Nipi rrëfen historinë e rrallë: Xhaxhai im, shok me Ataturkun, Ismail Qemali e emëroi shef, Zogu e dënoi me vdekje, Enveri e la të vdiste në mjerim...

Nipi rrëfen historinë e rrallë: Xhaxhai im, shok me Ataturkun, Ismail Qemali e emëroi shef, Zogu e dënoi me vdekje, Enveri e la të vdiste në mjerim...

Publikohet historia e panjohur e Ali Shefqet Shkupit dhe vëllait të tij, Naxhiut, me origjinë të herëshme nga familja Rusi e Dibrës së Madhe, ku disa degë të saj më pas erdhën dhe u vendosën në qytetin e Shkodrës dhe në Shkup, ku dhe lindën Aliu me Naxhiun. Shkollimi i Aliut në Akademinë Ushtarake të Stambollit ku ai ishte shok klase me Mustafa Qemalin, i cili gjatë një takimi që pati me të në Vienë, i propozoi që të kthehej në Stamboll, duke i ofruar disa funksione të larta në ushtrinë turke. Refuzimi i Ali Sheqeti për t’u rikthyer në Turqi dhe ardhja në Shqipëri pas thirrjes që u bëri Ismal Qemali disa patriotëve shqiptarë për të dhënë kontributin e tyre në ngritjen e shtetit të ri të porsaformuar. Dëshmia e Prof. Dr. Dëfrim Shkupit, për angazhimin e babait të tij, Naxhiut dhe xhaxhait, Ali Shefqetit, në detyra dhe funksione të ndryshme civile dhe ushtarake, duke dhënë kontributet e tyre në ngritjen dhe konsolidimin e shtetit të ri shqiptar. Pjesmarrja  e Ali Shefqeti në Revolucionin e Qershorit përkrah forcave fanoliste, dënimi me vdekje si organizator i Kryengritjes së Fierit, falja e jetës nga Zogu, si dhe vdekja në mjerim të thellë në regjimin komunist të Enver Hoxhës në vitin 1953, në qytetin e Shkodrës, pasi komunistët s’ia harruan qëndrimin e tij gjatë Luftës, ku ai kishte thënë, “Për musteqet e Stalinit, s’jap as një qen të ngordhur”!  

Vetëm disa muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, me propozim të Ministrit të Mbrojtjes, Mehmet Pashë Dërralla, kryeministri i qeverisë provizore, Ismail Qemali, emëroi të parin Shef të Shtabit të Ushtrisë Shqiptare, duke e dekretuar në atë funskion të lartë, Major Ali Shefqet Shkupin. Po kush ishte Ali Shefqeti, cila ishte origjina e familjes së tij, ku ishte shkolluar, dhe si erdhi ai në Vlorë? Cili ishte aktiviteti i Ali Shefqetit, pas rënies së qeverisë së Ismail Qemalit dhe asaj të Princ Ëied-it. Çfarë qëndrimi mbajti familja e tij gjatë periudhës së Monarkisë, asaj të pushtimit nazi-fashist, dhe gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës? Lidhur me këto dhe me gjithë historinë e panjohur të Ali Shefqetit dhe vëllait të tij Naxhiut, dëshmon për Memorie, nipi i tij 62 vjeçari Dëfrim Shkupi, Prof. Dr. dhe ish-Drejtor në Institutin e Kërkimeve Gjeologjike në Tiranë.

