Kjo kompani është pajtuar nga qeveria për të ndihmuar të garantojë këtë vit rritjen me 1% të GDP-së së vendit vetëm nga doganat, por dhe për të përmirësuar imazhin e doganave.
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani deklaron se me reformimin e administratave fiskale si dhe bashkëpunimin me kompaninë britanike Crown Agents parashikohet që të ardhurat gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2014 të jenë 120 milionë dollarë më të larta krahasuar me 2013-ën.
Gjithashtu punonjësit e doganës do t'i nënshtrohen një trajnimi 3 mujor dhe më pas do i nënshtrohen një provimi.
Kryeministri foli për një proces transformimi të sistemit doganor që ndahet nga imazhi i doganave që Faik Konica përshkruan në veprën e tij "Doktor Gjilpëra", dhe shpreh besimin se bashkëpunimi me “Crown Agents” do të rrisë cilësinë e sigurinë doganore dhe do të vendosë një marrëdhënie të re mes doganës dhe biznesit.
Në ceremoninë e organizuar sot morën pjesë kryeministri Edi Rama, ambasadori britanik në Tiranë, Nicholas Cannon, ministri i Financave, Shkëlqim Cani dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali.
CANI: TE ARDHURAT E BUXHETIT DO TE RRITEN ME 120 MLN DOLLARE
"Nga ky bashkëpunim ne presim progres dhe rezultate më të larta. Vetëm në 6-mujorin e parë të ardhurat totale të buxhetit të shtetit kanë një pritshmëri për një rritje prej 120 milionë dollarë, në krahasim me 2013-ën. Synimi ynë është reformimi inovativ i institucioneve fiskale, një klimë më e mirë dhe e sigurtë për biznesin dhe një administratë e ndershme dhe e përgjegjshme me synim të qartë progresin e rritjen e ndjeshme të të ardhurave të buxhetit”.
SI DO FUNKSIONOJNE TETE GRUPE NE TERREN
Tetë grupe mobile në përbërje të të cilëve do të jenë edhe ekspertë të doganës shqiptare nisin sot punën në pikat kufitare. Do të ketë 450 kontrolle në muaj.
Sipas drejtuesit të projektit të kompanisë “Crown Agents” për asistencë në sistemin doganor shqiptar, David Smith agjentët e Crown do të dalin në terren për të identifikuar e zbuluar mashtrimin. Ata do të sjellin informacion drejt zyrës qendore në mënyrë që të përmirësohen e të hartohen politika e procedura të reja në bazë të të dhënave e informacionit të zbuluar.
"Do të punojmë me burimet njerëzore për të përkufizuar më mirë përshkrimin e punës, apo procesin e rekrutimit të personelit profesional doganor. Do të reduktojmë mundësinë që korrupsioni të ndodhë”, ka theksuar Smith.
Ekipet në pikat doganore do të hartojnë raporte javore për institucionin qendror.
“Përmes reformave synojmë të mbledhim më shumë të ardhura në një afat të shkurtër kohor dhe të ngremë kapacitetet, në mënyrë që të ardhurat të jenë të qëndrueshme në periudhë afatgjatë. Objektivat kryesore të programit tonë është të rrisim nivelin e mbledhjes së të ardhurave, të rrisim integritetin brenda administratës doganore dhe në bashkësinë e biznesit dhe të mbështesim ngritjen e kapaciteteve të
doganave në përputhje me kriteret për integrimin në Bashkimin Europian”, nënvizoi Smith.
Për të qenë efektivë Smith tha se duhet të bashkërendohet puna me të gjitha institucionet, por edhe me komunitetin e biznesit.
RAMA: TE GJITHE DOGANIERET NE PROVIM
Kryeministri foli për një proces trajnimi që do i nënshtrohen të gjithë doganierët dhe në fund do të vihen.
“Prill maj qershor të gjithë doganierët do i nënshtrohen këtij procesi të rritjes së kapacitetit njerëzor të dijes mbi gjithë praktikat dhe njëkohësisht strukturën e re të qasjes dhe sjelljes që kërkon për filozofinë e re doganore. Më pas të gjithë do i nënshtrohen një provimi. Të njëjtën gjë do të bëjnë edhe tatimet punonjësit e Agjencisë Kombëtare të Ushqimit dhe të gjithë punonjësit e këtij shtetit që kanë detyrimin t’i shërbejnë qytetarëve. Jam i bindur se pas 3 muajsh në fund të qershorit secila do të ndihet mirë me vendin e vet të punës dhe do të jetë shumë më i kualifikuar falë kësaj shkolle,” shtoi Rama.
