Nikolla: Reformë për ndryshim rrënjësor të sistemit të teksteve shkollore

TIRANE - Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla deklaroi të premten se MAS po ndërmerr gjithë reformën e nevojshme për ndryshimin në mënyrë rrënjësore të sistemit të teksteve shkollore.
Duke iu referuar publikimeve të disa imazheve të teksteve shkollore me përmbajtje dhune, urrejtje dhe të tjera probleme që kanë qarkulluar ditët e fundit në rrjetet sociale dhe media, Nikolla tha se,fakte të tilla përforcojnë dhe nxisin më tej nevojën dhe domosdoshmërinë për vazhdimësinë e reformave të ndërmarra prej saj në drejtim të teksteve shkollore.
"Të gjitha tekstet që janë sot në institucionet e arsimit parauniversitar janë tekste të katalogut të miratuar nga "Komisioni për Miratimin e Teksteve Shkollore" pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në vitin 2011-të", sqaron Nikolla.
Sipas saj, që prej shtatorit të vitit 2013-të, MAS ndërmori një proces të gjerë konsultimesh me përfaqësues nga shoqëria civile, Avokati i Popullit, mësues, Akademia e Shkencave, media dhe aktorë të tjerë të fushës për të diskutuar rreth problematikave të teksteve shkollore. "Reflektimet e mbledhura nga ky proces ju përcollën nga MAS të gjitha shtëpive botuese, të cilat pasi bënë korrigjimet finale të teksteve konstatuan 120 tekste shkollor me probleme të cilat u hoqën nga katalogu. Gjetjet e deritanishme nga MAS, por dhe publikimet në media të teksteve të papërshtatshme përforcojnë dhe më shumë pozicionin e Qeverisë shqiptare që alterteksti ishte një dështim me sukses", theksoi ministrja e Arsimit.
Nikolla u shpreh se pjesa dërrmuese e imazheve të shpërndara në rrjetet sociale gjatë këtyre ditëve, ose nuk janë pjesë e sistemit arsimor parauniversitar ose janë të manipuluara.
"Sidoqoftë, MAS ka krijuar një adresë të posaçme elektronike ku ftojmë të gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit të dërgojnë foto të teksteve me probleme në përmbajtje të së cilës të jenë të shënuara dhe titulli i tekstit, emri i autorit dhe numri i faqes së tekstit ku konstatohen këto probleme. Secili prej këtyre rasteve do të ndiqet me seriozitetin maksimal nga MAS". bëri të ditur ajo.
Sipas znj. Nikolla, Ministria e Arsimit dhe Sportit rithekson dhe njëherë se për këtë institucion fëmijët shqiptar janë të shtrenjtë dhe se do bëjë gjithçka i mundëson kuadri ligjor për të mos lejuar deformime të tilla në formimin e personalitetit të nxënësit. /ATSh/

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fier, neglizhuan mjekimin e 54-vjeçarit në 2022-in, pezullohen 3 mjekët (EMRAT)