Origjina e familjes Shkupi

Ali Shefqet Shkupi, lindi në vitin 1883, në qytetin e Shkupit, në një familje tepër të njohur në atë trevë veri-lindore të Shqipërisë, e cila asokohe ishte në gjëndje tepër të mirë ekonomike. Kjo familje në ato vise, njihej si pasardhëse e një familjeje me origjinë nga Berisha e Rugovës (afër Pejës) me mbiemër “Rusi”. Gjatë periudhës së Skëndërbeut, në komandën e përgjithshme të tij, e cila përbëhej prej 12 kapedanësh (gjeneralësh) bënin pjesë dhe dy burra të njohur nga familja Rusi, që shërbyen pranë Heroit tonë Kombëtar dhe morën pjesë për vite me rradhë në shumë beteja përkrah tij. Nga ky fis e kanë prejardhjen edhe “Rusë”-t e Shkodrës, një fis i njohur në këtë trevë. Pas rënies së qytetit në duart e turqve, ata emigruan në Kalabri, ku edhe sot ata njihen me mbemrin “Rossi”. Një pjesë e tyre më vonë lanë Kalabrinë dhe u kthyen në Shkodër. Ndërsa një degë tjetër, po nga ky fis u shpërngul në Mirditë, Dibër, Bllacë, dhe Kërçovë. Në një periudhë të mëvonshme, këto familje u vendosën në qytetet e Tetovës dhe Shkupit, duke përfshirë këtu dhe familjen e Ali Shefqetit që mbajtën mbiemrin “Rusi”. Babai i Shefqetit, quhej Hysni dhe u lind në Shkup, ku familja e tij ishte një nga më të pasurat e atij qyteti dhe zotëronin mjaft prona. Pasi u shkollua në kryeqëndrën e Perandorisë Osmane, në Stamboll, ai u diplomua në Fakultetin Teologjik e më pas u kthye në vëndlindje, ku sa ishte gjallë, i’u përkushtua vetëm Teologjisë. Në rininë e tij Hyseni ishte martuar me një vajzë të quajtur Refika, e cila rridhte nga një familje shumë e pasur e Shkupit. Nga ajo martesë patën tre fëmijë, Aliun, Ismeten, dhe Naxhiun.

Ali Shefqet Shkupi, shok klase me Ataturkun

Ali Shefqeti mësimet e para i mori në Shkup, duke kryer shkollën fillore në vitin 1893 dhe më pas ai ndoqi shkollën ushtarake në Selanik, të cilin e mbaroi me rezultate të larta në vitin 1895. Pas kësaj, ai ndoqi një tjetër shkollë ushtarake në Manastir, të cilën e mbaroi në vitin 1899. Lidhur me këtë, Prof. Dëfrim Shkupi tregon: “Pas mabrimit të atyre dy shkollave ushtarake, xhaxhai im Ali Shefqet Rusi, fitoi të drejtën për të vazhduar Akademinë Ushtarake në Stamboll. Pas përfundimit të saj në vitin 1902, ai kaloi në Akademinë e Shtatmadhërisë të cilën e përfundoi në 1905. Në regjistrat e asaj akademie u shtua edhe mbiemri Shkupi, gjë e cila bëhej për të treguar se nga vinte studenti. Dhe që nga ajo kohë, ai mbiemër i mbeti Ali Shefqetit dhe familjes së tij. Ata kishin ardhur nga Selaniku dhe ishin vendosur në fundin e shek XIX, me banim afër shtëpisë së Mustafa Qemal Ataturkut, udhëheqësit të mëvonshëm të Turqisë. Që nga ajo kohë Aliu dhe Mustafai lidhën miqësi të ngushte mes tyre. Ndonëse Ataturku ishte dy vite më i madh, ata ndoqën të njëjtën shkollë ushtarake, ishin në të njëjtën klasë, dhe uleshin në të njëjtën bangë. Gjatë studimeve ata të dy u përfshinë në organziatën “Bashkim e Përparim” dhe për këtë fakt, shërbimi i fshehtë i Sulltanit, i arrestoi që të dy për ti liruar më pas për mungesë provash. Në vitin 1905, Ali Shefqeti u caktua oficer i Shtatmadhërisë në Ushtrinë e Rumelisë, me qëndër në Selanik. Në vitin 1908 Aliu, mori pjesë aktivisht në kryengritjen kundër sulltanit, së bashku me Mustafa Qemalin dhe pas fitores së asaj kryengritjeje, ai punoi si oficer në Garnizonin e Selanikut, deri në vitin 1910” tregon Dëfrim Shkupi.

