Nis asfaltimi i kilometrave të parë në bypass-in e Vlorës, Balluku: Objektiv, përfundimi në shkurt 2021 (VIDEO)

Ka nisur asfaltimi i kilometrave të parë në bypass-in e Vlorës, ndërsa synimi është që punimet të përfundojnë në shkurt të 2021. Aktualisht në këtë vepër ka nisur puna për hedhjen e shtresave bazike asfaltike dhe deri në fund të muajit korrik parashikohet të ketë përfunduar asfaltimi i afro 11.5 kilometrave.

Ministrja Belinda Balluku theksoi se bypass-i i Vlorës është një vepër shumë e rëndësishme, pasi janë 29 kilometra të vyera, të cilat do t’i bashkëngjiten pjesës tjetër që nis nga bypasss-i i Fierit të përfunduar tashmë, rrugës nga Levani deri në hyrje të Vlorës dhe duke vazhduar më pas me pjesën koncensionare nga Porti i Jahteve deri në Urën e Shën Elizës dhe shumë shpejt me tunelin e Llogarasë, për të cilin MIE ka lançuar garën për projektin inxhinierik të detajuar.

“I gjithë ky gjerdan infrastrukturor, i cili vihet në shërbim të jugut, duke filluar nga Vlora dhe duke përfunduar në Sarandë, së bashku me të gjitha punimet e rrugës Kardhiq-Delvinë, do të jenë një zhvillim infrastrukturor i rëndësishëm, por mbi të gjitha një nxitje ekonomike për të gjithë rajonin jugor të Shqipërisë, por sigurisht dhe për të gjithë vendin”, theksoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Sa i takon problematikave të evidentuara në këtë projekt, të cilat lidhen kryesisht me zonën e Kaninës, ministrja Balluku nënvizoi se përmes bashkëpunimit mes institucioneve qendrore dhe lokale si dhe dialogut me banorët e zonës, janë të gjitha mundësitë për t’i kaluar këto problematika në mënyrë që puna të vijojë pa asnjë ndërprerje.

“Duhet të përqendrojmë të gjitha forcat tek pjesa e mbetur e zonës së Kaninës. Sigurisht që nuk ka të bëjë shumë me kontraktorin, pasi kontraktori ka përmbushur jo vetëm kushtet, por edhe kërkesat plus, që komuniteti ka pasur aty. Kemi ndërtuar edhe një ujësjellës në shërbim të komunitetit, i cili do jetë gati në ditët në vazhdim, megjithatë duhet gjetur një zgjidhje për kërkesat apo problematikat që kemi hasur shpesh me shpronësimet në zonën e Kaninës dhe sigurisht me mbështetjen e bashkisë dhe të kryetarit Leli do mundohemi që t’ju krijojmë kushtet, për të ecur sa më shpejt në atë pikë atje, e cila krijon edhe problematika dhe vonesa”, deklaroi Balluku.

Bypass-i i Vlorës ka një gjatësi prej 29 kilometrash. Krahas shtrimit të shtresave asfaltike po punohet edhe për formimin e trupit të rrugës, ndërtimin e veprave të artit, ndërtimin e mureve mbajtës si dhe për vendosjen e tombinove. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho dhe kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, inspektuan ecurinë e punimeve në këtë segment.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Barcelona në telashe, humbet gjyqin për çështjen Olmo! Sulmuesi pritet të largohet falas

Barcelona në telashe, humbet gjyqin për çështjen Olmo! Sulmuesi pritet të largohet falas