TIRANË -  Komisioni i Ligjeve ka miratuar sot propozimin për ngritjen e Komisionit Hetimor në lidhje me kërkesën e 39 deputetëve të mazhorancës për shkarkimin e dy anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj.

Vendimi u mor në mbledhjen e sotme, e cila nisi në orën 17:00, dhe ku raportuan edhe dy anëtarët në fjalë të KLD. Sipas këtij vendimi Komisioni Hetimor do të ketë 9 anëtarë, nga të cilët 5 të mazhorancës dhe 4 të opozitës. Tashmë ky vendim do t’i kalojë për miratim Kuvendit të Shqipërisë. 
 
Edhe vetë anëtarët e KLD, Çefa dhe Lelçaj, të cilët erdhën në mbledhje me rreth 30 minuta vonesë, u shprehën pro propozimit të Komisionit të Ligjeve, për ngritjen e Komisionit Hetimor, që sipas tyre do të zbardhë përfundimisht akuzat e pavërteta ndaj tyre. 

Gjatë raportiimit, nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa tha se kërkesa për shkarkimin e tij, nuk është e papritur, pasi sipas tij është në kushtet e sulmeve ndaj KLD dhe atij personalisht.

“Së pari kërkesa juaj nuk ishte e papritur, në kushtet e sulmeve në KLD dhe mua personalisht. Reforma dhe ligjet e reja synojnë të heqin personat e padëshiruar. A është shkarkimi antikushtetues i 2 anëtarëve të KLD zgjidhja për sistemin gjyqësor? Nëse ju kujtoni se unë dhe Lelçaj jemi e keqja e sistemit gjyqësor, atëherë keni të drejte të na largoni.Deputetët kanë analizuar disa vendimmarrje të KLD, të cilësuara si shkelje të ligjit, në kushtet kur KLD e një pushtet tjetër. Si jurist nuk jam dakord dhe e konsideroj antikushtetues të gjithin këte si proces. Por nga ana tjetër jam dakord për ngritjen e komisionit hetimor, në mënyrë që më në fund të kuptohet se unë dhe Lelçaj nuk jemi kaq kriminelë sa jemi servirur." tha Çefa

lulzim lelcaj
(Në foto: Nënkryetari i KLD, Elvis Çefa duke raportuar në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve)

Ndërsa anëtari tjetër i KLD ndaj të cilit është kërkuar shkarkimi, Lulzim Lelçaj, tha se akuzat ndaj tij janë të pavërteta, ndërsa akuzoi se sipas tij, këtu nuk ecet me shtetin ligjor por me shije estetike.

“Një ndër 10 shkeljet tona është se kam lejuar që të kryhet marrja e kompetencave të Këshillit të Magjistraturës. Ky është falsifikim pasi ynë nuk kam qenë pjesë e KLD në atë kohë. As dhe një anëtar nuk disponon rendin e ditës. Unë falenderoj për procedurën që duhet të ndiqni. Uroj që ky Komision Hetimor të jetë i suksesshëm. Ajo që për të ardhur keq është se këtu nuk ecet me shtetin ligjor por me shije estetike. Të nderuar deputetë mua nuk më lejohet të jap dorëheqjen dhe as të ndjek shijet e kujtdo por të pergjigjem në mënyrë iindividuale për të gjitha veprimet ose mosveprimet.” tha Lelçaj

elvis cefa
(Në foto: Anëtari i KLD, Lulzim Lelçaj duke raportuar në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve)

Por deputeti socialist Taulant Balla, theksoi se shkeljet e konstatuara nga ana e deputetëve të mazhorancës, i detyrojnë të kërkojnë shkarkimin e Çefës dhe Lelçajt. Duke folur në emër të deputëtevë të mazhorancësm, Balla shprehu bindjen se anëtarët e KLD me veprimin apo mosveprimin e tyre kanë shkelur në mënyrë flagrante ligjin.