Komandant i Garnizonit të Stambollit

Pas fillimit të karrierës së shkëlqyer ushtarake në rradhët e Portës së Lartë në Stamboll, ku Ali Shefqet Shkupi, shërbeu si oficer nëpër vilajete të ndryshme, ai mori dhe vlerësime të larta për punën e tij, personalissht nga Ministri i Mbrojtjes i asaj kohe. Lidhur me këtë, Dëfrim Shkupi tregon: “Siç më ka treguar babai im, Naxhiu, pas një karriere ushtarake në Selanik, xhaxhai im Aliu, u thirri nga Porta e Lartë, e cila i komunikoi transferimin si Komandant i Garnizonit të Stambollit, detyrë që do ta kryente deri në vitin 1912. Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Komiteti i Shpëtimit Kombëtar i bëri thirrje oficerëve shqiptarë kudo që ishin nëpër Europë, që të ktheheshin në atdhe, sepse duhej organizuar ushtria shqiptare, duhej mbrojtur shteti i ri, duhej luftuar për territoret e tjera, etj. Në përgjigje të asaj thirrjeje si shumë ushtarakë të tjerë shqiptarë të cilët i’u përgjigjën menjëherë thirrjes që i’u bë nga atdheu i tyre, dhe xhaxhai ynë Aliu, braktisi Stambollin. Ai shkoi në Rumani dhe pasi qëndroi për pak kohë, mori kontakte me disa patriotë të kolonisë shqiptare në Bukuresht. Më pas u nis drejt Austrisë dhe në vijim shkoi në Trieste, ku takoi një numër të madh patriotësh shqiptarë, si Faik Konica, Fan Noli, Hamdi Ohri, Dom Pjetër Tusha, Doktor Adhamudhi, Tef Curani, Pandeli Evangjeli, etj. Këta morën pjesë në Kongresin Kombëtar e organizuar atje në 2 deri 4 mars të vitit 1913. Ai kongres kishte si synim, konsolidimin e pavarësisë së Shqipërisë, vetëqeverisjen e saj, hapjen e shkollave shqipe, çlirimin e Kosovës dhe trojeve të tjera, etj”, rrëfem Prof. Dr Dëfrim Shkupi, lidhur me largimin e xhaxhait të tij nga Stambolli.

Shef i Shtabit të Ushtrisë Shqiptare në 1913-ën

Pas kongresit që u mbajt në qytetin e Triestes, Ali Shefqet Shkupi u orvat disa herë për të hyrë në Shqipëri, por ai arriti vetëm me 25 prill të vitit 1913, kur një anije austriake, e zbriti së bashku me disa oficer të tjerë, në grykën e Semanit, në një zonë kënetore që dikur kishte qenë pronë e familjes së madhe të Muzakajve. Lidhur me ardhjen e Ali Shefqet Shkupit në Shqipëri dhe karrierën e tij ushtarake si Shef i Shtatmadhorisë së Ushtrisë Shqiptare, nipi i tij, Prof. Dr. Dëfrim Shkupi, tregon: “Sapo arriti në Vlorë, Ali Shefqeti u prit me nderime të larta nga patriotët më të njohur shqiptar që ndodheshin në atë qytet, si dhe nga vetë kryeministri Ismail bej Qemali. Vetëm pas disa ditësh nga mbërritja e tij në Vlorë, me ndërhyrjen e Ministrit të Mbrojtjes, Mehmet Pashë Derallës, kryeministri Ismail Qemali e dekretoi Ali Shefqetin në funksionin e lartë të Shefit të Shtabit Madhor, të së parës ushtri shqiptare që sapo ishte krijuar. Pas marrjes së asaj detyre, në bashkëpunim me ndihmësin e tij, kapitenin Hysni Doko, menjëherë ai i’u vu punës për zmbrapsjen e trupave pushtuese serbo-greke nga territori shqiptar dhe ngritjen e piramidave në kufijtë që caktoi kongresi i fuqive të mëdha europiane në vitin 1913. Gjithashtu Aliu u morr njëherësh edhe me organizimin e të gjitha strukturave të ushtrisë, duke krijuar degët e armëve më të domosdoshme të saj dhe të policies”, shprehet Prof. Dëfrim Shkupi, për xhaxhain e tij Ali Shefqetin.

