TIRANE- Bib Gjon Markaj, nipi 15-vjeçar i senatorit Gjon Marka Gjonit ishte ngatërruar në një telash të vërtetë, pas trazirave të liceistëve në Shkodër gjatë dhe pas festimeve të pavarësisë në fundvjeshtën e 1939-ës. Djelmoshat e liceut të Shkodrës i kundërshtonin rregullat e rinj pas pushtitimit fashist, e ndër ta ishte edhe pinjolli i Marka Gjonit, i cili kishte tërhequr vëmendjen me frangat e arit që mbante me vete.

Vetë ministri i Brendshëm Maliq Bushati kërkonte hetime të hollësishme rreth këtij 15-vjeçari nga Oroshi, duke e pandehur atë si një fëmijë të një familje të varfër, i cili me shumë gjasa kishte gjetur ndonjë bamirës, i cili po e nxiste në veprimtari antifashiste.

Por e vërteta e liceistit 15-vjeçar Bib Gjon Markaj, zbulohet në fund të hetimeve. Një telegram i datës 25 janar 1940 dërguar nga prefektura mbrëtërore në Tiranë për Ministrinë e Brendshme, njoftohen përfundimet e hetimeve rreth Bib Gjon Markajt, i cili mbahej i burgosur në burgun e Tiranës në pritje të daljes së përfundimeve të hetimeve.

Prefekti Zejnel Prodani saktëson se studenti Bib Gjon Markaj i ka vjedhur 1200 franga ari nga i ati i tij dhe më tej tregohet me hollësi edhe se si i ka përdorur ai këto para. Më tej, në fund të telegramit, nënvizohet se 15 vjeçari ishte nip i senatorit Gjon Marka Gjoni dhe se familja e tij zotëronte një pasuri rreth 425 napolonash.