/ATSH-Z.Tosku/- Nis fushata sensibilizuese 'Si je" për programin e kontrollit mjekësor bazë pa pagesë për popullatën 40-65 vjec. Ministria e Shëndetësisë ka lancuar fushatën ndërgjegjësuese dhe informimit publik për kontrollin mjekësor falas.

Kjo fushatë u drejtohet së pari, të gjithë shtetasve të grupmoshës 40-65 vjeç me qëndrim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë. Emrat janë të identifikuar nga të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të regjistrit elektronik që administrohet nga mjekët e përgjithshëm të qendrave shëndetësore. Ndërsa grupi dytësor i synuar i saj, janë të rinjtë, prindërit, familjet, institucionet publike qeveritare dhe joqeveritare, si dhe publiku i gjerë.

Në mbëshetje edhe të nismës botërore të OBSH-së, "Shëndeti 2020", që synon mbrojtjen e popullatës nga kërcënimet mbi shëndetin, vjen edhe kjo fushatë ndërgjegjësuese. Çdo individ, sado i shëndetshëm, në një etapë të caktuar të jetës së tij, është i rrezikuar nga sëmundjet, si ato të zemrës dhe enëve të gjakut, goditjet ne tru, diabeti, sëmundjet e veshkave, disa forma të demencës, depresioni, etj.

Sëmundjet kronike jo të transmetueshme, veçanërisht ato kardio-vaskulare dhe tumorale, janë shkaktarët më të mëdhenj të vdekshmërisë në Shqipëri. Ato janë sëmundje që kanë në bazë të tyre një menyre jo të shëndetshme jetese, prandaj është thelbësore që të mund të parandalohen duke u kapur në kohë e duke ndikuar në edukimin shëndetësor të popullatës për një jetese te shëndetshme. Kjo fushatë u vjen në ndihmë parandalimit dhe kurimit të sëmundjeve për të ofruar falas kontroll mjekësor, sidomos për shtresat në nevojë.

Në një masë dërmuese, barra e sëmundshmërisë në Shqipëri përcaktohet nga tre faktorë madhorë të rrezikut: ushqyerja jo e shëndetshme, presioni i lartë i gjakut dhe konsumi i produkteve të duhanit. Individët e grupmoshës 40-65 vjeç kanë rrezik më të lartë për një sërë gjëndjesh shëndetësore jo të favorshme dhe pikërisht këta individë do të kishin përfitimin maksimal nga zbulimi i hershëm i sëmundjes së tyre.

Shfaqjen e këtyre sëmundjeve mund ta favorizojnë edhe disa faktorë të tjerë që lidhen me mënyrën e jetesës, stresin, trashëgueshmërinë familjare, etj.