Lind policia vullnetare! Kushtet për t'u bërë pjesë, për çdo shërbim pagesë me dieta (Vendimi i plotë)

Lind policia vullnetare! Kushtet për t'u bërë pjesë, për çdo shërbim pagesë me dieta (Vendimi i plotë)

TIRANE-Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme vendimin për organizimin, funksionimin dhe fushën e veprimit të policimit vullnetar, një iniciativë e lancuar thuajse tre vite më parë. Por cfarë është policimi vullnetar dhe si do të funksionojë? Shqiptarja.com zbardh draftin e miratuar nga qeveria me kushtet dhe kriteret për ata që duan që të bëhen pjesë dhe si do të funksionojë.

Shërbimi i policimit vullnetar do të funksionojë në mbështetje të strukturave vendore të policisë së shtetit duke bashkëpunuar me qëllim sigurimin dhe garantimin e rendit publik në aktivitetet me karakter masiv, si tubime, koncerte, festivale, aktivitete sportive, kontrollin e territorit, përballimin dhe menaxhimin e situatave të emergjencave civile, fatkeqësive natyrore, si dhe operacioneve të kërkim-shpëtimit me karakter masiv. Polici vullnetar nuk mund të jetën gjyqtar, prokuror, përmbarues gjyqësor, drejtues në strukturat politike, punonjës në institucionet e sigurisë kombëtare apo publike, të shërbimit të provës, të policisë së burgjeve dhe të Gardës së Republikës.

Por kush janë kriteret e pranimit? Pjesë e kësaj strukture mund të bëhet cdo person i moshës nga 18 deri në 65 vjeç, në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën, të ketë arsimin e mesëm dhe të mos ketë qenë dënuar. Të ketë përfunduar trajnimin e detyrueshëm me vlerësim pozitiv, si dhe të jetë i certifikuar nga Akademia e Sigurisë; Të jetë i pajisur me vërtetimin e besueshmërisë. Kontrata e vullnetarizmit lidhet në formë të shkruar ndërmjet policit vullnetar dhe drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë.

Pavarësisht se quhet policim vullnetar, çdo person që vendos të bëhet pjesë ka të drejtë që të rimbursohet për shpenzimet e kryera gjatë punës sipas akteve nënligjore në fuqi për trajtimin me dieta, njëlloj si punonjësit e policisë. Pra cdo person që vendos që të bëhet pjesë e strukturës për disa orë në ditë, jashtë profesionit, për cdo shërbim që do të kryejë do të paguhet me dieta. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit është përgjegjëse për ruajtjen dhe sigurimin e konfidencialitetit të të dhënave dhe mbrojtjen e privatësisë së policit vullnetar. Policia shqiptare synon që ti bindi të rinjtë apo cdo moshe tjetër që ti bashkohen asaj vullnetarisht duke kontribuar për më shumë siguri. Ideja u hodh fillimisht nga Saimir Tahiri kur ishte ministër i Brendshëm në 2016, ndërsa sot është miratuar nga qeveria.

Vendimi i plotë i miratuar nga qeveria
I. ORGANIZIMI, FUNKSIONIMI DHE FUSHA E VEPRIMIT TË SHËRBIMIT TË POLICIMIT VULLNETAR

1. Shërbimi i policimit vullnetar funksionon në mbështetje të strukturave vendore të Policisë së Shtetit dhe bashkëpunon me këto të fundit me qëllim:

a) sigurimin dhe garantimin e rendit publik në aktivitetet me karakter masiv, si tubime, koncerte, festivale, aktivitete sportive dhe organizime fetare;
b) dhënien e ndihmës për menaxhimin e trafikut rrugor në qendrat urbane dhe rurale;
c) dhënien e ndihmës për rritjen e sigurisë publike pranë institucioneve arsimore;
ç) kontrollin e territorit, mbështetjen e patrullimit policor për parandalimin e krimit dhe ndërhyrjen ndaj shkeljeve të ligjit;
d) përballimin dhe menaxhimin e situatave të emergjencave civile, fatkeqësive natyrore, si dhe operacioneve të kërkim-shpëtimit me karakter masiv.