RAMA: OPTIMIST, ME CROWN AGENTS DO TRANSFORMOJME SISTEMIN DOGANOR
“Jam shumë optimist, besim plotë dhe shumë i kënaqur që ky ndërveprim do të nisë 24 orë dhe grupet e përbashkëta të “Crown agents” dhe doganat do të nisin të jenë syri i publikut shqiptar në çdo pikë doganore për t’i dhënë fund procedurave të tejzgjatura qoftë vjetërsi e defektesh sistemi që i kanë humbur besueshmërinë doganës tonë “- vlerësoi kryeministri Rama, në ceremoninë që u organizua sot në degën e doganës së Tiranës.
Kryeministri foli për një proces transformimi të sistemit doganor që ndahet nga imazhi i doganave që Faik Konica përshkruan në veprën e tij "Doktor Gjilpëra", dhe shpreh besimin se bashkëpunimi me “Crown Agents” do të rrisë cilësinë e sigurinë doganore dhe do të vendosë një marrëdhënie të re mes doganës dhe biznesit.
“Jemi në procesin e një transformimit rrënjësor e historik. I kemi besuar ndarjen e barrës së kësaj sfide me "Crown Agents" e cila ka një histori suksesi në vende që përpara nesh kanë ndërmarrë reforma të thella të doganave në përpjekjeve për të ecur më shpejt në rrugën drejt BE-së. Marrëdhënia dhe ndërveprimi me Crown Agents është shtysë e re kundër tërbimit tradicional në xhepat e biznesit, tërbimit kërkonjës për të mbushur arkat e shetit kur kryeministri duhet të dalë të thotë se ka realizuar planin, përmes gjobave," tha Rama.
CROWN AGENTS U KONTRAKTUA NE NENTOR PER 8.5 MLN EURO
“Crown Agents” agjencia britanike u kontraktua nga qeveria Rama në muajn nëntor për asistencë doganore. Kjo kompani u prezantua më 27 janar të këtij viti.
Ekipi prej 15 pjestarësh nën drejtimin e David Smith do të punojë duke pasur në fokus një administrim më të mirë të punës në dogana, luftën e korrupsionit dhe rritjen e të ardhurave për llogari të qeverisë shqiptare.
Qeveria shqiptare do t’i paguajë kompanisë britanike “Crown Agents”, 8.5 milionë euro për shërbimin dyvjeçar te asistencës që ajo do u ofrojë doganave. Sipas kontratës, shuma, do të lëvrohet në dy vjet. Por marrëveshja parashikon se kjo pagesë mund të ulet deri në 25 për qind, nëse kompania britanike nuk sjell rezultatet në rritjen e të ardhurave, për të cilat palët kanë rënë dakord.
‘Crown Agents’ do të ndërmarrë sipas kontratës 450 kontrolle në muaj dhe po sipas kontratës, do të na ndihmojë që të garantojmë këtë vit rritjen me 1 për qind të GDP-së së vendit nga të ardhurat e doganave. Në kontratë janë përcaktuar gjithashtu edhe të drejtat dhe detyrimet e palëve. Sipas saj, “Crown Agents” do të asistojë personelin e administratës doganore në analizën e informacioneve doganore. Po kështu kompania britanike do të asistojë edhe personelin e administratës doganore që kryen funksione hetimi, kontrolli dhe verifikimi. Marrëveshja do të ketë një afat prej dy vitesh, me opsion rinovimi për vitin e tretë
Ambasadori britanik e cilësoi përzgjedhjen e Crown Agents si mënyrën më efektie për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve dhe qeverisë shqiptare. “Jemi të nderuar që qeveria përzgjodhi këshilltarin anglez. Jam i bindur që ky projekt ka për të qënë i sukseshëm”, deklaroi ai.
Redaksia online
(Suela Gera/Shqiptarja.com)