'Territorialja'/ Mazniku: Të bashkohet Vora dhe Kamza me Tiranën! Kapllanaj: Të marrë fund dhënia e financave sipas dëshirave të Ramës

TIRANË- Bashkia e Tiranës kërkon zgjerimin e saj drejt Kamzës e Vorës. Ky ishte propozimi i përfaqësuesit Arbër Mazniku në mbledhjen e Komisionit të Reformës Territoriale. Ndërsa Mallakastra kërkon zvogëlimin e territorit të saj, duke larguar Fratarin. Ditën e sotme, përfaqësuesit të lartë të Bashkive Tiranë, Mallakastër, Maliq e Lezhë, evidentuan probleme me burimet njerëzore dhe pavarësinë në vendimarrje.

Agron Kapllanaj, ish kreu i PD në Mallakastër kërkoi që qeveria dhe kryeministri të mos ndërhyjnë më në financat e Bashkive dhe si dhe tha që numri i punonjësve të bashkisë të jetë me ligj, jo të bëhet me urdhër partie. Ndërsa Gëzim Topçiu, i cili ka marrë 6 mandate në Bashkinë e Maliqit tha se burimet njerëzore nuk janë të mjaftueshme dhe shtoi se duhen rishikuar pagat e punonjësve në Bashki pasi nuk pranojnë arkitektët paga me vlerë 50-60 mijë lekë.

Një tjetër shqetësim që u ngrit është shpopullimi në fshatra. Sipas Vangjel Dules, është problematikë që ka nisur shumë vite para dhe nuk është bërë asnjë veprim për frenimin e këtij procesi. Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu duket se ishte kundër pasi thotë se Bashkitë kanë ulur borxhin me 50%. Sipas tij, nuk është e vërtetë që s’ka shërbime në zonat rurale, por nëse ndodh është mungesa menaxheriale e kreut të bashkisë.

Gjatë punimeve pati debat mes kryebashkiakut Pjerin Ndreu e Deputetes së PD, Dhurata Çupi, për çështjen e punësimit në pushtetin lokal. Qytetari i parë i Lezhës mohoi të ketë patur rritje të numrit të të punuësuarve gjatë fushatës elektorale, teksa shtoi se Bashkitë janë institucionet me rentabël, duke ulur borxhin me 50%. Por Çupi iu përgjigj me tone të larta duke i thënë se e kupton shumë mirë informacionin që ka marrë.

Një tjetër përplasje Ndreu e pati edhe me Xhelal Mziun. Ky i fundit nuk kurseu fjalët ndaj tij duke e cilësuar “papagall apo shoku polic” që sipas tij është “dru” nga shifrat. Teksa debat pati dhe për çështjen e ndërtimeve në Tiranë. Nënkryetari i Bashkisë, Mazniku, argumentoi se Tirana, ashtu si Roma e Athina presin mijëra qytetarë çdo vit. Për për ta ilustruar këtë shtoi se në kryeqytet vetëm vitin e fundit janë shtuar 31 000 banor të rinj.

Komisioni për Reformën Administrativo Territoriale nisi punën në fillim të korrikut dhe pritet që në fund të këtij muaji t’i parashtrojë Kuvendit dhe propozimet e saj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:00
Deputetja e PL-së: Reforma Territoriale ka dështuar, ja cilat janë problemet e kryeqytetasve

1659457417_erisaxhixho.jpg

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka deklaruar se thelbi i reformës territoriale, që do të duhej të ishte reduktimi i shpenzimeve dhe garantimi i aksesit të shërbimeve, ka dështuar.

‘Gjatë fjalës time në Komisionin e Posaçëm Parlamentar “Për Reformën Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë”, theksova se reforma territoriale e vitit 2014 ka dështuar.

Thelbi i reformës territoriale, që do të duhej të ishte reduktimi i shpenzimeve dhe garantimi i aksesit të shërbimeve, ka dështuar. Qëllimi i reformës territoriale është decentralizimi.

Në takimet që kam pasur ditët e fundit nëpër Tiranë, shqetësimet që konstatova janë të njëjtat kudo:

Banorëve të Tiranës u mungon uji i pijshëm tek Komuna Parisit, tek Unaza e Re javët e fundit apo dhe shume zona të tjera.

