Ministria e Bujqësisë ka nisur hartimin e Skemës Kombëtare për vitin 2026-të, pasi mbylli turin e konsultimeve me fermerët. Në të 12-të qarqet e vendit u zhvilluan takime me qëllim që skema e këtij viti të vijë me ndryshime si përgjigje e kërkesave dhe shqetësimeve që fermerët kanë prej vitesh.
Edhe pse skema ende nuk është finalizuar, pritet të ketë ndryshime në mënyrën se si disbursohet financimi për naftën por edhe rishikimin e kritereve në blegtori, në mënyrë që të rritet numri i përfituesve edhe tek blegtorët.
Për të mbështetur fermerët si në prodhimet bujqësore ashtu edhe në shtimin e fermave apo prodhimeve blegtorale, në buxhet janë parashikuar për skemën kombëtare 52 milionë euro, por kjo shifër pritet të rritet me aktet normative që do të ketë edhe buxheti i këtij viti.
Kurse për vitin që lamë pas mbështetja për këtë skemë u rrit në 64 milionë euro me aktin normativ të dhjetorit 2025, në mënyrë që të mbylleshin pagesat për të gjithë fermerët përfitues të skemës.
Mbështetja financiare nga buxheti i shtetit është burimi kryesor i financimit për bujqësinë shqiptare, në kushtet kur bankat vijojnë të jenë dorështrënguar për këtë sektor. Pavarësisht garancisë sovrane prej 30 milionë euro të miratuar vjet nga qeveria që parashikonte marrje kredie pranë bankave me normë interesi 2%, dhe me garanci shtetërore 70%, shifrat e bankës së Shqipërisë tregojnë se vjet u dha më pak hua për bujqësinë shqiptare.
Gjatë 2025-ës janë dhënë në total për bujqësinë 26.4 milionë euro hua, nga 27.2 milionë euro që ishte vlera në vitin 2024. Kjo tregon se financimi i bankave për sektorin që kontribuon me 15% në Prodhimin Kombëtar është më pak se 1% e totalit të huave të reja që u disbursuan vjet.
Ndihmë për sektorin këtë vit pritet të jetë edhe Banka Shqiptare e Zhvillimit që do të ketë në fokus financimi i biznesit të vogël, start-up, kreditimin e eksportuesve dhe prodhuesve, që konsiderohen si sektorë të nënfinancuar.
Ndërkohë gjatë këtij viti pritet zhbllokimi i fondeve të IPARD III që u bllokuan në 2023-shin për shkak të parregullsive dhe abuzimeve me IPARD II. Ministri i Bujqësisë ka njoftuar se më 9 mars do të shkoj në Bruksel ku do të ketë diskutime për hapjen e IPARD, në vjeshtën e këtij viti.
Komente









