më të gjerë të mundshme të partive politike, sepse populli i një vendi duhet të përfaqësohet në qeveri. Për të qenë të përfaqësuar, duhet të ketë një pjesëmarrje të gjerë, jo të një partie, por të shumë partive. Së treti, besojmë se nëse disa parti e përjashtojnë veten ose janë jashtë zgjedhjeve, kjo dëmton jo vetëm vendin dhe institucionet e tij, por edhe imazhin e vendit jashtë, pikë së pari në Europë. Meqenëse Shqipëria po pëpiqet të hyjë në BE, është me shumë rëndësi që Shqipëria të vazhdojë të demonstrojë se është një demokraci e qëndrueshme, funksionale, një demokraci përfshirëse. Edhe për investitorët e huaj është shumë e rëndësishme të shohin se ka një demokraci funksionale, të qëndrueshme, të parashikueshme, ku investimet janë të sigurta.

Pra, do t’i njihni rezultatet?
 
Fokusi kryesor i mesazhit tim është se zgjedhjet duhet të jenë përfshirëse; duhet të përfshijnë sa më shumë parti që të jetë e mundur. Nëse partitë vendosin të mos marrin pjesë në zgjedhje, është e drejta e tyre për të mos marrë pjesë. Megjithëse ne do ngrinim pyetjen nëse kjo do ishte diçka e mençur, ne nuk ngremë pyetje për të drejtën e tyre për ta përjashtuar veten. Dhe, nëse kjo ndodh dhe nëse kushtet vlerësohen nga Komisioni i Zgjedhjeve, vëzhguesit vendas, OSBE, vëzhgues të tjerë të huaj, përfshi Shtetet e Bashkuara dhe vendet europiane që do të dërgojnë vëzhgues…Nëse vlerësohet si zgjedhje të besueshme, atëherë ne do t’i njohim rezultatet, edhe nëse disa parti vendosin të mos marrin pjesë. Përsëris, do ta shihnim si diçka të pafat, pikë së pari për vetë partitë që nuk marrin pjesë, por edhe për vendin. Dhe, për sa i përket dhunës, e dini se keni dëgjuar që Ambasadori Lu ka thënë të njëjtën gjë, që ne besojmë se dhuna nuk është pjesë, nuk ka vend në procesin demokratik. Mbështesim shprehjen paqësore të pikëpamjeve, demonstrimet paqësore, edhe protestat paqësore, por ne refuzojmë absolutisht përdorimin e dhunës për qëllime politike.
 
A ka një ofertë konkrete, një ofertë teknike, të cilën udhëheqësit politikë duhet ta zbatojnë për t’i dhënë fund krizës?
 
Besojmë se vendimi duhet të jetë i udhëheqësve politikë. Vetë partitë do duhet të bien dakord për kushtet e duhura për zgjedhje, nëse do të ketë një marrëveshje, një kompromis që do t’i lejonte partitë të merrnin pjesë dhe shpresojmë që do të ketë një marrëveshje të tillë në mënyrë që partitë të marrin pjesë. Ekziston tashmë një propozim që u paraqit, u ofrua nga anëtarët e Parlamentit Europian, Z. Fleckenstein dhe Z. McAllister. Siç e dini, ne e mbështesim atë. Mendojmë se është një propozim i ndershëm dhe shpresojmë që partitë do ta pranojnë si mjet për të arritur një marrëveshje për të mundur që të marrin pjesë në zgjedhje.
 
Të dy partitë, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, kanë vendosur një vijë të kuqe tek qeveria teknike. Cila është vija e kuqe që do vendosë për ta SHBA në mënyrë që të gjendet një zgjidhje?
 
Në këtë proces nuk ka një vijë të kuqe amerikane ashtu siç nuk ka një plan amerikan. Mendoj se ka kufizime praktike të cilat partitë duhet t’i trajtojnë. Pikë së pari, çfarë është e mundur të pranojë partia, ose partitë e tjera. Çdo kompromis, çdo marrëveshje do kërkojë që të gjitha palët të bien dakord. Dhe ka pak gjasa që qeveria për shembull të pranojë një vonesë të pafund të zgjedhjeve. Por mendoj se ajo që ka rëndësi këtu është që të ketë bisedë serioze mes partive. Dimë që ka pasur dialog për njëfarë kohe tashmë, dhe thkesoj se besojmë që koha po mbaron; që koha për të arritur një marrëveshje, nëse do të ketë një marrëveshje, është shumë e kufizuar. Dhe, siç ka thënë Komisioneri Hahn i Komisionit Europian, nëse nuk mund të ketë marrëveshje, atëhere komuniteti ndërkombëtar do të jetë në gjendje t’i pranojë zgjedhjet e 18 qershorit. Do t’i pranojmë zgjedhjet nëse nuk ka një marrëveshje. Do t’i shohim zgjedhjet si të vlefshme edhe nëse opozita nuk merr pjesë. Dhe përgjigja për këtë është “po,” me kusht që kushtet duhet të jenë të pranueshme dhe kjo do të vendoset pasi zgjedhjet të zhvillohen nga vëzhguesit, përfshi vëzhguesit e OSBE dhe të tjerë vëzhgues ndërkombëtarë. Por, sigurisht shpresojmë se do të ketë një marrëveshje.
 