Transporti publik ka probleme dhe vonesa, gratë e vajzat, qytetarët e Saukut presin 1 orë autobusin.

Kostoja e jetesës në Tiranë është e papërballueshme Ndotja është në nivele alarmante Trafiku është problem për qytetarët e Tiranës

Nuk mund të mos përmend shembjen e banesave tek “5 Maji”, Laprakë, Shkozë, Kodrën e Priftit në kuadër të planeve urbanistike. Bashkia nuk i garanton siguri juridike, por u jep në dorë një letër që ju heq të drejtën për ta ankimuar në gjykatë apo një dëmshpërblim qesharak.

Dhe e fundit, por më e rënda. Policia Bashkiake ka një kuotë gjobash për të përmbushur. Shifrat flasin vetë. Nëse gjobat e bashkisë janë 330 mijë në vit, Policia e Shtetit vendos 60 mijë gjoba. Policia Bashkiake shkon si xhandar tek qytetarët duke i gjobitur se duhet të përmbushin planin.

Na duhet një reformë territoriale që rrit cilësinë e shërbimeve dhe aksesin e qytetarëve në to, që nuk ia nxin jetën qytetarit, po ia lehtëson.

Një reformë që decentralizon pushtetin lokal deri tek njësia vendore, sa më pranë qytetarëve.

Reforma territoriale nuk mund të jetë më një reformë për qëllime elektorale, por një reformë që ka në qendër shërbimet e përditshme ndaj qytetarëve.’- shkroi Xhixho.

Ora 14:27
Zv.ministrja e Brendshme në 'Territoriale': Kemi që në 09:00 që presim, të bëjmë prezantim! Çupi: Duhet të ishte vetë Çuçi këtu

 

Romina Kuko, zv.ministrja e Brendshme ka kërkuar fjalën e saj në Komisionin e Reformës Territoriale, por është përballur me Dhurata Çupin, e cila i tha se në seancë duhet të ishte i pranishëm vetëm mnistri Çuçi.

Kuko: Ne kemi që prej orës 09:00 që presim. Kemi axhendë, nëse mundet bëjmë një prezantim dhe kthehemi në një moment tjetër për të vijuar, ose propozojmë ta shtymë për një moment të dytë.

Çupi: Në këtë seancë duhet të ishte vetë Ministri Çuçi. S’mund të kishte axhendë më të rëndësishme për ministrinë e brendshme sesa të jetë në këtë komision. Këtu bashkitë u ankuan për centralizimi, dhe duhet një përgjigje për këtë, pse pushteti vendor vuan nga centralizimi, dhe pse nuk po ecet me decentralizimin?

Në 2014 u bë një reformë që dështoi. Ne si opozitë do të propozojmë paketë rregullatore dhe hartën shoqëruese.

Ora 14:03
'Territorialja', Kume: Riorganizimi i pushtetit lokal nuk mjafton në hartë! Të bëhet ndërhyrje në Kushtetuese, ndarje në 2 nivele; rajonetdhe bashkitë

Në mbledhjen e Komisionit të Reformës Territoriale, Kristaq Kume ka kërkuar që të bëhet ndërhyrje edhe në Kushtetuese për riorganizimin e pushtetit lokal. Ai thotë se duhet të përcaktohen 2 nivele ndarjeje, rajonet dhe bashkitw dhe më pas të merret vendimi për ndarjen e bashkive nw rurale apo urbane.

“Duhet ndërhyrje në Kushtetuese për riorganizim të pushtetit lokal, jo ndryshim vetëm në hartë. Nuk mjafton rindërtimi në hartë, duke u kushtëzuar nga gara politikë elektorale e ardhshme. Reforma të votohet me dakordësinë e të tërëve, jo vetëm me shumicë të cilësuar apo shumicë të thjeshtë. Kjo duket e vështirë po të shohësh kontekstin politik ku ndodhemi.

Të përcaktohen 2 nivele ndarjeje.  Dhe më pas të vendoset si do ndahen bashkitë rurale apo urbane dhe të hiqet termi komunë dhe vetëm bashki, që mund të organizohen si të tilla. Problem i qarkut, s’ka patur asnjë të shprehet pozitivisht për efektin e prekshëm të qarkut në mirëqeverisje. Në këtë pikë është dhe rifutja e listave të hapura për zgjedhjet lokale për një përfaqësi direkte. Këtu hynë në lojë dhe komisioni tjetër”, tha Kume.