Konflikti me Esat Pashën

Bashkë me Ali Shefqetin, në fillimin e vitit 1913 u kthye në Shqipëri edhe i vëllai tij më i vogël, Naxhiu, i cili kishte lindur në vitin 1895, po në qytetin e Shkupit. Pasi kishte mbaruar shkollën fillore në atë qytet, në vitin 1904, Naxhiu ndoqi më pas shkollën qytetase të Selanikut, ku asokohe vëllai i tij, Aliu, kryente detyrën e Komandantit të Garnizonit. Atë shkollë ai e mbaroi në vitin 1907, dhe më pas ndoqi edhe tri klasë gjimnaz gjithashtu në qytetin e Selanikut, të cilat i mbaroi në vitin 1910. Po atë vit, Naxhiu u largua nga qyteti i Selanikut dhe shkoi në Stamboll pranë të vëllait të tij, Aliut, dhe një vit më vonë, në 1911-ën, u regjistrua në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Stambollit. Ai nuk arriti që të ndiqte më shumë se dy vite në atë fakultet, pasi i ndërpreu studimet, duke lënë gjithashtu edhe Stambollin, për t’u bashkuar me të vëllanë e tij, Aliun, që po përgatitej për t’u nisur për në Vlorë. Që nga ajo kohë, Naxhiu, i’u gjet pranë vëllait të tij, në të gjitha përpjekjet e tij të mëdha në organizimin ushtarak të shtetit shqiptar. Lidhur me këtë dhe karrierën ushtarake të Naxhi Shkupit, biri i tij, Prof. Dëfrim Shkupi, tregon: “Në vitin 1914 kur kryeqyteti i Shqipërisë u transferua nga Vlora për në Durrës, bashkë me të u transferua edhe Shtabi Madhor i Ushtrisë. Xhaxhai im, Ali Shefqeti, vazhdoi ta mbante detyrën e Shefit të Shtabit, ndërkohë që Ministër i Luftës ishte emëruar Esat Pashë Toptani. Gjatë asaj kohe Ali Shefqeti pati përplasje të shumta me Esat Pashën dhe ju kundërvu atij për shumë probleme, që nuk ishin në interesin e çështjes kombëtare. Pas arratisjes së Esat Pashës, Ali Shefqeti, së bashku me Bajram Currin, u angazhua në shpartallimin e forcave esadiste dhe të mbeturinave të tyre në zonën Tiranë-Durrës-Peqin. Në gusht të vitit 1914, filloi Lufta e Parë Botërore dhe pas largimit të Princit Vilhelm fon Vid nga Shqipëria, vëndi ynë u bë shesh betejash të ushtrive ndërluftuese. Në atë kohë Ali Shefqeti, me një grup oficerësh, kaloi në qytetin e Shkodrës dhe atje u arestua nga forcat malazeze, të cilat e dërguan në burgun e Podgoricës, së bashku me një grup patriotësh të tjerë shqiptarë. Në atë burg Ali Shefqeti qëndroi i izoluar deri në vitin 1913, kur u çlirua nga trupat austriake dhe në fillim të atij viti ai u kthye në Shkodër”, tregon Prof. Dr. Dëfrim Shkupi, lidhur me lirimin nga burgu të xhaxhait të tij, Ali Shefqet Shkupi.

