TIRANE- Një grup studentësh që kanë bojkotuar mësimin që prej datës 7 janar dhe në ditët e fundit janë ngujuar në disa fakultete, pas një mbledhje mbrëmjen e sotme te 'Ekonomiku' përmes një deklarate njoftuan se protesta do të vijojë. Ata u shprehën se kërkesat e tyre nuk janë plotësuar, prandaj do të vijojnë me bojkotin e mësimit, ngujimin në fakultete dhe protestën.

“Duke marrë shkasë nga zhvillimet e fundit te Ekonomiku, pas shumë diskutimesh ramë dakord që protesta duhet të vijojë, për këtë arsye kemi zhvilluar një sondazh dhe shumica janë pro bojkotit. I ftoj të gjithë studentët që të na bashkohen nesër në protestë, pasi kërkesat tona nuk janë plotësuar. I ftoj të gjithë që të na bashkohen. Nesër herët në mëngjes prej orës 07:00 iu ftojmë ti bashkoheni kauzës sonë. Studentët e bashkuar kanë për të fituar” u shpreh grupi i studentëve. 

Në fund të vitit të kaluar studentët protestuan për 17 ditë për 8 kërkesa, të cilat qeveria i plotësoi përmes Paktit për Universitetin. Pas rikthimit nga pushimet një grup studentësh vijuan protestën, madje duke u ngujuar ditët e fundit në disa fakultete (lexo këtu), ndërkohë që sot deklaruan se do të vijojnë qëndrimin.

Studentët e 'Ekonomikut' dhe të 'Mjekësisë' vendosin të vazhdojnë bojkotin

Grupit të studentëve të Ekonomikut, Inxhinierisë, Juridikut dhe Arkitekturës i janë bashkuar edhe një disa nga Mjekësia. Ata tani kërkojnë anulimin e ligjit të arsimit të lartë. Kryeministri Edi Rama u shpreh se nga dita e nesërme në sekretariate do të ketë dy përfaqësues të MASR dhe ministrisë së Financave që do të sqarojnë studentët për pagesën e tarifave. (Lexo këtu).

Një grup studentësh të Mjekësisë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:45
Studentët e ngujuar, reagon Erjon Braçe: Një klasë nuk mund të bllokojë një fakultet

Menjëherë pas vendimit të një grupi studentësh për të vijuar protestën dhe ngujimin në disa fakultete ka ardhur reagimi i parë nga qeveria. Zv/ kryeministri i ri Erjon Braçe shprehet se një klasë nuk mund të bllokojë një fakultet. “Me Studentet. Nje klase nuk mund te bllokoje nje Fakultet; disa klasa ne disa fakultete nuk mund te bllokojne nje Universitet; 5 universitete nuk mund tu djegin vitin 60-70 mije studenteve! Nje klase perballe 70 mijeve eshte e Padrejte e Pandershme e Dhunshme  Partiake” thotë Braçe.