A keni shpresë se do të ketë një marrëveshje?
 
Yee: Po. Jemi diplomatë profesionistë, jemi gjithnjë optimistë.
 
Sa?
 
Jemi gjithnjë optimistë se partitë do veprojnë sipas interesave më të mira të tyre. Ashtu si vendet veprojnë në interesin e tyre. Dhe besojmë vërtet se është në interesin e të gjitha partive për të marrë pjesë, për t’u angazhuar, jo për të qenë jashtë – jo për ta nxjerrë veten jashtë. Në vende të tjera ku po shohin mundësinë e bojkotit, kam cituar presidentin tonëTheodore Roosevelt që tha, “Udhëheqësit e guximshëm janë ata që janë brenda arenës, ata që qëndrojnë në arenë, jo ata që ulen mënjanë si spektatorë apo kritikë.” Dhe kjo është veçanërisht e vërtetë në demokracitë në tranzicion, që kanë nevojë për pjesëmarrjen e të gjithë udhëheqësve të tyre, të të gjithë përfaqësuesve të tyre, të gjithë njerëzve me ide të mira dhe qëllime të mira. Shqipërisë nuk mund t’ia lejojë vetes, sipas nesh, që një parti e rëndësishme të rrijë mënjanë, të mos kontribuojë për punën e një prej institucioneve më të rëndësishme, që është parlamenti, dhe në një prej proceseve më të rëndësishme në një demokraci, që janë zgjedhjet.
 
Pyetje: Nëse nuk ka opozitë në zgjedhje, çfarë garancie jep SHBA se Kryeministri Rama nuk do kapë ose kontrollojë institucionet e reja të drejtësisë?
 

Së pari, dua të them se ne kemi punuar prej kohësh me qeverinë dhe Kryeministrin Rama. Ne besojmë se ai do që ta shohë Shqipërinë të ecë drejt Bashkimit Europian, do që ajo të jetë një shembull për pjesën tjetër të rajonit, një forcë e stabilitetit dhe zhvillimit për vendet e tjera të rajonit. Si rrjedhojë, ne nuk besojmë se është në interesin apo në planin e tij që të qeverisë pa opozitën apo, e thënë ndryshe, të jetë pa asnjë lloj opozite konstruktive. Dhe është në interesin e çdo demokracie që të ketë një opozitë të fortë, ajo që ne e quajmë opozitë besnike, me fjalë të tjera, një opozitë që vepron sipas Kushtetutës, brenda ligjeve, që e nxit qeverinë duke propozuar ide të ndryshme, duke kritikuar qeverinë kur ajo gabon, që ushtron trysni ndaj qeverisë që ajo të përmirësohet. E njëjta gjë ndodh edhe në vendin tonë, në Shtetet e Bashkuara. Nëse nuk do kishte opozitë, ne do të ishim një demokraci më e dobët, dhe unë besoj se Kryeministri e kupton këtë. Më lejoni të shtoj, mendoj se për opozitën e thashë edhe pak më lartë, se dua ta bëj të qartë, se ne e respektojmë të drejtën e partive për të mos marrë pjesë, ne e respektojmë të drejtën e tyre për bojkot, por vemë në dyshim arsyet prapa këtij vendimi. E përmenda dhe pak më parë besoj, se gjatë përvojës sime në Balkan, unë nuk kam parë asnjë bojkot të ndihmojë partinë që po bojkotonë apo të ndihmojë vendin ku kjo parti po përpiqet të përfitojë politikisht. Bojkotet nuk funskionojnë; nuk janë një taktikë fituese, dhe padyshim nuk janë as një strategji. Prandaj, ne patjetër që shpresojmë se të gjitha palët do të angazhohen, dhe do të gjejnë një mënyrë për të rënë dakord për të pasur zgjedhje që përfshijnë të gjitha partitë.
 
Pra, ju besoni se Rama mund të garantojë zgjedhjet apo reformën në drejtësi?
 
