Censusi i përvitshëm i shpendëve ka nisur në juglindje të vendit. Specialistët e zonave të mbrojtura dhe studiuesit prej së shtunës kanë nisur censusin në Prespë ndërsa të dielën numërimi i shpendëve nisi edhe në Liqenin e Pogradecit.
Studiuesit ngrenë shqetësimin se numri i shpendëve dimërues është ulur, ndërsa thonë se specie si “baltakët” prej 2 vitesh nuk ndeshen në liqen.
Përpos ndryshimeve klimaterike, faktori njeri është një ndër elementet që ka ndikuar negativisht ne uljen e numrit te shpendëve në liqenin e Ohrit.
‘Është dita e dytë që ne po vëzhdojmë dhe kemi vënë re që numri i individëve ka pësuar rënie ndërkohë që numri i specieve është i qëndrueshëm, duhet të marrim masa për mbrojtjen e habitateve siç është Liqeni i Pogradecit’, tha Spase Shunka, profesor dhe studiues.
Specialisti i zonave te mbrojtura Gani Bego tregon se ky census po kryhet nga të dyja anët e liqenit, ndërsa të dhënat përfundimtare pritet të hedhin dritë mbi numrin real të shpendëve në liqen.
‘Ky është census që po bëhet edhe në pjesën maqedonase të liqenit dhe gjatë javës do të dal edhe rezultati ekzakt dhe llojet përkatëse të shpendëve’, tha ai.
Prej vitit 2016 censusi i shpendëve është realizuar në liqenet e Prespës dhe Ohrit. Ndërsa këtë vit për të parën herë zhvillohet në rezervuarin e Moglicës dhe të Gjançit.