I vetëdeklaruari si lider i Boko Haram, Abubakar Shekau, përgjegjës për rrëmbimin e 200 vajzave Nigeriane 6 muaj më parë ka deklaruar se ato janë martuar me luftëtarët e grupit terrorist, duke rënë në kontraditë me qeverinë Nigeriane që pretendon se vajzat do të lirohen së shpejti. Ndërkohë nga vetë forcat ushtarake Nigeriane pretendohet se lideri Shekau është vrarë një vit më parë.

Megjithatë videoja e fundit e publikuar nga rebelët dhe dërguar fillimisht agjensisë Franceze AFP, vërteton të kundërtën. Në video personi që pretendon se është Abukabar Shekau mohon se mes tyre dhe qeverisë Nigeriane ka patur bisedime për një armëpushim dhe për më tepër deklaron se grupi i tyre ka marrë peng një Gjerman, në qytetin verilindor Gombe që në korrik.

Deklarata e tij se 200 vajzat e marra peng janë martuar dhe ndodhen në shtëpitë e tyre martesore vë në dyshim gjithashtu pretendimet e qeverisë se do të lirojë vajzat e rrëmbyera nga një shkollë në muajin prill. Ai tha gjithashtu se vajzat kanë pranuar fenë islamike.

Mohimi i armëpushimit hedh dyshime mbi negociatat qeveritare me një të ashtëqujtur Danladi Ahmadu e kjo sqaron dhe dhunën e ushtruar në vend gjatë dy javëve të fundit. Fushata 5 vjeçare për një shtet islamik nga Boko Haram, emri i të cilëve do të thotë ‘Edukimi Perëndimor është mëkat”, ka marrë qindra jetë duke u shndërruar në kërcënimin më të madh të sigurisë ekonomike Afrikane dhe prodhuesve më të mëdhenj të naftës.