Pas lirimit nga burgu ku e kishin futur malazezët, për shkak të një shqetësimi të vazhdueshëm nga një sëmundje e vjetër stomaku, Ali Shefqet Shkupi u detyrua të niset për Austri, me qëllim që të kurohej. Atje ai kaloi nga një spital në tjetrin, në Vienë dhe në Karlsbad (Karlovy Vary i sotëm, në Çeki). Për t’i qëndruar pranë Aliut gjatë kohës që ai ishte i shtruar në spitale, shkoi atje edhe Naxhiu, pasi të dy vëllezërit ishin shumë të lidhur me njeri tjetrin. Në atë kohë Naxhiu u regjistrua në Akademinë Ushtarake të Vienës në katedrën e organizim-intendencës, ku ndiqte studimet edhe Ahmet Zogu, Mbreti i ardhshëm i shqiptarëve, me të cilin Naxhiu kishte njohje të afërt. Duke qenë se në atë kohë lufta ishte e ndezur, praktikat mësimore bëheshin në vijën e frontit ruso-austro-hungarez, Naxhiu u dërgua për disa muaj me radhë, duke qenë pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në atë luftë, në anën austriake, ku kreu detyrën e shefit të armatimit të një korpusi. Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, në vitin 1919, Naxhiu mbaroi Akademinë në Vienë dhe u kthye në Shqipëri. Ai u vendos në qytetin e Tiranës, ku u ngarkua me hapjen e shkollës për përgatitjen e Aspirantëve, e cila ishte dhe e para shkollë ushtarake në Shqipëri, ku ai u caktua komandanti i saj me gradën e togerit”, tregon Prof. Dr. Dëfrim Shkupi, lidhur me xhaxhanë e tij Ali Shefqet Shkupi dhe të atin, Naxhiun.

Refuzon ofertën e Ataturkut

Gjatë periudhës të qëndrimit të Ali Shefqetit në Austri, në Vienë shkoi edhe Mustafa Qemali, i cili kërkoi të takohet me shokun dhe mikun e tij të vjetër, Ali Shefqet Shkupin. Lidhur me këtë, Dëfrim Shkupi rrëfen: “Takimi në mes dy miqëve të vjetër u bë në hotel “Imperial” dhe sipas dëshmive gojore të Ali Shefqetit, të regjistruara nga fëmijët e tij dhe të dy studentëve shqiptarë të asaj periudhe, Ahmet Demi dhe Zenel Hekali, të cilët atë ditë ndodheshin rastësisht pranë atij hoteli dhe ishin takuar me Aliun, Mustafa Qemali e ftoi shokun e tij të rinisë të kthehet në Turqi, e të punonin së bashku për rilindjen e një Turqie të re e modern. Ku në projektet madhështore të Ataturkut për të ardhmen, Ali Shefqetit mund t’i besohej detyra e riorganizimit dhe e drejtimit të ushtrisë së re turke. Por Ali Shefqeti e refuzoi atë ofertë, duke i thënë mikut të tij, se: i kishte vënë vehtes detyrë për t’u kthyer dhe për të kontribur në atdheun e tij në Shqipëri. Pas atij takimi, Aliu u nis për t’u kthyer në Shqipëri dhe me të mbërritur në Shkodër, ai u arrestuar nga francezët, pasi ishte në ballë të një demonstrate që populli i atij qyteti pati organizuar për largimin e trupave franceze nga Shkodra. Por Aliu nuk qëndroi shumë i arrestuar, pasi turmat e revoltuara të njerëzve rrethuan Konsullatën Franceze në Shkodër dhe nën presionin e tyre autoritetet franceze u detyruan ta lironin Aliun. Pas lirimit nga burgu, demonstruesit e mbajtën atë në krahë deri në shtëpinë ku banonte. Duke qenë se në atë kohë ai nuk ishte i angazhuar në jetën ushtarake, në vitin 1919, në bashkëpunim me gjeografin Ahmet Gashi, kompozoi hartën e detajuar etnike të trojeve shqiptare, të cilat ai i kishte shkelur vetë me këmbë. Atë hartë ai e përgatiti për t’a dërgua në Konferencën e Versajës, me qëllim për t’i shërbyer mbrojtjes së të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Por për fat të keq, delegati Mehdi Frashëri e humbi atë gjatë udhëtimit për në Paris. Shumë vite më vonë, më 1952-in, Ali Shefqeti riskicoi hartën e lartpërmendur, e cila sot ndodhet në Arkivin Qendror të Shtetit”, tregon Dëfrim Shkupi lidhur me xhaxhanë e tij, Ali Shefqetin, i cili refuzoi ofertën e Ataturkut për të shërbyer në ushtrinë turke.

