TIRANE, 17 Nëntor/ATSH/- Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, tha të hënën se me buxhetin e ri lançon programi "Mësues për Shqipërinë", që do të mundësojë dhënien fund të situatës së papranueshme të 26% të fëmijëve që arsimohen nga mësues pa arsim. Ministrja njoftoi se portali i hapur për arsimin ka ngjallur interesin e mësuesve për të punuar edhe në zonat rurale. Gjithashtu, ajo tha se 740 mësues të edukimit fizik do t'i shtohen armatës së mësuesve. Një fond prej 2.5 milionë lekësh, theksoi NIkolla, do të financojë restaurimin e objekteve dhe ambienteve arsimore. Duke folur në Kuvend gjatë diskutimit në parim të projektbuxhetit për vitin 2015, Nikolla tha se financimi i sektorit të arsimit ka një rritje me 3 % në krahasim me 2014 dhe një rritje me 9 % në krahasim me 2013.
"Projektbuxheti i vitit 2015 parashikon për të gjithë sektorin e arsimit rreth 50.9 miliarde lekë. Në arsimin e lartë do të krijohet regjistër elektronik kombëtar i diplomave universitare, database kombëtare për regjistrin e studentëve, akses të gjerë në arsimin e lartë nëpërmjet skemës së kredidhënies studentore dhe mbështetjes financiare, mbështetje studentëve të ekselencës. Gjithashtu, MAS kontribuon 11.1 milion euro për kërkimin shkencor. Do të ketë 46 terrene sportive etj", tha ministrja Nikolla./a.gjonaj//a.ke/