Ora 11:32
Debati Mziu-Ndreu: Mos më bëj mua si papagall, më lër të flas o shoku polic! Ti je dru fare nga shifrat

 

Ish-kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu është përplasur me kryetarin e Bashkisë së Lezhës Pjerin Ndreu.

Gjatë diskutimeve në Komisionin e Reformës Territoriale, Mziu iu drejtua Ndreut duke thënë se ai nuk merr vesh nga shifrat për numrin e punonjësve në Bashkinë Lezhë ndërsa përdori edhe termin “papagall” në drejtim të tij.

“Mos më bëj mua si papagall. Më lër të flas. O shoku Pjerin. O shoku polic. Ku merr vesh nga shifrat ti. Ti je dru fare nga kjo pjesë. Reforma territoriale nxori në pah edhe probleme që vijnë për shkak të asaj që kërkohet.

Do të kërkoja mendimin e atyre që realisht kanë informacion për funksionimin e pushtetit vendor. A nuk do ishte normale që delegimi i kompetencave të jetë për të bërë listëpagesat. A nuk mundet që pushteti vendor të funksiononte si Kosova apo vendet e tjera të rajonit. Që një bashki të kishte kompetencën e arsimit parauniversitar deri te vendosja e drejtorëve”, tha Mziu.

Ora 11:19
Të punësuarit në Bashkinë Lezhë, Ndreu: Nuk i kupton shifrat që të kanë ardhur, bën debat pa lidhje! Çupi: Nuk të lejoj të më flasësh kështu

 

Shifrat e të punësuarve në bashkinë Lezhë kanë sjellë debat mes Dhurata Çupit dhe kryebashkiakut Pjerin Ndreu. Cupi tha ka kërkuar informacion në lidhje, ndërsa Ndreu i thoshte se nuk arrinte të kuptonte se për cfarë bëhej fjalë.

Dhurata Çupi: Në datën 26.7.2022 jam drejtuar me shkresë për informacion.

Pjerin Ndreu: Është shifër që fut bashkë dhe ka 2 shtylla. Më vjen shumë keq. Duhet të kuptosh cfarë ka ardhur

Dhurata Çupi: Nuk të lejoj të më flasësh kështu. Kam kërkuar informacion nga Ministria për numrin e punonjësve të bashkive.

Pjerin Ndreu: Ka 2 ndarje për numrin e punonjësve të bashkive.

Dhurata Çupi: 2 po të citoj dhe unë. 659 dhe 129 në Bashkinë Lezhë.

Pjerin Ndreu: Është e gabuar.

Dhurata Çupi: Është shkresë zyrtare.

Pjerin Ndreu: Je duke bërë debat që nuk ekziston. Cdo bashki ka 2 pjesë të punësuarve, pjesën që e paguan nga të ardhurat e veta dhe të deleguar që kanë lidhje me kopshtet, cerdhet e rrugë rurale.

Dhurata Çupi: Nuk të lejoj të thuash nuk e kupton.

Pjerin Ndreu: Po bën debat pa lidhje.

Ora 10:40
‘Territorialja’, Dule: Pohoni se ka fshatra inekzistente! Katastrofike që nuk është frenuar ky proces shpopullimi

 

Deputeti Vangjel Dule foli në Komisionin e Reformës Territoriale duke thënë se u pohua për fshatra inekzistente që ka filluar para shumë vitesh por nuk është frenuar. Ai e cilëson katastrofike faktin që nuk ngadalësuar.

“Demokracia nuk është proces që nis dhe mbaron me ditn e zgjedhjeve. A mendoni se Reforma e 2014 ka krijuar probleme? Me kontaktin që kam me disa bashki di që ka krijuar probleme. A ka një harmoni në Këshillin Bashkiak të Tiranës kur shumica nuk kanë lidhje me komunitetin? A mendoni se duhet ndërhyrë në ligj për funksionimin e pushtetit vendor? U pohua fenomeni i zbrazjes së zonave rurale. U fol për fshatra inekzistente, problem që nuk nisi as me Reformën e 2014, por nuk është frenuar, përkundrazi është përshpejtuar.

