Në vend ka nisur fushata e vaksinimit kundër gripit sezonal. Lajmin e ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë në një postim në rrjetet sociale.

“Vaksina është një nga masat më efektive për të ulur rrezikun për tu sëmurur rëndë dhe shmangur komplikacionet nga gripi, sidomos te personat më të rrezikuar. Vaksinimi rekomandohet për të gjithë nga mosha 6 muajsh e lart”, thuhet në njoftim.

Përparësi për vaksinimin kanë: personeli shëndetësor, personat me sëmundje kronike (të zemrës, të frymëmarrjes, diabet, SPOK etj.), të moshuarit mbi 65 vjeç, banorët dhe stafi i institucioneve të kujdesit afatgjatë, gratë shtatzëna, fëmijët e vegjël dhe fëmijët me sëmundje kronike, mësuesit dhe edukatorët e kopshteve e çerdheve, personeli i ushtrisë dhe i policisë.

Në fund të postimit Ministria e Shëndetësisë apelon që të gjithë qytetarët të bëjnë vaksinën, jo vetëm për të mbrojtur veten e tyre por edhe familjarët.

"Kontaktoni mjekun tuaj të familjes ose qendrën shëndetësore për t'u vaksinuar. Vaksinohu për veten, familjen dhe komunitetin. Vaksinat shpëtojnë jetë!", thuhet në postim.