Nuk ka garanci në politikë. Dhe ky, mendoj unë, duhet të jetë shqetësimi i opozitës, se nëse nuk janë prezentë në Parlament, në institucione, atëherë pa dyshim që partia apo partitë fituese do të kenë mundësinë të veprojnë pa rolin konstruktiv të opozitës, rolin për të vënë në pikëpyetje, për të vëzhguar, për të propozuar mundësi të tjera. Prandaj dhe garancia më e mirë, sërish, duke pranuar se nuk ka garanci absolute, por garancia më e mirë për një demokraci të shëndetshme, ku ekziston mundësia që qeveria të sfidohet, garancia më e mirë është që opozita të jetë në Parlament, të jetë në institucione, duke ruajtur rolin e mbikëqyrësit.
 
Pyetje: A ka ndonjë rrezik të ndikimit rus këtu në Ballkanin perëndimor, sidomos në Shqipëri, në politikën tonë të brendshme? Dhe së dyti, a mendoni se ka mundësi që të ndërhyet në Kushtetutë për zgjedhjet?
 

Rusia është përpjekur prej kohësh që të pengojë Ballkanin perëndimor nga anëtarësimi në NATO, por edhe në Bashkimin Europian. Ajo do preferonte t’a shihte Ballkanin më afër Rusisë, ose të paktën neutral, në mënyrë që të ketë ndikim maksimal në rajon. Në pikëpamjen tonë, është shumë e rëndësishme që vendet, vendet sovrane, të kenë të drejtën për të vendosur vetë për rregullat e tyre të sigurisë, për aleancat, për organizatat ku duan të anëtarësohen. Kështu është. Kështu është, ne besojmë në rolin absolutisht thelbësor të sovranitetit të vendeve për të vendosur, pa asnjë vend me të drejtën e vetos, qoftë ky Rusia apo çdo vend tjetër. Asnjë vend i tretë nuk duhet të vendosë veton nëse Shqipëria duhet të anëtarësohet në Bashkimin Europian, apo nëse Mali i Zi anëtarësohet në NATO, apo nëse Bosnjë-Herzegovina anëtarësohet në Bashkimin Europian apo në NATO. Rusia po përpiqet, të gjithë e pamë se çfarë ndodhi në Malin e Zi tetorin e kaluar, Rusia u përpoq të ndërhynte në zgjedhje, Rusia është përpjekur të ndërhyjë në disa zgjedhje, përfshirë edhe tonat, për të pasur ndikim mbi mënyrën si zhvillohen proceset demokratike. Prandaj është e rëndësishme që ne të qëndrojmë vigjilentë, ne po vëzhgojmë me kujdes atë që Rusia po bën, dhe po marrim hapa për të mbrojtur veten tonë. Dua të them, për të përfunduar argumentin tim, se zbatimi i ligjit është shumë i rëndësishëm në këtë drejtim. Duhet siguruar që nuk ka asnjë rrugë apo hapësira dobësie që Rusia apo aktorë të tjerë të jashtëm mund të shfrytëzojnë për të pasur ndikim, nëpërmjet korrupsionit apo parave, për të pasur ndikim në vendimarrje, në institucione, që asnjë aktor i jashtëm nuk mund të ketë. Përsa i përket pyetjes tuaj të dytë, ky vendim i takon qeverisë, opozitës, dhe partive në Parlament. Ne besojmë se ekziston një propozim i mirë që është ofruar nga anëtarët e Parlamentit Europian, që mund të jetë një pikënisje e mirë për një marrëveshje. Ne shpresojmë që palët do ta përdorin atë si bazën për t’u bashkuar në interes të vendit të tyre, në interes të rajonit, në mënyrë që të marrin pjesë në zgjedhje pa vonesa të panevojshme.
 
Pyetje: Duke qenë se ju, Z. Ambasador, kemi qenë një përkrahës i vërtetë i reformës në drejtësi, a do t’a nxisë administrate e Shteteve të Bashkuara krijimin e sistemit të drejtësisë, si komisionet e vetingut, për shembull, nga shumica dhe opozita e parlamentit të ri, pa partinë Demokratike dhe aleatët e saj?
 
Fillimisht më lejoni t’ju them se jemi shumë të vendosur në mbështetjen e reformës në drejtësi. Ajo ishte një hap i rëndësishëm për Shqipërinë në luftën e saj kundër korrupsionit, në forcimin e zbatimit të ligjit, në përmirësimin e efikasitetit dhe integritetit në fushën e drejtësisë. Pra, ne jemi të vendosur për të mbështetur procesin që qeveria dhe partitë e opozitës nisën në korrik, duke aprovuar amendamentet dhe duke filluar miratimin e legjislacionit. Se si ai do të zbatohet, kjo do të varet nga partitë. Ne nuk duam që të ketë vonesa, ne nuk mendojmë se duhet të bllokohet, por sigurisht, ka edhe kërkesa praktike, procesi nuk do të jetë shumë efikas nëse partitë e bojkotojnë, nëse do ketë parti që nuk do të marrin pjesë. Prandaj ky do të jetë synimi ynë, që të sigurohemi që partitë mund të arrijnë një marrëveshje midis tyre, që të mund të marrin pjesë jo vetëm në zgjedhje por edhe në institucione dhe procese të rëndësishmë, si reforma në drejtësi.
 
