TIRANE- Ish- drejtuesi i Shërbimit Informativ Ushtarak Ylli Zylaj, do të duhet të paguajë një shumë financiare prej 4 milion lekë të vjetra, si pasojë e gjobitjes nga INUK për një shtesë pa leje që ka kryer në banesën e tij. Gjykata e Tiranës, pak ditë më parë vendosi të pranojë kërkesën e Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar për të nxjerrë urdhër-ekzekutimin lidhur me vjeljen e gjobës financiare prej 400 mijë lekë të reja.

Vendimi i gjykatës është marrë 3 mars 2014 dhe gjyqtarja që ka vendosur “pro” INUK është Blerina Muça. Gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore është mësuar se gjoba është vendosur në 6 prill të vitit 2012, për një shtesë pa lejë anësore pallati, kati i parë, konstruksion metalik dhe duralumini me sipërfaqe 20 metra katror. Në vendimin e gjykatës thuhet se objekt i bërë pa leje ndërtimi ishte në fazë shfrytëzimi.

Vendimi i gjykatës
Me vendimin administrativ Nr. 05 datë 06.04.2012 të Kryeinspektorit të INUK-së, ndaj subjektit fizik z. Ylli Zylaj, është vendosur gjoba në masën 400.000 (katërqind mijë) lekë, për kundravajtjen e konstatuar, sipas proces verbalit Nr. 8 datë 28.03.2012, si më poshtë: “Shtesë anësore pallati, kati i parë, konstrukion metalik dhe duralumini me sip. 20 m2. Objekt i bërë pa leje ndërtimi në fazë shfrytëzimi. Nga shkresa me nr. 14241/2 prot. datë 20.01.2013 e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, rezulton që kundravajtësi, Ylli Zylaj, të mos ketë depozituar padi në këtë gjykatë me objekt “Shfuqizim akti administrativ” (vendim gjobe).

Në referim të parashikimeve të nenit 22 të Ligjit Nr. 10 279 datë 20.05.2010 “Për kundravajtjet administrative”, në kushtet kur kërkuesi nuk ka në strukturën e tij organizative, organe të posaçme administrative për vjeljen e gjobave, akti administrativ i mësipërm përbën titull ekzekutiv të ekzekutueshëm nga Shërbimi Përmbarimor. Sa më sipër, në bazë të nenit 510 gërma “e” të Kodit të Procedurës Civile, gjykata e gjen kërkesën të bazuar dhe e pranon atë.

Ish-drejtori Zylaj
Ylli Zylaj ka drejtuar gjatë vitit 2012 Shërbimin Informativ Ushtarak. Zylaj, ka dhënë dorëheqjen nga kjo detyrë pas investigimit të gazetës “Shqiptarja.com” që tregonte implikimin e gruas së tij në një kompani që kryente tregtinë e municioneve ushtarake. Ndërkohë që Zylaj, u përfshi dhe në debatin e përgjimit të opozitës në atë kohë, ndërkohë pas largimit nga kjo detyrë, Zylaj u emërua nga ministri Arben Imami drejtues i Policisë Ushtarake.

Shkrimi u publikua sot (15.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)