Nuk keni arritur ta ngadalësoni këtë process, është katastrofike. Ajo që do të doja të konkludoja është se nuk është synimi i këtij komisioni që të vlerësojë se nëse administrate aktuale e njërës bashki apo e tjetrës funksionon më mirë. Pse nuk propozoni të merren nismat ligjore që tu krijojnë hapësira bashkëpunimi me sektorin privat?” – tha Dule.

Ora 10:40
'Territorialja', Mazniku: Propozoj që Kamza dhe Vora të bashkohen me Tiranën

 

Nënkryetari i Bashkisë Tiranë Arbër Mazniku propozoi në Komisionin e Reformës Territoriale që Kamza dhe Vora të bashkohen me Tiranën.

Ora 10:07
'Territorialja', Topçiu: Të rishikohen pagat e punonjësve në bashki, nuk vijnë arkitektë me rrogë 60 mijë lekë

 

Gëzim Topçiu, i cili ka marrë 6 mandate në Bashkinë e Maliqit tha në Komisionin e Reformës Territoriale se burimet njerëzore nuk janë të mjaftueshme dhe shtoi se duhen rishikuar pagat e punonjësve në Bashki.

“Të ardhurat nuk janë të fragmentizuara, por të përqëndruara. S’do paguhen rroga për shtatë financier, por për një. Në këto tetë vite kemi realizuar 198 projekte, 14 shkolla të rehabilituara, 172 km kanale në fushën e Maliqit të rehabilituara.

Duhet të ketë një transfertë të veçantë për investimin, sipas peshës dhe % që i takon çdo bashkie. Burimet njerëzore jo të mjaftueshme. Nëse kemi ne nevojë për inxhinier, arkitektë apo profesionistë të tjerë, mendoje po të ishte bashkia apo komuna më e vogël. Rroga për ta në shtet do ishte 50 mijë apo 60 mijë lekë të reja dhe nuk të vjen njëri në punë më këtë pagë arkitektë në bashki. Kjo duhet rishikuar”, tha Topçiu.

Ora 09:47
‘Territorialja’, ish kreu i PD Mallakastër: Bashkitë të mos mbeten në oreksin e kryeministrit! Shumë punonjës marrin rrogën e rrijnë në shtëpi

 

Ish kreu i PD në Mallakastër, Agron Kapllanaj kërkoi që kryeministri apo qeveria të mos ndikojë më në financat e Bashkive. Në fjalën e tij në Komisionin e Reformës Territoriale, u shpreh se ka qenë i diskriminuar kur ka drejtuar Mallakastrën. Ai u shpreh se një tjetër problematikë është edhe ndarja e granteve, që sipas tij nuk duhet të mbetet në orekset e çdo kryeministri. Ndër të tjera bëri kërkesë që numri i punonjësve të bashkisë të jetë me ligj, jo të bëhet me urdhër partie. 

“Zona Fratarit në Mallakastër mund të ishte më vete. Bashkia jonë jo e madhe dhe e vogël, dhe territori është shumë i madh dhe jo çdo pjesë e aksesueshme. Sa i përket menaxhimit të financave, duhet të marrë fund preferenca e një kryeministri. Duhet të bëhet me një reformë në parlament se nuk mundet që Bashkia të mbetet në oreksin e një kryeministri apo qeverie, financoj apo jo unë.

Kur kam drejtuar Mallakastrën, kam qenë i diskriminuar. Ja kam thënë edhe kryeministrit. Administrata të na thotë që ky projekt ka mangësi, ka probleme, le të ma thonë. Nuk më ka ardhur asnjë vërejtje për asnjë lloj projekti.  

Numri i punonjësve të bashkisë të jetë me ligj, jo me urdhër partie sipas oreksit gjatë fushatës zgjedhore. Shumë s’vijnë në punë dhe marrin rrogën e rrinë në shtëpi se kështu është interesi i partisë. Bëjmë dëm të madh jo vetëm tek financa e bashkisë, por edhe tek këta persona që mësohen me dembelizëm. Doja t’ju bëja një thirrje ju si përfaqësues politik, le të mos fillojmë debatet kush ka kërkuar Reformën, por të miratojmë një Reformë Territoriale ndër vite për të mirën e qytetarëve”, tha Kapllanaj.

