TIRANË- Kërkesën e SPAK për arrestimin e deputetit socialist, Alqi Bllakos lidhur me aferën e inceneratorëve, kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si një përgjigje e qartë për të gjithë ata që nuk besonin në një Reformë në Drejtësi. Kjo kërkesë, sipas Ramës, është tregues i qartë që kjo reformë funksionon dhe se politika nuk është mburojë për askënd.

Në një prononcim për gazetarët pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së PS-së, kreu i qeverisë përsëriti se përgjegjësia është individuale dhe se tashmë nuk ka politikanë të privilegjuar, por janë të gjithë të barabartë para ligjit. Në aspektin njerëzor, Rama u shpreh se ndjen keqardhje, por në nivelin e detyrës sheh rezultatet e asaj që është bërë në Reformën në Drejtësi, e ndërsa shtoi se kush punon në shtet dhe vjedh për xhepin e vet, nuk ka të bëjë me programin e qeverisë, por me cenimin e ligjit.

Sipas Ramës, kush përdor detyrën shtetërore për përfitim personal, do të përfundojë aty ku vite më parë nuk ja priste mendja. Sa i takon ndryshimeve në qeveri, kryeministri Rama tha se nuk ka arsye për të pasur ndryshime në kabinetin qeveritar. I pyetur nëse do të bashkëpunoj me Sali Berishën, Rama u përgjigj shkurt: 'Unë flas për gjallët ju për të vdekurit'.

Deklaratat Rama i bëri pas 1 orë  e 30 minuta mbledhje të kryesisë, fokusi i të cilës ishte punimi i kongresit të 9 prillit, rezultatet e këshillimit kombëtar dhe puna për përzgjedhjen e kandidaturës së presidentit të ri.

Sipas SPAK, deputeti Alqi Bllako akuzohet se ka përfituar 15 milionë lekë duke falsifikuar dokumente shpronësimi për një tokë që nga arë e ktheu në truall, mbi të cilën do ndërtohej inceneratori i Fierit. Kjo shkelje, thotë Prokuroria e Posaçme, është bërë në bashkëpunim me ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe kryetarin e shpronësime, Pëllumb Abeshi. GJKKO ka dhënë masat e sigurisë për 9 persona të përfshirë për aferat me inceneratorët. Në burg  prej javësh ndodhet  ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:24
A do të bashkëpunojë me Berishën nëse vjen në krye të PD? Rama: Unë flas për të gjallët e ju për të vdekurit

Kryeministri Edi Rama në fund të mbledhjes së kryesisë, është pyetur nëse do të bashkëpunojë me Berishën nëse vjen në pushtet qoftë edhe për emrin e presidentit të ri.

Kreu i qeverisë ka preferuar mos i përgjigjet, ndërsa me ironi është shprehur: “Unë flas për gjallët ju për të vdekurit”.

Ora 19:09
Arrestimet e SPAK, Rama paralajmëron: Mësohuni t’i besoni, do shihni më tepër

Kryeministri Edi Rama në një prononcim për gazetarët tha se persona që bëjnë punën e shtetit, e që më pas vjedhin për xhepat e tyre nuk kanë lidhje me programin e qeverisë, por me cenimin e ligjit.

'Persona që përveçse bëjnë punën e Shtetit, bëjnë edhe punë të xhepit të tyre, kjo nuk ka lidhje me programin e qeverisë. Kjo ka lidhje me një cenim të ligjit. Në rast se drejtësia e nxjerr në pah do të thotë se jemi të gjithë shumë të kënaqur. Kush përdor detyrën shtetërore për një përfitim personal do të përfundojë aty ku askujt s'ja priste mendja se do të përfundonte. Do të shihni shumë më tepër akoma, mësoni që ti shihni këto ndryshime.'- tha Rama.

Ora 19:04
Rama mohon riformatim të qeverisë: S’ka arsye për të bërë ndryshime

 

S’ka arsye që të ketë ndryshime në qeveri. Kështu ka deklaruar kryeministri Edi Rama pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë.

“S’ka arsye pse të ketë”, iu përgjigja Rama pyetjes së bërë nga gazetari i Report Tv, Ermal Qori.

Ora 18:52
SPAK kërkon arrestimin e Alqi Bllakos, reagon Rama: Përpara ligjit jemi të gjithë të barabartë! S'ka mburoja politike në drejtësi

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të para pas kërkesës së SPAK për arrestimin e Alqi Bllakos. Rama tha se përgjegjësia përpara ligjit është individuale dhe se tashmë Reforma në Drejtësi po tregon se ka ardhur dita që nuk ka mburoja politike përballë drejtësisë.

'Deputetët janë të popullit individët janë të vetes dhe përpara ligjit nuk ka deputet nuk ka ministra nuk ka politikanë nuk ka të fortë nuk ka të privilegjuar janë të gjithë të barabartë. Habitem që ka nevojë për të tilla pyetje, ndërkohë që gjithçka po ndodh është përgjigja për të gjitha ata që nuk besonin se në Shqipëri do të bëhej një reformë në drejtësi, se do të vinte dita që edhe njerëz me imunitet, me pushtet do të shkonin para drejtësisë. U morëm me shumë vendosmëri, së bashku me PS e kemi udhëhequr dhe vazhdojmë të mbështesim reformën në Drejtësi. Reformimi i drejtësisë të bëjë të pamundur që të ketë një Shqipëri të drejtë për të gjithë. në nivelin personal dhe njerëzor jam shumë i keqardhur. Në nivelin e  detyrës i shoh këto që ndodhin si rezultat i asaj që kemi bërë.

Nuk ka përgjegjësi kolektive në sistemin demokratik. Zgjedhjet e njerëzve në jetë, të njerëzve me të cilët lidh jetën, zgjedhjet e njerëzve bazohen mbi një sërë arsyesh dhe kriteresh, të cilat nuk prezumojnë për askënd se kush zgjedh është përgjegjës, nëse në një moment shkel ligjin. Për këtë arsye gjërat janë të ndara.'- tha kryeministri.