Ulja e menjëhershme e temperaturave i ka gjetur të papërgatitur fermerët e zonës kodrinore të Lushnjës. Dhjetëra hektarë me perime në serat e plastmasit janë tharë.

"25 vjet fermer. I ftohi ka bërë dëme të jashtëzakonshme. Kemi mbjellë 2 dynym domate. Shpenzimet kanë shkuar gati 5-6 milion lekë. Siç e shikoni këtu ka mbaruar punë çdo gjë. Duhet të fillojmë nga e para dhe që të fillojmë nga e para duhen lekë. Ne nuk kemi asnjë lloj ndihme", thotë Çlirim Bali, fermer.

Jo vetëm domatet e sapo mbjella, por edhe domatet që ishin gati për treg.

"Në muajin shkurt kjo domate bëhej gati për treg. Kemi punuar pastër, pas pesticide, me bletë, kemi futur bletën qe të jeta malli bio", shton ai.

Përpos dëmeve nga temperaturat deri në minus 10 gradë celsius, fermerët shprehen se mungesa e tregut prej tre vitesh u shkakton humbje ekonomike.

"U dogjëm edhe me lakrën, 5 dynym lakër nuk u shit asnjë kokërr, u hodhën në kanal. Është bërë për të ikur natën. Kjo është bujqësia në Shqipëri. Kemi 3 vjet që s’marrim asnjë lek, prodho, hidh. Nuk e dimë se çfarë duhet të bëjmë. Tregu ka mbi tre vjet që bën poshtë", thekson fermeri.

Në kushtet e shkatërrimit total të bimëve por njëkohësisht edhe të prodhimit të pritshëm, fermerët po i shkulin bimët për të përgatitur serën për kultura të tjera.

Me të njëjtën situatë po përballen edhe fermerët e perimeve dhe luleshtrydheve në Roskovec dhe në Frakull.