Ngrihet memorial për
heronjtë e Plavës dhe Gucisë

Ngrihet memorial për<br />heronjtë e Plavës dhe Gucisë
MAL I ZI- Në qafëmalin e Previsë, që ndan Luginën e Plavë-Gucisë, të populluar kryesisht me shqiptarë e boshnjakë, që ndan me atë të Limit ku banojnë malazezë, më 1913-n, pas rënies përfundimtare të kësaj krahine nën Malin e Zi, ndodhi një ndër masakrat më të mëdha të kohës mbi shqiptarët.

Malazezët vranë aty mbi 700 shqiptarë, ndër ta edhe fëmijë, të cilët refuzuan konvertimin kombëtar e fetar në malazezë ortodoksë. Shqiptarët e Plavës e Gucisë, janë mbledhur ditën e hënë se bashku me shqiptarët e ardhur nga Shqipëria dhe Kosova për të kujtuar një ngjarje historike me peshë mbarëkombëtare, të ndodhur një shekull më parë.

Njëqindvjetori i Masakrës së Previsë është përkujtuar përmes një tubimit shkencor, që u mbajt në Plavë. Me këtë rast një tjetër veprimtari u zhvillua në fshatin Vuthaj të kësaj komune, ku u inaugurua një memorial kushtuar Isuf Kamer Çelajt, njërit nga komandantët e vullnetarëve, i cili ra gjatë mbrojtjes së Plavë-Gucisë, në fshatin Krushevë, ndërmjet Murinës e Andrijevicës, në moshën 35-vjeçare.

Për figurën e tij me rastin e zbulimit të bustit të tij foli Binak Ulaj, një intelektual nga ky fshat, i cili kaloi shumë vite në burgjet e ish-Jugosllavisë për aktivitetin e tij në përpjekjet për të çuar në vend idealet e të gjithë atyre që u flijuan për lirinë dhe bashkimin e trojeve kombëtare. Ndërsa në tubimin shkencor kushtuar kësaj figure që u mbajt në Plavë, folën Marenglen Verli, Beqir Meta, Ali Demushi, deputeti i rizgjedhur nga Tropoja në Kuvendin e Shqipërisë, Besnik Dusha, si dhe shkrimtari Tasim Aliaj.

Historianët nga Shqipëria e Kosova argumentuan padrejtësitë që fuqitë e mëdha ua bënë shqiptarëve dhe heroizmin e këtyre të fundit për t’i ndrequr ato. Memoriali rikujton të gjithë ata trima nga Vuthajt e Plavë-Gucia, që dhanë jetën për këtë krahinë, të shkëputur padrejtësisht nga trungu shqiptar. Busti i Isuf Kamber Çelës është vepër e skulptorit nga Tirana, Sadik Spahia, e zbuluan djali i tij Elez Çelaj, dhe albanologu nga Prishtina, Zymer Neziri.

Memoriali qëndron në një ambient atraktiv të ideuar e dizenjuar nga artistët Ilir e Veli Blakçori nga Prishtina. Në këto aktivitete kishin ardhur qindra kosovarë të mërguar dhe pjesëmarrësit ndoqën edhe një koncert artistik. Shqiptarët e kësaj krahine sot më 1 gusht do të mbajnë tubimin tradicional, që i mbledh në këtë ditë, si për çdo vit, kudo që janë.

Memoriali kushtuar heronjve të Plavës dhe Gucisë me logo
(Foto: Memoriali kushtuar heronjve të Plavës dhe Gucisë)

Shkrimi u botua sot në gazetën “Shqiptarja.com” (print) 01.08.2013
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Miratimi i ndryshimeve në Qeveri, Basha: Deputetët e PD, shfaqje të dala boje! Teatri i sotëm është ana tjetër e medaljes së pazarit Rama-Berisha

Miratimi i ndryshimeve në Qeveri, Basha: Deputetët e PD, shfaqje të dala boje! Teatri i sotëm është ana tjetër e medaljes së pazarit Rama-Berisha