Ministrja Nikolla apel: Shperndani videon e te vertetes qe UEFA nuk respektoi
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla publikoi në Facebook pikërisht videon me të cilën Federata jonë e Futbollit u mbrojt në Komisionin e Disiplinës dhe Etikës pranë UEFA-s dhe kërkoi mbështetjen e qytetarëve që ta përhapin sa më shumë, videon që sipas saj dokumenton të vërtetën e incidenteve gjatë ndeshjes së 14 Tetorit Serbi-Shqipëri në stadiumin “Partizani” të Beogradit.
“Pa rënë në batakun e urrejtjes, mllefit, dëshpërimit që verbon shikimin dhe bllokon dëgjimin, duke të bërë të mohosh vlerat dhe normat e qytetarisë. Por pa heshtur. Pa u tërhequr përballë padrejtësisë. Dhe si Ministre e Sportit e ndjej për detyrë t'ju kërkoj të bashkoheni me mua për të vënë në jetë një ide të thjeshtë: Në këtë video është dokumentuar e vërteta që UEFA mundi ta shihte dje pa mundur ta respektojë, për të respektuar Fair Play-n dhe vetveten! Por këtë të vërtetë bota nuk e ka parë përveçse në disa copëza shumë të vogla që edhe ato u sfumuan nga hutimi i çuditshëm pas një kukulle fluturake me një banderolë. Prandaj shpërdajeni sa të mundni përmes internetit në drejtim të çdo gazete, televizioni, federate futbolli, klub futbolli nëpër Evropë e botë... Postojeni në çdo adresë ku mendoni se dikush duhet ta shohë këtë të vërtetë dhe të bashkohet me ne në bindjen se vendimi i djeshëm i UEFA-s ka cënuar drejtësinë, Fair Play-n dhe Respektin që UEFA i promovon aq shumë”, shkruan ministrja Nikolla në statusin e saj në rrjetin social të cilin e ka shoqëruar me videon.
Nikolla: UEFA do ta kuptojë se sytë e gjithë botës duan të shohin drejtësi!
Ministrja Nikolla e sheh këtë si një mundësi për të marrë drejtësinë e munguar nga UEFA.
“Shumë shpejt UEFA do të kuptojë se janë shumë më tepër sy e veshë, sesa sytë dhe veshët e shqiptarëve, të cilët do të presin të shohin e të dëgjojnë si do t'i shkojë halli drejtësisë së munguar në këtë ditë të trishtueshme për Fair Play-n në Evropë dhe për drejtësinë në gjirin e UEFA-s!”, shkruan Nikolla.
Kryeministri Rama shpërndau i pari videon
Videon e ministres së Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla e ka shpërndarë menjëherë edhe kryeministri Edi Rama duke iu bashkuar kësaj nisme, ndërsa ripostimi i kësaj videoje ka arritur me mijëra.
“Dy pyetjet qe te gjithe duhet t’ia bejne UEFA-s”, ironia per akuzat ndaj Shqiperise
“Dy pyetje që të gjithë duhet t’ia bëjnë UEFA-s”, titullohet postimi i ministres, dhe në mënyrë ironike i referohet dy akuzave që ishin ngritur ndaj Shqipërisë, për mosvazhdimin e ndeshjes pas ndërprerjes në minutën e 41’ dhe dronin që u valëvit mbi stadiumin e Beogradit, për të cilin ende nuk ka autorësi.
Por edhe pse e faktuar me video, dhuna dhe racizmi u legjitimua nga qeveria europiane e futbollit me vendimin e së Premtes, duke i dhënë fitoren në tavolinë Serbisë 3-0 ndërsa dhe gjobë me 100 mijë euro. Ndërsa Serbia për të balancuar politikisht dënimin, u dënua me heqjen e tre pikëve të fituara ndaj Shqipërisë duke zeruar takimin, me 100 mijë euro gjobë dhe 2 ndeshje pa tifozë.