VLORË - Debatoi me prindërit se lëvizi makinën pa leje, 13-vjeçari i jep fund jetës me një armë zjarri pistoletë "TT". Ngjarja ka ndodhur në fshatin Fitore të Njësisë Administrative Novoselë të Vlorës pasditen e sotme. 

Report Tv mëson se trupi i 13-vjeçarit, i identifikuar si Merdjan Aliaj, është gjetur nga babai i tij, me një plagë në kokë të shkaktuar nga arma e zjarrit, pranë një godine pak metra larg shtëpisë, e cila përdorej nga familja e tij si stan për bagëtitë. Ai është transportuar me urgjencë në drejtim të spitalit të Vlorës por ka qenë e pamundur që i mituri të shpëtohej.

Njoftimi i policisë për ngjarjen: 

Vlorë

Informacion paraprak

Më datë 10.09.2018, rreth orës 16:40, në fshatin Fitore, Vlorë, dyshohet se është vetvrarë aksidentalisht me armë zjarri një djalë i mitur me gjeneralitetet M.A., 13 vjeç.

Në momentin e ngjarjes, fëmija ka qenë vetëm duke luajtur në një godinë ngjitur me banesën, ku dyshohet se është vetëvrarë aksidentalisht me armë zjarri tip Pistoletë TT. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.