AFRIKA JUGUT- Nis sot në Pretoria të Afrikës së Jugut, i ashtuquajturi, "procesi i shekullit", ndaj atletit afrikano-jugor Oscar Pistorius. Atleti akuzohet për vrasjen e të fejuarës së tij, modelen Reeva Steenkamp, gjë të cilën ai e ka mohuar që në fillim të kësaj ngjarje, duke e cilësuar si një vrasje aksidentale dhe jo të qëllimshme. 

Media nga e gjithë bota, janë mbledhur përpara Gjykatës ku do të zhvillohet procesi dhe në sallë, përveç Pistorius, i cili rrezikon gati 25 vite burg, është edhe mamaja e modeles që humbi jetën e cila është shprehur se është e gatshme për të falur personin që vrau vajzën e saj, nëse ai do e `shihte në sy`. 

Sipas mediave britanike, procesi do të vijojë pothuajse 3 javë dhe për Sky News, do të jenë thelbësore të dhënat që do të jepen nga ekspertët mjeko-ligjor, pas natës tragjike në të cilën Pistorius hapi zjarr drejt të fejuarës së tij, natën e 14 shkurtit të vitit 2013-të. Pistorius e ka pranuar se ka shtënë me pistoletë, por ka qenë një gabim, pasi mendonte se në shtëpi kishte hyrë një hajdut.
Ndërsa përsa i përket akuzës, ka qenë një vrasje me dashje, që erdhi si pasojë e një grindjeje mes çiftit. Pistorius deri në dhënien e një vendimi përfundimtar nga Gjykata, është në liri të kushtëzuar.

Redaksia Online
(ak/Shqiptarja.com)