Në mbrojtje të Kongresit të Lushnjes

Në fund të vitit 1919 dhe në fillim të 1920-ës, së bashku me shumë patriotë të tjerë, Ali Shefqeti u angazhua tërësisht për përgatitjet e Kongresit Kombëtar të Lushnjës që u mbajt në atë qytet nga 31 janari deri më 2 shkurt të vitit 1920. Pjesëmarrës aktiv në rrethimin e qytetit për të mbrojtur zhvillimin normal të punimeve të Kongresit, ishte edhe i vëllai i tij, Naxhiu. Në mes shumë vendimesh që u muarën në atë Kongres, ishte dhe ai për Ali Shefqetin, i cili u emërua sërish Shef i Shtabit të Ushtrisë Shqiptare, duke iu dhënë grada e nënkolonelit. Lidhur me këtë, nipi i tij, Dëfrim Shkupi, dëshmon: “Pasi u riemërua në atë detyrë, Aliu i’u përvesh punës duke organizuar një ushtri të të rregullt, me dekretin e rekrutimit, krijoi tre regjimente, vuri në zbatim shërbimin ushtarak të detyrueshëm dhe uniformën e re ushtarake. Në qershor të vitit 1920, ai organizoi dhënien e ndihmës qeveritare, me armë dhe ushqime, kryengritësve të Vlorës kundër pushtuesve italianë. Ndërkohë babai im, Naxhiu, pas krijimit të Shtabit të ri të Ushtrisë, u gradua kapiten i dytë dhe u caktua në seksionin e organizim-intendencës. Në vitin 1921, Aliu së bashku me komandantin e xhandërmarisë, Ali Fehmi Kosturin, morën pjesë në shtypjen e Kryengritjes së Mirditës, të udhëhequr nga Gjonmarkajt e Oroshit. Pas kësaj, nga Mirdita ai kaloi në fshatin Arras të Dibrës, ku ishte formuar Komiteti i Luftës kundër pushtuesve serbë, i përbërë nga oficerë kariere dhe patriotë të tjerë, si: Elez Isufi, Isuf Xhelili, Bajram Curri, Ramiz Daci, Ramiz Dibra, Zija Dibra etj. Në atë komitet ku ishin zgjedhur edhe Ali Shefqeti me Ali Fehmi Kosturin, ishte vendosur që të luftonin kundëra serbëve për jetë a vdekje, dhe nën drejtimin e tij, forcat shqiptare i thyen serbët duke i detyruar të tërhiqeshin nga rrethinat e Dibrës e nga Luma. Me t’u kthyer në Tiranë, në vitin 1922, Ali Shefqeti më vëllanë e tij Naxhiun, u rreshtuan në krahun e Elez Isufit, kundër Ahmet Zogut. Pas dështimit të kryengritjes së Elez Isufit, Zogu, në atë kohë Ministër i Brendshëm, e internoi Aliun në Gjirokastër. Më pas Aliu u burgos nga Zogu dhe në gjyq u kërkua dënimi i tij me vdekje. Kështu ai ndodhej në burg kur fitoi kryengritja e Fan Nolit e njohur ndryshe si Revolucioni i Qershorit i 1924-ës, dhe, si rrjedhojë e asaj lëvizjeje, u lirua e u bashkua me kryengritësit. Në atë kohë Ali Shefqeti qe caktuar kryetar i Komitetit Ushtarak të Qeverisë së Nolit”, dëshmon Prof. Dr. Dëfrim Shkupi, lidhur me xhaxhanë e tij Ali Shefqetin, i cili në Kryengritjen e Qershorit, u bashkua me forcat fanoliste.

