Kur heshtën armët!
110 vite më parë, më 28 dhjetor 1914, ushtari gjerman Josef Wenzl u dërgoi një letër prindërve të tij në të cilën i njoftonte se mes varreve e istikameve në frontin e Flandrisë në Belgjikë, ushtarët gjermanë dhe britanikë kishin ndërprerë luftën, ishin vëllazëruar për pak kohë, ishin tubuar rreth një bredhi të Krishtlindjeve dhe kishin kënduar së bashku këngë Krishtlindjesh.
Paqe në mes të luftës, paqe në vlugun e gjakderdhjes? Më 24, 25 dhe 16 dhjetor 1914 kishte ndodhur pikërisht kjo. Nuk ishte armëpushim i shpallur zyrtarisht. Ushtarët dhe oficerët e rangjeve më të ulëta kishin vendosur të mos shkrepnin armët, por të këndonin për nder të Krishtlindjeve. Ushtari britanik Colin Wilson raportoi se mbi “tokën e askujt”, pra hapësirën mes varreve të trupave të armiqësuara, u dëgjua kënga e ushtarëve gjermanë “Natë e qetë, natë e shenjtë”. Ushtarët britanikë lanë armët mënjanë dhe i morën këngës me armiqtë e tyre.
Më 9 janar 1915 gazeta londineze The Illustrated London News botoi një ilustrim me këtë shpjegim: “Një paqe Krishtlindjeje midis llogoreve kundërshtare. Saksonët dhe anglosaksonët vëllazërohen në kohën e paqes dhe të vullnetit të mirë në fushën e betejës”.
Ushtarët shkëmbyen edhe dhurata. Në ditarët e luftës të ushtrive britanike dhe gjermane gjenden disa raporte se si ushtarët u futën në tokën e askujt me konserva, cigare, raki ose shampanjë. Dhuratat u shkëmbyen ose u konsumuan së bashku. Madje, në disa prej këtyre takimeve informale, kanë marrë pjesë edhe oficerë që shkëmbyen fjalë me armiqtë e tyre.
Pastaj lufta vazhdoi. Midis viteve 1914 dhe 1918 ajo ua mori jetën rreth 17 milionë njerëzve. Përveç dhjetë milionë ushtarëve nga e gjithë Europa dhe jashtë saj, vdiqën gjithashtu rreth shtatë milionë civilë. Edhe ushtari Josef Wenzl ra në një përleshje më 6 maj 1917. Dy vite e gjysmë më parë ai u kishte shkruar prindërve: “Krishtlindjet e vitit 1914 nuk do t’i harroj kurrë”.
Më shumë fat pati aktori me origjinë shqiptare Aleksandër Moisiu. Ai iu bashkua ushtrisë gjermane, u zu rob në Francë dhe një mision humanitar zviceran e shpëtoi duke e sjellë në Zvicër, më saktë në fshatin alpin Arosa. Kjo përvojë e bëri Moisiun majtist, socialdemokrat e pacifist. Ai shkëlqeu si në skenë të teatrit si në skenën e aktivistit politik.
Më 13 nëntor 1919 aktori Aleksandër Moisiu foli para 1200 personaliteteve gjermane të cilat ishin tubuar në sallën e parlamentit në Berlin për të kujtuar politikanin socialdemokrat Hugo Haase, të vrarë në një atentat. Më parë, më 1 maj 1919, Moisiu mbajti madje fjalim para punëtorëve të Zürichut.