“Vijmë këtu për të parashtruar ngritjen e Komisionit Hetimor. Shkeljet e 2 anëtarëve na detyrojnë neve të parashtrojmë këtë kërkesë. Ne jemi të bindur se në ushtrimin e detyrave tyre me veprimin apo mosveprimet e tyre kanë shkelur në mënyrë flagrante ligjin. Kërkesa për shkarkim të anëtarve të zgjedhur nga Kuvendi vjen në bazë të 10 pikave me shkeljet, dhe na jep të drejtën të kërkojmë shkarkimin e anëtarëve.”

39 deputetë të mazhorancës kanë propozuar shkarkimin e dy anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj ku në një raport të përgatitur prej tyre janë renditur 10 shkelje, që sipas deputetëve të majtë janë konstatuar në punën e bërë prej anëtarëve të KLD. Ja 10 akuzat ndaj Çefës e Lelçaj

cefa lelcaj
(Në foto: Anëtarët e KLD, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve)

Shkarkimi i anëtarëve të KLD, sot Çefa e Lelçaj para Kuvendit
Komisioni i Ligjeve ka kërkuar që dy anëtarët e KLD-së, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj, të jenë sot të pranishëm në mbledhjen që do të zhvillohet në orën 16:30 për të diskutuar kërkesën e shkarkimit të tyre. 39 deputetët e mazhorancës kanë argumentuar propozimin për shkarkimin e dy anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj duke renditur 10 shkelje. Burime nga Kryesia e Kuvendit pohuan për gazetën “Shqiptarja.com” se Komisioni i është drejtuar dy anëtarëve nëpërmjet një shkrese zyrtare në mënyrë që ata të jenë të pranishëm në mbledhje. Po këto burime bëjnë me dije se nga ana e Çefës dhe Lelçajt nuk ka vajtuar asnjë përgjigje.

Por Këshilli i Lartë i Drejtësisë thekson se do t'i përgjigjet ftesës së Komisionit të Ligjeve nëse zbatohen kushtet që ata kërkojnë. Burime nga KLD pohuan dje për gazetën “Shqiptarja.com” se nënkryetari Elvis Çefa do të shkojë në mbledhje nëse atij i jepet e drejta për tu shprehur në mbledhje duke kërkuar rrjedhimisht që të jetë pjesë e tryezës së Komisionit të Ligjeve. Lidhur me këtë kërkesë, Kreu i Komisionit, Fatmir Xhafaj nuk ka vendosur ende dhe pritet që sot të merret vendimi përfundimtar nëse mbledhja me dy anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë do të zhvillohet ose jo.

Përplasja
Pak ditë më parë, 39 deputetë të mazhorancës kanë firmosur një kërkesë që thekson se dy anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë duhet të shkarkohen. Peticioni i tyre kishte të bënte me Elvis Çefën dhe Lulzim Lelçajn, dy anëtarë e KLD-së që janë zgjedhur nga parlamenti. Lidhur me këtë kërkesë, vetë Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ditën e shtunë zhvilloi një mbledhje prej dy orësh ku vendosi për të refuzuar ngritjen e një komisioni i cili do të merrte nën administrim shkeljet e konstatuara nga deputetët e mazhorancës. Kësisoj, ngërçi ndërmjet KLD-së dhe Kuvendit duket se është krijuar pasi në mbledhjen e së shtunës, Bujar Nishani në cilësinë e kreut të KLD-së theksoi se ndaj këtij institucioni po bëhen akuza të pa baza.

Për rrjedhojë, pritet që nënkryetari i KLD-së, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj të refuzojnë ftesat për tu bashkuar në mbledhjet e komisionit duke ngritur pretendimet e tyre lidhur me mënyrën se si duhet të zhvillohen diskutimet. Krahas kësaj, vetë KLD ka marrë masat ndaj Kuvendit. Pak ditë më parë Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese ligjin për KLD-në i miratuar me votat e mazhorancës. Kësisoj përplasja e krijuar ndërmjet palëve pritet që të zgjidhet nga vendimi që do të marrë Gjykata Kushtetuese i cili mund të legjitimojë nismën e mazhorancës për shkarkimin e dy anëtarëve ose do të bllokojë nismën e ndërmarrë.
 
Redaksia Online
(e.c/a.ç/shqiptarja.com)