Kryetari aktual Hashim Thaçi nuk ka kundërshtar në garën për kryetar. Gjatë punimeve pritet të bëhen ndryshime në statut dhe në program. Një prej tyre, është edhe ndryshimi i emërtimit të Kongresit në Konventë Zgjedhore.
Për rreth dy orë sa zgjati pjesa solemne e Konventës së Gjashtë të PDK-së, përveç drejtuesve të partisë, folën edhe më shumë se 20 përfaqësues të subjekteve politike nga të gjitha trojet shqiptare, ndër të cilët kreu i Partisë Socialiste Edi Rama, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, Gerti Bogdani në emër të Partisë Demokratike.
Bashkimi kombëtar zuri vend në shumicën e fjalimeve. Kreu i Partisë për Progres Demokratik nga Lugina e Preshevës, Ragmi Mustafa, teksa i uroi Thaçit edhe një mandat në krye të partisë dhe të Qeverisë, uroi që sikur që ka qenë nënshkrues i pavarësisë së Kosovës, të jetë së shpejti edhe nënshkrues i bashkimit kombëtar.
“Uroj që në mandatin e ardhshëm të jetë nënshkruesi i parë gjithashtu i bashkimit kombëtar”, tha Mustafa
Ndërkaq, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama tha se ideali i bashkimit është në përmbajtje po ai që kanë pasur breza të tëra, porse tani me mjete dhe me rrugë të reja.
“Ragmiu vuri një afat shumë të shpejtë. Unë nuk e di se kur do të jetë, por unë nuk kam pikën e dyshimit se Hashim Thaçi dhe ju do të jeni aty kur të firmoset dhe ai akt final që kurorëzon bashkimin tonë si një komb evropian në Evropën e bashkuar, si ato dy kokat e shqiponjës, që nuk mund të jenë veçse në të njëjtin trup”, tha Rama.
Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i PDK-së, Hashim Thaçi, duke folur para të pranishmëve, tha se bashkimin kombëtar e kanë vulosur heronjtë e lirisë nga Ismail Qemali deri te dëshmorët e UÇK-së. Thaçi tha se bashkimi kombëtar do të ndodhë në BE, ndërsa u zotua se Kosova do të jetë gardian i të drejtave të shqiptarëve.
“Shteti i Kosovës dhe unë do të vazhdojmë të mbesim gardian të të drejtave të shqiptarëve, në Maqedoni, në Preshevë dhe kudo në ish Jugosllavi”, tha Thaçi.
Thaçi falënderoi gjithë bashkëpartiakët për bashkëpunimin e vazhdueshëm, ndërsa nuk harroi ta përmend nënkryetarin e parë të PDK-së, Fatmir Limaj, i cili po mbahet në paraburgim, nën akuza për krime lufte.
“Në momente të caktuara janë larguar padrejtësisht nga puna e përbashkët edhe bashkëpunëtorët e mi, bashkëluftëtarët e mi dhe tuaj, si Fatmir Limaj dhe shokët e tjerë, por, gjithmonë kemi besuar në drejtësi, në Zot, në të ardhmen dhe në pafajësi”, tha Thaçi.
Ndër të tjera, Thaçi tha se PDK-ja nuk është lodhur me qeverisje dhe se do të vazhdojë ta qeverisë Kosovën edhe në të ardhmen.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci u shpreh se shtyrje të Kongresit nuk ka mundur të ketë për shkak se vendimi ka qenë për 26 janar dhe ai duhet të respektohet, ndërkohë ka shprehur keqardhje për mungesën e Limajt, për të cilin ka thënë se gjithsesi është në mesin e PDK-së.
Pjesë e kongresit do të jetë raporti i punës, raporti i institucioneve të vendit dhe raporti financiar. Do të ketë, po ashtu, propozime për ndryshime në statut dhe në program, për të cilat duhet të vendos kongresi. Partia Demokratike e Kosovës nuk ka mbajtur zgjedhje të rregullta që nga viti 2005. Konventa zgjedhore e PDK-së do t’i vazhdojë punimet të dielën, ku priten të zgjidhet kryetari dhe Këshilli Drejtues i PDK-së.
Redaksia online
(rtk.eç/shqiptarja.com)