Faleminderit shumë të gjithëve! 

13: 00 Yee takim me Bregun e Topallin në Amb. SHBA, Selami jashtë vendit
Zëvendës ndihmës-sekretari Amerikan i Shtetit ka kërkuar një takim edhe me grupin 'rebel' të PD, që kanë dalë kundër kryetarit të PD.
 
Burime për Report Tv bëjnë me dije se Astrit Patozi ka refuzuar ftesën duke deklaruar që nuk do të jetë i pranishëm për arsye që nuk dihen, e ndërsa mësohet se në takim nuk do të marrë pjesë pjesë as deputeti Eduard Selami për shkak se ndodhet jashtë vendit.
 
Gjithashtu duke iu referuar të njëjtat burimeve, bëhet e ditur se zëvendës ndihmës-sekretari Amerikan i Shtetit do takohet me Jozefina Topalli në orën 17:00, e ndërsa 30 minuta më pas do takohet dhe me Majlinda Bregun në Ambasadën e SHBA.
 
Mendohet se Zyrtari i lartë i DASH, Hoyt Brian Yee  ka kërkuar takim me deputetët pas qëndrimi të tyre kundër bojkotit të Kuvendit dhe zgjedhjeve të 18 qershorit.

Ora 12:45 Yee perfundon takimin me Meten
Ka zgjatur me pak se 1 ore takimi i Zëvendës ndihmës sekretarit te Shtetit për Evropën dhe Azinë, Hoyt Brian Yee me kryetarin e Kuvendit Ilir Meta

hoyt brian yee

Ora 11:50 Yee nis takimin me Meten

Ora 11:45 Përfundon takimi i Yee me Ramën
 Eskorta e zyrtarit të DASH ka mbërritur fiks në 10:30 në godinën e kryeministrisë, ashtu siç ishte parashikuar ne axhendë, dhe ka dale prej aty pak para ores 11:50 minuta. Prej kryeministrise, Yee i eshte drejtuar Kuvendit ku ka zhvilluar nje takim me Ilir Meten.
hoyt

Ora 10:35 Nis takimi i Ramës me zyrtarin e DASH, Hoyt Brian Yee



hoyt brian yee mberrin ne kryeministri
(Makina e Hoyt Brian Yee duke iu drejtuar kryeministrise)

Axhenda e Yee, ne 14 e 45 takim me Bashen
Pas takimit me kreun e qeverisë Rama, Yee do të takohet me kreun e Kuvendit njëkohësisht dhe Presidentin e zgjedhur në orën 11:30 e ndërsa në orën 14:45 me liderin e PD, Basha. 

Përpara marrjes së detyrës në departamentin e shtetit, Yee ka qenë zv/ambasador amerikan në Zagreb, ku ka shërbyer për tre vite.
 
Por më herët ai ka qenë drejtor për çështjet europiane dhe këshillin e sigurisë kombëtare amerikane si dhe zv/ Drejtor në NATO. Gjatë karrierës së tij Yee ka shërbyer edhe në Greqi e Mal të Zi.

“Buldozeri” njohës i çështjeve të Ballkanit
Zyrtari i lartë i DASH i njohur ndryshe si “Buldozeri”, është një njohës shumë i mirë i çështjeve të Ballkanit, pasi ka shërbyer në disa misione në këto vende.
 
Vetëm një ditë para mbërritjes së tij në Tiranë, zëvendës ndihmës-sekretari Amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee ka bërë një apel për të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë.
 
Ai thotë se qytetaret i japin besim politikanëve për t;u përballur në fushën e betejës që është Parlamenti dhe jo bojkoti i tij.
 
“Parlamentet duhet të përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e qytetarëve. Deputetët që bojkotojnë Parlamentin shmangin përgjegjësinë e tyre dhe injorojnë këshillën e ish-Presidentit të SHBA-ve, Theodore Roosevelt, se besimi i takon njeriut që është në të vërtetë në fushë betejë, jo njeriut që tregon se si të pengojë më të fortin” tha Yee, sipas European Western Balkans.
 

Ai aktualisht ndodhet në Mal të zi, shtet gjithashtu i përfshirë nga kriza politike. Ngërçi politik në Tiranë ka detyruar Departamentin Amerikan të Shtetit të dërgojë në Shqipëri, Zv/ ndihmës sekretarin amerikan për Europën dhe Euroazinë, Hojt Brian Yee, me qëllim gjetjen e një gjuhe të përbashkët mes krerëve politikë.
 
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë