Eksperti i Bujqësisë, Ilir Pilku, ka folur për pasojat e përmbytjeve nga reshjet e shiut në fillim të muajit janar, të cilat kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në bujqësi.
I ftuar në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv, ai tha se zonat e Bashkisë së Dimalit janë më të prekurat. Sipas tij, këto zona kanë rreth 500 hektar sera, ku dëmi financiar vlerësohet 8 deri në 10 milionë euro.
‘Vlerat ushqyese të tokës zbresin poshtë nga përmbytja. Kështu që fermerët do të duhet që të harxhojnë më shumë para për plerimin në mënyrë që ta kthejnë tokën në atë nivel që ka qenë, në lidhje me përmbajtjen e vlerave ushqyese të tokës. Atëherë duhet të themi që janë tre aktivitete më kryesore që janë të prekura nga përmbytjet, dhe kryesisht është zona e bashkisë së Dimalit.
Kryesisht është ajo zonë ku ka një zhvillim shumë të madh prodhimi i perimeve në sera. Pra, po të marrim Goriçan, Somaticë, janë rreth afërsisht 500 hektar sera. Po të bëjmë një përllogaritje, ajo që unë kam nxjerrë si vlerë financiare është afërsisht rreth 8 deri në 10 milionë euro vetëm në serat e kësaj zone. Pastaj kuptohet që janë edhe parcela me mandarina, sipërfaqet me perime në fushë të hapur, dhe është ajo pjesa tjetër pastaj toka që ka qenë e kultivuar me grurë', tha ai.
Pilku tha se edhe në sektorin e blegtorisë dëmi është i madh në bazë ushqimore të kafshëve.
'Pastaj vijmë tek blegtoria që ka dëm, dhe kryesisht shumë nuk është numri i lartë në krerë, por është i lartë në bazë ushqimore. Pra, uji ka marrë bazën ushqyese të pothuajse të gjithë këtyre zonave të blegtorisë. Fatura është e lartë. Fatmirësisht, të paktën nuk kemi dëme në asete’, tha ai.
Fermeri Alush Musta ka deklaruar se ka pësuar dëme të mëdha nga përmbytjet. Musta theksoi se nuk është bërë një analizë e mirëfilltë e dëmeve.
‘Jo, jo. Absolutisht nuk jam vetëm unë i dëmtuar. Ka dhe shumë të tjerë si puna ime. Po unë e kam thënë dhe herë tjetër, unë kam sipërfaqen më të madhe dhe u dëmtova më rëndë. Domethënë duhet ta mblidhje, dhe fuqia e krahut, punëtorit është shumë e dobët në Shqipëri, që po na ikin rinjtë dhe pleqtë kanë ngelur vetëm. Reagimet, jo, se kanë qenë keq, po unë do bashkohem me profesorin siç tha që duhet vlerësuar dëmi.
Po këtu është dëmi i madh që ishte pa vjelë. Ata vijnë, shëndojnë emrat, edhe ikin. Pra, nuk është një analizë e mirëfilltë, thjesht duhet që të ketë një komision që të vlerësojnë siç vlerësohet se i kemi parë dhe në Greqi e kudo’, tha ai.
Një fermer nga zona e Dimalit në Berat, Alush Musta, i cili ka pësuar dëme të mëdha nga përmbytjet ka shkuar në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv me çizme.
Fermeri thotë se fermerët më të prekur nga derdhjet e lumenjve nuk po mund t’i heqin më ato, pasi nuk hyjnë dot as të vjelin as të punojnë në toka.
Musta tregoi se ai ka pësuar dëme në agrume, konkretisht në mandarina, me një sipërfaqe prej rreth 3 hektarësh.
Pjesë nga biseda në studio:
Gazetari: Alush, të përshëndes. Mund të vini? Ndërkohë që keni zgjedhur një formë ndryshe të të paraqiturit në studio me çizme. Pse?
Fermeri: Po ne kemi zgjedhur me çizme për arsye se jemi fermerët më të prekur në derdhjet e lumenjve dhe për arsye të kësaj çizmet nuk po na hiqen më, po na rrinë veshur, se nuk hynë dot as të vjelësh as të bësh. Është një situatë katastrofe që nuk mund të vish të shikosh sikur ka rënë bomba atomike.
Gazetari: Në çfarë zone jeni ju?
Fermeri: Unë jam në zonën e urës Vajgurore, se të tërë thonë Dimal, po tabela thotë Ura Vajgurore atje, nuk thotë Dimal.
Gazetari: Çfarë dëmi keni konkret?
Fermeri: Unë jam dëmtuar te agrume, te mandarina.
Gazetari: Sa është dëmi? Çfarë sipërfaqe?
Fermeri: Dëmi është 3 hektar, 1.500 rrënjë dhe dëmi kalon nga 1.200 kuintal.
Komente