Organizator i Kryengritjes së Fierit

Pas dështimit të Kryengritjes së Qershorit dhe largimit të Nolit nga Shqipëria, vëllezërit Shkupi nuk u larguan nga Tirana dhe për pjesmarrjen e tyre në atë kryengritje, Ali Shefqeti dhe Naxhiu, u internuan në Korçë, ku qëndruan nga viti 1925 deri në 1930-ën. Gjatë asaj kohe që ishin në Korçë, (në vitin 1928) Ali Shefqeti u martua aty me një vajzë të re me origjinë nga Kolonja, që quhej Ikbale, e cila ishte e bija e patriotit, Fetah Hysaj, korrierit të çetës së Çerçiz Topullit, që merrej me sjelljen e librave shqip në Korçë e Kolonjë, të cilat i dërgonin patriotët shqiptarë nga Sofia. Me ndërhyrjen e disa miqve nacionalistë, në vitin 1930, Ali Shefqeti u lejua të kthehej në Tiranë. Ndërsa i vëllai, Naxhiu, në vitin 1932, u emërua shef i Zyrës së Rekrutimit në Berat, me gradën kapiten i pare, të cilën e fitoi në periudhën e Qeverisë së Nolit kur punonte pranë Komandës së Përgjithshme. Për të siguruar jetesën, që nga viti 1928 kur ishte në Korçë, e më pas deri në vitin 1933 në Tiranë, Ali Shefqeti u detyrua të japë mësime frengjisht në disa shkolla të mesme, që nga Liceu i Korçës e deri te Medreseja e Tiranës. Në vitin 1934, në Tiranë u krijua një organizatë e fshehtë e cila kishte si qëllim rrëzimin e Monarkisë së Zogut, e cila drejtohej nga Ali Shefqet Shkupi, Ramiz Dibra dhe Ali Fehmi Kosturi, që të tre oficerë akademistë, miq të afërt me njeri tjetrin dhe me ide të ngjashme me ato të Mustafa Qemal Ataturkut. Por kryengritja që ishte organizuar prej tyre, plasi dy ditë përpara datës së caktuar, më 16 gusht dhe vetëm në një pikë, në Fier. Ajo u dekonspirua përpara se të fillonte dhe u shtyp nga forcat qeveritare besnike të Zogut. Krerët e saj u kapën dhe në shtatorin e 1935-ës u dënuan me vdekje. Lista e të dënuarve, u botua më 9 shtator 1935 në gazetën qeveritare “Besa”, dhe në krye të asaj liste ishte Ali Shefqet Shkupi. Dënimet ishin tepër të rënda dhe shkaktuan reagim të fuqishëm në Europë. Thuhet se protestat për lirimin e tyre i patën firmosur edhe Albert Ajnshtajni dhe Anri Barbys. Si rrjedhim, Zogu i zbuti dënimet duke i kthyer në 101 vjet burgim për drejtuesit kryesorë. Në kryengritjen e Fierit, përveç Ali Shefqetit, një rol tepër aktiv pati luajtur edhe i vëllai, Naxhi Shkupi.

Aliu nuk ndihmon komunistët

Nga fundi i vitit 1938, Mbreti Zog i hapi dyert e burgut dhe bashkë me të gjithë organizatorët e Kryengritjes së Fierit, liroi edhe Ali Shefqetin. Pas 7 prillit të vitit 1939, gjendja ekonomike e familjes ishte thuajse kritike dhe Ali Shefqeti vuajti edhe për bukën e gojës. Në vitin 1942, të dy vëllezërit, Ali Shefqeti dhe Naxhiu, u shpërngulen nga Tirana dhe u vendosën në Tetovë, e cila asokohe kishte kaluar nën administrimin e Shqipërisë. Lidhur me këtë, Dëfrim Shkupi dëshmon: “Në Tetovë babanë tim, Naxhiun, italianët e mobilizuan pasi ai ishte një ushtarak akademist dhe në tokat e sapobashkuara me Shqipërinë, të Kosovës e të Maqedonisë Perëndimore, kishte nevojë të ngutshme për kuadro. Ai u emërua shef i Degës së Rekrutimit me gradën kapiten i parë. Gjatë kryerjes së asaj detyre, ai rrezikoi të arrestohej pasi sistematikisht shmangte mobilizimin e të rinjve më të aftë, shqiptarë e maqedonas, në ushtrinë fashiste. Por ai mundi të shpëtonte duke u justifikuar, se nuk i njihte rekrutët. Nisur nga ato rrethana, Naxhiu me Aliun u detyruan të ktheheshin në Tiranë, ku në shtator të vitit 1944, gjermanët na kishin djegur shtëpinë ku banonim në rrugën e Kuka-jve, pranë Medresesë. Shkak për këtë gjë ishte bërë një aksion i ndërrmarrë atje nga disa partizanë të udhëhequr nga Safet Kurti, nipi i gruas së Naxhiut. Por pas nëntorit të atij viti, për herë të parë në jetën e tyre, Ali Shefqeti dhe Naxhiu u detyruan të ndaheshin nga njeri tjetri. Kështu babai im, Naxhiu, gjeti një strehë në Tiranë, kurse Ali Shefqeti shkoi në Shkodër. Duke qenë se Aliu njihej si antizogist, një nga komunistët e njohur të qytetit të Shkodrës, i shkoi atij në shtëpinë ku banonte dhe i tha që t’i jepte pesë franga si ndihmë për Lëvizjen. Por, Aliu iu përgjigj: “Për mustaqet e Stalinit, unë nuk jap as një qen të ngordhur”, dëshmon Dërfrim Shkupi, lidhur me refuzimin e Ali Shefqetit për të ndihmuar komunistët.

