TIRANË - Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla nëpërmjet një komunikimi në rrjetin social Facebook, duke iu referuar panairit  "Work & Study" ka bërë të ditur bashkëpunimin e universiteteve publike dhe private për të përfshirë në to programe të caktuara, të cilat i orientojnë studentët drejt tregut të punës.
"Në stendën e MAS në panairin "Work & Study", ku audienca e interesuar mund të njihet me mundësitë për bursa, këshillimin e karrierës dhe strategjitë për të orientuar të rinjtë drejt kërkesave së tregut. MAS po bashkëpunon me universitetet publike dhe private për të përfshirë në to programe të caktuara, të cilat i orientojnë studentët drejt tregut të punës", shkruan Nikolla.
Ndërkaq, ajo thekson se fillesat e këtij orientimi merren që në arsimin parauniversitar, ku sipas saj, nëpërmjet një kurrikule të re, do të mund të orientohen nxënësit drejt kompetencave, ku një nga më të rëndësishmet është ajo e sipërmarrjes./ATSH/