2. Polici vullnetar e kryen veprimtarinë e tij nën mbikëqyrjen e punonjësit të Policisë së Shtetit, i cili caktohet nga drejtuesi i strukturës vendore.

3. Kryerja e shërbimit të policimit vullnetar është i papajtueshëm me funksionet e gjyqtarit, prokurorit, përmbaruesit gjyqësor, drejtuesit në strukturat politike, punonjësit në institucionet e sigurisë kombëtare apo publike, të shërbimit të provës, të policisë së burgjeve dhe të Gardës së Republikës.

II. KRITERET E PËRGJITHSHME DHE TË VEÇANTA TË PRANIMIT NË SHËRBIMIN E POLICIMIT VULLNETAR

1. Kriteret e përgjithshme të pranimit të shtetasit në shërbimin e policimit vullnetar janë, si më poshtë vijon:

a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë juridike për të vepruar;
c) Të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit apo i larguar nga administrata publike;
ç) Të ketë përfunduar arsimin e mesëm;
d) Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
dh) Të jetë i moshës nga 18 deri në 65 vjeç, në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën.

2. Kriteret e veçanta të pranimit të shtetasit në shërbimin e policimit vullnetar janë, si më poshtë vijon:

a) Të ketë përfunduar trajnimin e detyrueshëm me vlerësim pozitiv, si dhe të jetë i certifikuar nga Akademia e Sigurisë;
b) Të jetë i pajisur me vërtetimin e besueshmërisë.

III. TË DREJTAT DHE PËRGJEGJËSITË E POLICIT VULLNETAR

1. Polici vullnetar ka të drejtë:

a) të njihet paraprakisht me të drejtat, detyrimet, përgjegjësitë e shërbimit të policimit vullnetar, si dhe me sanksionet në rast të mospërmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga ky vendim dhe nga kontrata individuale e vullnetarizmit;
b) të rimbursohet për shpenzimet e kryera gjatë orarit të shërbimit apo jashtë qendrës së banimit, në ndihmë të strukturave policore;
c) të pajiset me veshje, shenja dalluese dhe pajisje të tjera ndihmëse, të përcaktuara me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në përputhje me natyrën e aktiviteteve të vullnetarizmit dhe shërbimeve që do të kryejë;
ç) të kërkojë në mënyrë individuale vlerësim ose vërtetim pjesëmarrjeje për kontributin e punës vullnetare të dhënë prej tij nga struktura vendore e policisë;
d) të kryejë trajnime falas në Akademinë e Sigurisë, sipas programeve të miratuara nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

2. Polici vullnetar gjatë shërbimit dhe/ose jashtë tij ka përgjegjësi:

a) të ndjekë programin e trajnimit të detyrueshëm;
b) të marrë pjesë në trajnime që organizon Policia e Shtetit, për të përmirësuar cilësinë e punës e të shërbimit;
c) të kryejë aktivitetin e vullnetarizmit i paarmatosur, në përputhje me rregullat, udhëzimet dhe kërkesat e etikës së punonjësve të Policisë së Shtetit;
ç) të ruajë sekretin profesional, si dhe konfidencialitetin e të dhënave personale, me të cilat njihet gjatë angazhimit, si polic vullnetar;
d) të zbatojë detyrat dhe udhëzimet e dhëna nga mbikëqyrësi në nivel vendor i Policisë së Shtetit, përveç rasteve kur:

i. janë në kundërshtim me ligjin;
ii. paraqesin rrezik për jetën dhe shëndetin e vullnetarit, si dhe atë të njerëzve të tjerë;
iii. konsiderohen moralisht të papranueshme nga ana e vullnetarit;
iv. vijnë në kundërshtim me kontratën e vullnetarizmit;

dh) të njoftojë përfaqësuesin apo mbikëqyrësin e Policisë së Shtetit, në lidhje me pasojat, kur ndodhet përpara zbatimit të urdhrave që mund t’i shkaktojnë dëme të shëndetit ose jetës së tij.