Vdekja e dy vëllezërve në mjerim

Në vitet e para të pasluftës, Naxhiu punoi si topograf me grupet e zbatimit të reformës agrare në Tiranë dhe më pas ai ushtroi disa nëpunësi të vogla deri sa doli në pension. Ndërkohë, Ali Shefqet Shkupi, i cili jetonte në qytetin e Shkodrës, më 26 dhjetor të vitit 1953, vdiq në mjerim të thellë ekonomik dhe i harruar tërësisht e i papërfillur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Si duket komunistët nuk ia kishin harruar “mustaqet e Stalinit”. Nëntë vjet më vonë, në vitin 1962, vdiq në Tiranë edhe i vëllai i tij, Naxhiu. Kështu e mbyllën jetën dy vëllezërit Ali dhe Naxhi Shkupi, të cilët vite të shkuara kishin dhënë kontributin e tyre për themelimin e forcimin e shtetit të ri shqiptar. Veç përgatitjes së gjithëanëshme ushtarake, ata ishin dy intelektualë eruditë me një formim të përgjithshëm perendimor dhe flisnin nga gjashtë gjuhë të huaja. Në bibliotekën e tyre prej shumë vëllimesh, që u dogj tërësisht bashkë me shtëpinë, gjendeshin edhe tri enciklopedi të mëdha: “Brockhaus”-i gjerman, “Larousse”-i i madh francez dhe enciklopedia turke. Ndonëse dy vëllezërit Shkupi përjetuan periudhat më të stuhishme të lindjes e të konsolidimit të shtetit të  ri shqiptar, me shumë ngritje-ulje, gjetën kohë e mundësi për t’u kulturuar e pasuruar njohuritë e tyre nga jeta dhe bota e madhe, gjë të cilën ata ia trasmetuan edhe fëmijëve të tyre që patën mundësinë të arsimoheshin e të jepnin kontributin e tyre në fushat përkatëse ku punuan, si në arsim, kulturë, gjeologji e diplomaci./Memorie.al

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Gege Kosova: 19/08/2020 11:34

    Nuk di pse nuk eshte shkruar e nuk shkruhet,apo ndoshta edhe eshte shkruar,por nuk kam pas rast te lexoj,se i ati i Qemail Stafes,ishte kadet bashk me Qemail,Ata Turkun ne Manastir dhe ishin "cimera"bashkbanues me Ata Turkun e mevonshem,Madje kur i lindi Qemaili(Qemail Stafa), i ati e pagezoj me emrin QEMAIL, ne nderim te bashkbanuesit te dikursshem ne shkollim ushtarak te Manastirit,Qemail, me vone Qemail Ataturku.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Akt sabotazhi në Baltik? BE kërcënon Rusinë me sanksione

Akt sabotazhi në Baltik? BE kërcënon Rusinë me sanksione