Besimtarët katolikë të të gjitha moshave u mblodhën për të kremtuar vigjiljen e Pashkës së Madhe.

Pak pas orës 22:00 në katedralen “Shën Pali” në kryeqytet, nisi mesha e ringjalljes së Krishtit.

“U ringjall!”, tha Imzot Arjan Dodaj para besimtarëve duke njoftuar se pas vigjiljes, e cila bashkon ditën dhe natën, nis dita e re.

Arqipeshkvi përcolli një mesazh për besimtarët, duke thënë:

“Një Pashkë të shenjtë që të jetë rilindje në shpirt në familjet tona, në çdo të ri e të re shqiptare. Me Zotin çdo shpresë e vdekur ringjallet e merr jetë me më shumë dritë, entuziazëm për të sotmen e të ardhmen. Kush beson, kurrë nuk i trembet jetës, së ardhmes, kurrë nuk u shmanget sfidave.”

Besimtarët ndanë gjithashtu urimet e tyre ku veç paqes e begatisë, shpresuan edhe për më shumë unitet midis shqiptarëve.

Në kujtim të birit të Zotit, i cili për 40 ditë qëndroi pa ngrënë e pa pirë, besimtarët po kaq ditë kufizohen në ngrënien e disa ushqimeve duke respektuar atë që njihet si Kreshmë.

Paralelisht, edhe në Vatikan, shtëpinë e katolicizmit, Papa Leone XIV po mban meshën.

Mëngjesi i Pashkës nis me vezën dhe bukën e bekuar, më pas besimtarët ndjekin meshën e së dielës, e cila nis në orën 10:00.

Ata shkëmbejnë dhe thyejnë vezët e lyera me ngjyrë të kuqe, e më pas urojnë njëri-tjetrin për këtë ditë të shënuar. Gjithashtu, ditën e diel, familjet mblidhen bashkë rreth tryezës për të festuar duke shtruar disa prej gatimeve tradicionale si mish i pjekur, byrekë të llojeve të ndryshme, lakror apo vezë.

Dita e Pashkëve konsiderohet në familjet e besimtarëve edhe si ditë e anashkalimit të mërive dhe faljes. Ajo konsiderohet si një nga festat më të rëndësishme të kalendarit katolik për të uruar shëndet, mbarësi dhe paqe.

Shqiptarja.com dhe Report Tv ju urojnë: Gëzuar Pashkën!

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:48
Drita e ngjalljes së Krishtit, besimtarët katolikë në Krujë kremtojnë vigjiljen e Pashkës (VIDEO)

Besimtarët katolikë kanë marrë pjesë në meshën e shenjtë të vigjiljes së Pashkës në kishat e të gjithë rrethit të Krujës.

Mesha e shenjtë e vigjiljes u zhvillua sipas traditës së hershme, ku fillimisht u ndez drita e qiririt të kishës, ceremoni kjo që u mbajt në oborrin e kishave ku ishte ndezur një zjarr i madh nga ku u mora flaka për qiririn e kishës e prej tij u ndezën të gjithë qirinjtë e besimtarëve, të cilët kremtojnë ringjalljen e Krishtit.

Ora 21:33
Mesha e parë e Pashkës, famullitari mesazh besimtarëve katolikë në Kryezi të Shkodrës: Le të jetojmë me shpresë! (VIDEO)

Vigjilja e Pashkës këtë vit nisi nga fshati Kryezi, aty ku u kremtua mesha e parë e kësaj feste të shenjtë në vendin tonë.

Drita e Krishtit, e shpërndarë nga famullitari i zonës, Frat Andreas Walterman, ndezi në zemrat e besimtarëve dritën e shpresës.

“Feja dhe shpresa janë dhurata të Krishtit për ne njerëzit. Pa shpresë nuk ka jetë, nuk ka të ardhme, nuk ka përparim dhe zhvillim”, u shpreh kreu i Kishës Katolike në zonën e Fushë-Arrëzit.

Pashkët na ftojnë të ndryshojmë realitetin tonë pesimist dhe të besojmë në një fillim të ri. Edhe pse bota sot po përballet me shumë vuajtje, e njëjta situatë reflektohet edhe në zonën tonë.

“Le të jetojmë me shpresë, ashtu siç na fton Pashka”, theksoi prifti katolik.