3. Gjatë shërbimit, polici vullnetar mban përgjegjësi për dëmin e shkaktuar nga veprimet e tij të kryera në kundërshtim me ligjin.

4. Polici vullnetar kryen shërbime publike në mbështetje të punonjësve të Policisë së Shtetit.

IV. PËRGJEGJËSITË E PËRFITUESIT TË SHËRBIMIT

1. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit është përgjegjëse për përzgjedhjen, trajnimin, organizimin, drejtimin dhe trajtimin e policit vullnetar, duke u siguruar që:

a) të trajnojë paraprakisht kandidatët që do të certifikohen si të aftë për të kryer detyra në ndihmë të Policisë së Shtetit;
b) të sigurojë kushte normale pune për policin vullnetar, gjatë kryerjes së detyrave në bazë të kontratës së shërbimit vullnetar;
c) të ruajë dhe të sigurojë konfidencialitetin e të dhënave dhe mbrojtjen e privatësisë së policit vullnetar;
ç) të rimbursojë shpenzimet e kryera nga polici vullnetar gjatë punës vullnetare, sipas akteve nënligjore në fuqi për trajtimin me dieta, njëlloj si punonjësit e policisë;
d) të lëshojë vërtetim me shkrim për kohën e punës që ai ka shërbyer si polic vullnetar;
dh) të ofrojë bazën e nevojshme materiale për kryerjen e aktivitetit të vullnetarizmit;
e) të sigurojë plotësimin e kushteve të nevojshme për respektimin e të drejtave të policit vullnetar;
ë) të trajtojë policin vullnetar sipas përcaktimeve të bëra në nenin 106 të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar;
f) të pajisë policin vullnetar me dokument identifikimi, lidhur me statusin që ai gëzon, sipas modelit të përcaktuar me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

2. Çdo vit, në bazë të nevojave dhe propozimeve të drejtorive vendore të policisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit përcakton numrin e policëve vullnetarë.

V. KONTRATA E VULLNETARIZMIT

1. Kontrata e vullnetarizmit lidhet në formë të shkruar ndërmjet policit vullnetar dhe drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë.

2. Kontrata e vullnetarizmit përcakton të drejtat, detyrat, kushtet dhe kriteret e nevojshme për kryerjen e shërbimit të policimit vullnetar.

3. Forma dhe përmbajtja e kontratës tip, efektet, kohëzgjatja, përfundimi apo zgjidhja e saj, si dhe procedurat e ankimit, të pranimit dhe të ushtrimit të së drejtës së ankimit përcaktohen me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në përputhje me përcaktimet e këtij vendimi.

VI. DISPOZITA TË FUNDIT

1. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, nxjerr aktet nënligjore në zbatim të tij.

2. Ngarkohet Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • alfred: 03/10/2019 19:10

    ne itali ka police vullnetar dhe persona vullnetar qe ndihmojne femijet per hyrjen ne shkolle ku ka trafik makinash keto te fundit zakonisht jane pensionista qe sherbejne me orar

    Përgjigju
  • Ben: 03/10/2019 01:02

    Policet e Shkodres kane dy vjet qe nuk kane marre kompensimet per rroba se per ushqim as nuk behet fjale.....

    Përgjigju
  • Vlora: 02/10/2019 23:25

    Jo spiuna po keta po krijojne [AGBV] QE do te thote (antar te grupit bashkimit ullnetar).qe ishte krijuar ne kohen e mehitit.

    Përgjigju
  • Genti: 02/10/2019 21:44

    Hahahahaha spiuna me pak fjale,

    Përgjigju
  • Agjenti: 02/10/2019 20:58

    Dieta skane marre akoma policet e shtetit kta thone do i japim vullnetareve.

    Përgjigju
  • Hggy: 02/10/2019 19:49

    Vullneka*ët e sandrit dhe qorrit

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë