Si formalistë që jemi, më në fund e bëmë. E miratuam edhe këtë. Projektligjin pra, atë të famshmin që mbase vogëlsinë tonë e rreshton më fort përkrah aleatëve të mëdhenj perëndimorë. Ligjin që penalizon një numër kokëkrisurish tanë me dukje beduinësh që për dofarë idealesh të mjegullta, si dikur bashibozukët apo nizamët e mbretit, marrin rrugën e largët dhe lënë rrashtën hapësirave të Azisë.

Në emër të islamit, në emër të fesë. Në Siri, në një luftë që fillimisht dukej e brendshme, që nisi si luftë e mirëfilltë civile për rrëzimin e regjimit të Asadit, por që, me ndërhyrje me shumë hile nga anash, devijoi keq në luftë ekskluzivisht fetare, luftë mes sekteve, luftë e cila dihet kur ka nisur, por kur mund të përfundojë askush s’mund të thotë. Sidomos në lëmshin e madh, lëmshin që po ngatërrohet aq shumë edhe me kontributin “modest” të ndonjë shqiptari. Ndonjë Kastrioti të transformuar tash në Abu Hasan Abdullah që me retorikë terroriste na bën thirrje “me be e me rrëfe” që të gjithë të marrim shembullin e tij.

Ligji që mbase do të dalë nga ky projektligj është rezultat i një dështimi të mëhershëm. Është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e mendësisë së strucit. Asaj që s’e kemi bërë kur duhej.

Shumë vite më parë, në atë vorbullën pas 1999-s, kur misionarët e kamufluar me petkun e shoqatave të ndryshme, gjoja humanitare, bashkë me dollarët, pashtetat, hurmat e ushqimet tjera nëpër shtëpitë tona mbollën farën që tash ka mbirë e po shtohet. Dhe shtiremi të befasuar, madje edhe Ministria e Punëve të Brendshme, Inteligjencia, ata të cilët, sipas detyrës, asgjë që ndodh në këtë vend nuk do të duhej t’i befasonte.

Ligji, më në fund, nuk mund të bëjë shumë, në rrjedhën e nisur tash e sa kohë.

Ai sanksionon si vepra penale me dënime deri në 15 vjet burgim, bashkimin apo pjesëmarrjen në ushtritë ose policitë e huaja, në formacionet paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individuale, në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë Kosovës.

Megjithatë, nëse nuk e ka vetëm për retorikë, llafe e krekosje që ne shqiptarët i kemi si shumë në gjak, ai tipi nga Siria, në atë videon që mund ta keni parë të gjithë, kur “kufirave” të imagjinuar u thotë se do të fitojë ai me shokë sepse xhenetin e sheh në tytat e armikut dhe se ata nuk kanë aq plumba sa ka të gatshëm të vdesin, ku merr vesh ai për kërcënim me dënime.
Sidoqoftë efekte mund të ketë te personeli ndihmës, te logjistika e tyre, pasi të njëjtat dënime rrezikon edhe ai që organizon, rekruton, financon, nxit, udhëheq apo trajnon personat ose grupet me qëllim të bashkimit apo pjesëmarrjes në ushtrinë ose policinë e huaja.

Lgji, u tha qartë, ka për qëllim të parandalojë e të mbrojë Kosovën nga veprimet kriminale e terroriste që paraqesin kërcënim për interesin dhe sigurinë e saj.

Sepse, padyshim, ata që kalojnë përmes luftimeve të tilla, duke bërë atje edhe shkollën e terrorizmit, kur të kthehen me atë frymën dhe përvojën e Sirisë, me të drejtë ngjallin frikë për sigurinë nacionale.

Siria që po kalon nëpër këtë konflikt të tmerrshëm me140 mijë të vrarë, ashtu si Libani që dekada më parë kaloi të njëjtin ferr me 120 mijë të vrarë në luftën civile, kanë diçka të përbashkët me shqiptarët.

Një ngjashmëri të frikshme. Me gjithë prejardhjes e përbashkët kanë diversitete të mëdha. Shumë fise e shumë fe, kryesisht myslimanë, me gjithë ato sektet e armiqësuara dhe të krishterët, ortodoksë e katolikë. Përveç saj, edhe me armiq të mëdhenj e të fuqishëm përreth dhe, normalisht, shumë kokëkrisur të papërgjegjshëm, të gatshëm për t’ia vënë flakën shtëpisë, në çdo çast.