Ngjarje që ndryshoi botën, sot 35 vite nga rënia e Murit të Berlinit

Ngjarje që ndryshoi botën, sot 35 vite nga rënia e Murit të Berlinit

Më 9 nëntor Gjermania feston 35 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit. Një ngjarje që ndryshoi botën. Një vit më vonë, më 3 tetor 1990, Gjermania u ribashkua pas 41 vitesh ndarjeje. Me rrëzimin e diktaturës së dytë në tokën gjermane, pra fundin e RDGJ-së, u zhduk nga harta politike kampi real-socialst në Evropë. Konflikti Perëndim-Lindje përfundoi. 9 nëntori 1989 shënon një ditë me rëndësi të veçantë për historinë e Gjermanisë dhe të Evropës.

09.11.1918

Por në kalendarin historik gjerman 9 nëntori ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe në epoka të tjera: Më 9 nëntor 1918 socialdemokrati Philipp Scheidemann, deklaroi nga një ballkon i Reichstag-ut (parlamenti) në Berlin se Gjermania ishte tashmë Republikë. Monarkia e perandorit Wilhelm II. kishte marrë fund: "Punëtorë dhe ushtarë, ndërgjegjësohuni mbi kuptimin historik që sjell kjo ditë. Ka ndodhur diçka e padëgjuar: Do të hasim punë të mëdha dhe të vështira. Gjithçka për popullin, gjithçka me popullin. Nuk do të lejohet të ndodhë asgjë që mund të cënojë nderin e lëvizjes punëtore. Jini të bashkuar, të sinqertë dhe të përgjegjshëm. E vjetra dhe e krisura - monarkia - u shemb. Rroftë e reja, rroftë Republika e Gjermanisë."

Demokracia e re në Gjermani pati një fillim të vështirë. Të majtët dhe të djathtët donin ta rrëzonin atë sa më parë. Më 9 nëntor 1923 në Mynih qindra nacionalsocialistë (nazistë) vërshuan drejt ndërtesave shtetërore në një përpjekje për puç. Udhëheqësi i tyre ishte Adolf Hitler, i cili 10 vite më vonë do të merrte në mënyrë totalisht ligjore pushtetin në Gjermani dhe do të shkaktonte krizën më të madhe në histori: Luftën e Dytë Botërore

09.11.1938

Gjatë kësaj lufte hebrejtë u luftuan sistematikisht, deri sa në vitin 1942 filloi makineria për asgjësimin e plotë të tyre. Më 9 nëntor 1938, pra para fillimit të Luftës, në mbarë Gjermaninë iu vu zjarri sinagogave, dyqanet e hebrejve u shkatërruan pothuajse të gjitha. Rreth 100 njerëz u vranë, 26.000 të tjerë u deportuan në kampe përqendrimi. Pogromi u quajt në mënyrë cinike "Reichskristallnacht" dhe do të shërbente si "provë e parë gjenerale" për Holokaustin. 9 nëntori 1938 është data më e tmerrshme në radhën e ditëve historike gjermane.

09.11.1989

Një kontrast gjigant ishte 9 nëntori 1989, dita e rënies së Murit të Berlinit. "E pabesueshme" ishte fjala që dëgjohej më shpesh atë natë, kur qytetarëve të RDGJ-së iu hapën krejt papritur kufijtë. Në fakt muaj më parë ishin zhvilluar demonstrata kundër regjimit totalitar të shtetit RDGJ. Mijëra njerëz kishin hyrë në ambasadën e RFGJ-së dhe të disa vendeve evropiano-lindore duke kërkuar azil politik. Presioni për të lehtësuar mundësinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve të RDGJ-së kishte muaj që rritej nga dita në ditë. Por me atë që ndodhi më 9 nëntor 1989 nuk kish llogaritur askush: Kur gjatë një konference ndërkombëtare në Berlinin Lindor u deklarua, se do të hynin menjëherë në fuqi ligje të reja për lëvizjen e lirë, nuk kishte më asnjë mundësi për t´i ndaluar masat. Dhjetëra mijëra njerëz kaluan menjëherë kufirin e brendshëm të qytetit të ndarë Berlinit. Gëzimi ishte në kuptimin e plotë të fjalës 'pakufij'.

Pas kësaj nate nuk kishte më kthim pas. E çara e parë në Murin e Berlinit solli shembjen e plotë të sistemit të sëmurë. Data 9 nëntor shkruajti për herë të katërt histori gjermane - por këtë radhë histori të mrekullueshme. Këtë fakt nuk e ndryshojnë dot as vështirësitë që solli në Gjermani rënia e Murit të Berlinit. Krijimi i unifikimit së brendshmi ka nevojë për më shumë kohë se sa ribashkimi shtetëror./DW

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë