Juristi Kreshnik Spahiu në emisionin ‘Repolitix’, në Report Tv mbrëmjen e sotme teksa komentoi vendimin e Gjykatës së Posaçme e cila i hoqi masën 'arrest shtëpie' kreut të PD Sali Berisha tha se vendimi ishte i drejtë.
Sipas tij, nuk ka gjykatë që guxon të dënojë Berishën dhe Ramën.
‘Mendoj se është një shkallë procedurale që është normale, një gjykatë nuk duhet paragjykuar. Ka një parim në drejtësi më mirë 100 të fajshëm jashtë se 1 i fajshëm brenda. Unë s’ja uroj burgun një ish-kryeministri sepse e dëmton imazhin e vendit. Sot nuk është vendosur fajësia apo pafajësia, është një proces gjyqësor që do të marr kohë. Unë deri më sot kam një bindje që për 10 vite nuk ka gjykatë dhe gjyqtar që të çojë në burg Ramën dhe Berishën. Unë e kam thënë këtë me vite që në Shqipëri ka dy persona të paprekshëm dhe ka 2 milionë të prekshëm.
Unë e konsiderojë vendimin e gjykatës të drejtë për masën e sigurimit sepse edhe masa fillestare ka qenë kërkesë për detyrim paraqitje dhe duhej kaluar në komisionin e mandateve, sepse atij iu mor pasaporta. Unë nuk jam gjykatë apeli, nuk mundet unë ti them gjyqtares sot as je e varur dhe as ke dhënë vendim të gabuar, por pasojat proceduriale që do të sjell ky vendim. Kryemadhi sot duhet që të shkojë dhe të kërkoj pasaportën sepse iu kthye Sali Berishës pasaporta, sepse u cilësua si kufizim i lirisë’, tha ai.
Juristi Kreshnik Spahiu, në emisionin ‘Repolitix’, komentoi edhe kërkesën e Berishës për qeveri teknike.
Ai u shpreh se Berisha po e bënë të gjithë këtë luftë sepse kërkon bashkëqeverisje me PS.
‘Unë them që kërkesa për qeveri teknike është karikim i elektoratit dhe një ngut, sepse në politikë mosha bënë të vetën, çdokush ka ambicie dhe janë në luftë me kohën që të përmbushin egon e tyre. Kush e ka me ngut? Berisha sepse në maj shkon 81 dhe nëse nuk kap qeverisjen ose bashkëqeverisjen ky është treni i fundit dhe tani kërkon të bëjë bashkëqeverisje. A do të pranojë Rama ta bëjë zv.kryeministër, do parë. Pse për ca e bënë këtë luftë Berisha që të marr një emër anonim dhe ta bëjë kryeministër. Berisha do të jetë pjesë e qeverisë, unë uroj që Rama ta bëj ministër 4 vjet’, tha ai.
Juristi Kreshnik Spahiu në emisionin ‘Repolitix, u shpreh se lirimi i Berishës ditën e sotme, sipas tij nuk është vendim pafajësie, por thjesht masë sigurie.
Spahiu solli shembuj të ish-deputetëve dhe ish-ministrave të tjerë që janë hetuar në gjendje të lirë dhe më pas janë dënuar me burg.
‘Unë mendoj se tek SPAK nuk ndikon, tek SPAK do të ndikoj nëse Berisha dhe disa lider të tjerë që janë nën akuzë dhe do të fitojnë pafajësinë dhe në fund nëse gjykata thotë Berisha është i pafajshëm, kjo është humbje për prokurorinë. Salianji ishte i lirë, por në fund u dënua me burg, Tahiri ishte i lirë dhe u dënua me burg, masa e sigurimit është e parëndësishme, mund të jesh në burg dhe fiton pafajësinë. Rëndësi ka fajësia apo pafajësia, vendimi i formës së prerë prek ligjin e dekriminalizimit, që do të thotë del ose jo nga politika. Sepse ka një ligj që po u deklarove fajtor del nga politika’, tha ai.