Në fjalën e saj, Ministrja Nikolla vlerësoi rëndësinë e kësaj konference për rëndësinë që ka komunikimi dhe bashkëpunimi i komunitetit të studiuesve me politikëbërësit. Ministrja tha se një shembull i mirë, i cili shënjoi një standard të ri në politikëbërje, ishte reforma e arsimit të lartë dhe Ligji i ri i Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor, draftimi i të cilit u realizua nga një komision i pavarur ekspertësh dhe u debatua nga grupet e interesit për rreth një vit e gjysmë.
“Ligji i ri i Arsimit të Lartë i jep një vëmendje të posaçme kërkimit shkencor duke e kthyer atë në një instrument të rëndësishëm matës të punës së universiteteve si dhe duke e kthyer në një tregues të rëndësishëm për financimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë në vend. Hapi tjetër i rëndësishëm është mbështetja që i duhet dhënë studiuesve, jo vetëm në realizimin e një kërkimi të caktuar, por mbështetja për t’i bërë gjetjet që vijnë nga institucionet e kërkimit shkencor, pjesë të politikave në vend”, u shpreh Nikolla.
Ministrja përmendi ndër të tjera edhe dy programe të rëndësishme në të cilat vendi ynë është bërë pjesë, “Horizon 2020” dhe “Erasmus+”.
“Në kuadër të Programit të BE-së për kërkimin shkencor të Bashkimit Evropian “Horizon 202” Ministria e Arsimit dhe Sportit duke firmosur dhe miratuar në Kuvend marrëveshjen për aderimin e Shqipërisë në këtë program, ka hapur rrugën që universitetet dhe institucionet e kërkimit shkencor të aplikojnë për financime nga BE në një sërë komponentësh të rëndësishëm, për përmirësimin e kapaciteteve dhe rritjen e nivelit të kërkimit shkencor në përgjithësi”, tha Ministrja.
Në konferencën e organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim dhe Ambasada e Zvicrës në Shqipëri, u diskutua mbi marrëdhënien e hulumtuesve/shkencëtarëve me politikëbërësit dhe mbi mënyrat se si të rritet kontributi i studimeve/hulumtimeve në dhënien e evidencave të nevojshme për politikbërje dhe vendimmarrje.
I pranishëm në konferencë ishte edhe Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, Christoph Graf, Magdalena Solska, përfaqësuese e Programit Rajonal për Promovimin e Kërkimit Shkencor në Ballkanin Perëndimor (RRPP) dhe Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, Sotiraf Hroni.
Konferenca Kombëtare u realizua në kuadër të zbatimit të Programit Rajonal për Promovimin e Kërkimit Shkencor në Ballkanin Perëndimor (RRPP) dhe është hartuar si një aktivitet gjithëpërfshirës që integron gjetje dhe rekomandime, diskuton sfidat dhe mundësitë e përbashkëta, dhe identifikon alternativat dhe strategjitë pasuese për një dialog kombëtar të qëndrueshëm.
Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)