Ish-drejtuesi i lartë i Policisë, Shemsi Prençi, ka kërkuar që Parlamenti t’i heqë imunitetin Belinda Ballukut, në mënyrë që ajo të përballet me drejtësinë.
Komentet Prençi i bëri në emisionin ‘5 Pyetjet nga Babaramo’ në Report TV, ku tha se për Ballukun ka dhe do të dalin edhe në vazhdim prova të reja, pasi sipas tij, ajo është e ‘zhytur’ në korrupsion.
Ai shtoi gjithashtu se masa e pezullimit nga detyra të Ballukut e kërkuar nga SPAK është plotësisht në përputhje me ligjin.
“SPAK dhe Gjykata e Posaçme kanë marrë vendime në përputhje me ligjin, duke i pasur parasysh këto aspekte ligjore dhe kushtetuese. Prandaj Kushtetuesja vajti në një vendim me mos-vendim, pavarësisht se ai shumë shpejt do të zbardhet dhe te interpretimi do të dallojmë qartë çfarë ka gjetur Gjykata Kushtetuese. Pezullimin si masë sigurie e ka ekskluzivitet vetëm Gjykata dhe jo kryeministri. Kjo do të thotë që Gjykata nuk i ka shkelur në kompetencat e pushtetit ekzekutiv.
E dyta, parlamenti ka një detyrim për t’ia hequr imunitetin dhe për ta bërë qytetare të lirë zv.kryeministren, sepse pavarësisht se ata nuk gjykojnë mbi bazën e provave, deputetët e parlamentit, ata duhet të njihen me sa prova dhe çfarë materialesh ka në ngarkim Balluku. Po sikur nesër, Belinda Ballukut t’i komunikohet një akuzë tjetër për pastrim të produkteve të veprës penale dhe me të drejtë do insistojë SPAK për heqjen e mandatit dhe mund të kalojmë te një masë më e shtrënguar, për të shkuar te arresti me burg apo arresti i shtëpisë. Për këto dy masa dhe kontrollin personal dhe të shtëpisë është e përjashtuar Balluku dhe ato nuk e kanë prekur në këto 2 pika. Nesër pritet të dalin shumë gjëra. Dosja e Ballukut është kryekëput korrupsion dhe pastrim parash. Jo vetëm, por me disa biznesmenë”, tha mes të tjerash Prençi.
Prençi foli edhe për dosjen e AKSHI-t për të cilën tha se ka prova të forta për korrupsion, teksa akuzoi kryeministrin Edi Rama se nuk po qeveris, por sipas tij, po drejton një grup hajdutësh.
“Kryeministri nuk ka pse bën të paditurin. Ai tani është bindur se nuk ka drejtuar një qeveri, por një grup hajdutësh. Një grup kriminal që ka vjedhur Shqipërinë. Rama duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve, që me provat e dosjes së AKSHI-t nuk drejton një qeveri, por një bordello. Është menaxher i një burdelloje”, tha mes të tjerash Prençi.
Lajmi kryesor:
Spahiu: PS do ndryshojë Kodin e Procedurës, për të kufizuar pezullimin nga gjykatat të ministrave! Prençi: Kuvendi t'i heqë imunitetin Ballukut