Ora 09:33
'Territorialja', Ndreu: Bashkitë janë produktive, kanë ulur borxhin 50%! Nuk është e vërtetë që s’ka shërbime në zonat rurale

 

Pjerin Ndreu, kryetari i Bashkisë së Lezhës, në fjalën e tij gjatë Komisionit të Reformës Territoriale, u shpreh se bashkitë janë produktive dhe kanë ulur borxhin 50%. Ai shtoi se bashkinë e ka marrë me 4.6 miliardë lekë borxh ndërsa sot borxhi është 1 miliard lekë. Ndër të tjera theksoi se në zonat rurale ka shërbime.

“Nuk po merremi me problematikën, por halli është si do parcelizohet vendi. Me reformën territoriale është krijuar një situatë e re, që ka grupuar të gjitha komunat e bashkitë në një njësi të madhe.

Përfaqësimi është realizuar, ndryshe nga sa kam dëgjuar në tavolina të ndryshme. Çdo njësi vendore, çdo cep i territorit është e përfaqësuar jo vetëm me një, por edhe me dy apo tre persona në Këshillin Bashkiak. Kjo vërtetohet vetëm duke parë vendbanimin e çdo anëtari të këshillit bashkiak. Nëse ka institucione që janë produktive në këtë shtet, janë bashkitë. Bashkitë kanë ulur borxhin 50%. Në Bashkinë Lezhë e mora me 4.6 mld të vjetra borxh, sot afro 1 miliardë.

Nuk është e vërtetë që s’ka shërbime në zonat rurale, nëse ndodh është mungesa menaxheriale e kreut të bashkisë. 300 km kanale kulluese në zonat rurale kemi bërë ne. Askush se kishte bërë më herët. Kemi ndërhyrë në rrugë rurale 300 km, 60% e  buxhetit për zonat rurale”, tha Ndreu.

Ora 09:30
Komisioni i Reformës Territoriale nis me debate, Denaj: Opozita s'ka prezencë, karriget janë bosh! Çupi: Duhet të vinte Veliaj, mos jepni deklarata fundore

 

Komisioni i Reformës Territoriale ka nisur me debate mes dy bashkëkryetareve Anila Denaj dhe Dhurata Çupi. Ndonëse ishte njoftuar të niste në orën 09:00, mbledhja nisi 30 minuta me vonesë dhe Denaj kritikoi opozitën që nuk ishte e pranishme. Çupi duke folur në mbrojtje të tyre u shpreh se duhet të ishte prezent edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Ky i fundit u përfaqësua nga nënkryetari Arbër Mazniku.

Pjesë nga debati Denaj-Çupi

Anila Denaj: Nuk kemi debat për rradhën, por është e rëndë që opozita s'ka prezencë sot, janë bosh karriget e anëtarëve të opozitës. Ky komision duhet të niste në 09:00 e nisi me vonesë, pasi s’ka asnjë deputet të opozitës.

Dhurata Çupi: Jemi këtu për të dëgjuar kryetarët e bashkive.

Anila Denaj: Po duhet të ishte opozita ta dëgjonte, që nuk është dhe nuk po i përfaqëson qytetarët. Edhe pse opozita e ka kërkuar këtë komision, karriget janë bosh.

Dhurata Çupi: Duhet të ishte dhe kryetari i bashkisë. Të ishte aty.

Anila Denaj: Bashkia e Tiranës është e përfaqësuar.  Respektojmë njëri-tjetrin kur marrim fjalën. Është debat i panevojshëm.

Dhurata Çupi: Është shumë i nevojshëm.

Anila Denaj: Pa emocione. Opozita duhet të ishte këtu për t’i dhënë rëndësinë.

Dhurata Çupi: Dilni në media dhe jepni deklarata fundore dhe më pas kërkoni mbushje karrigesh. Mos jepni deklarata ndërsa këtu nuk vjen kryetari i Bashkisë. Do ta vlerësonim shumë nëse do të fokusoheshit tek reforma, çfarë u synua dhe ku jemi sot. Unë jam e qartë se nuk do ta pranoni se është e dështuar, por mos thoni se është e jashtëzakonshme. Është bërë vetëm propagandë.

Anila Denaj: Ju lutem ruani qetësinë.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Vora: 07/09/2022 12:10

    Ik o Kapllanaj se na je ber sikur je Obama.Pa pik lidhje flet sikur je ne lartesine e politikaneve te medhenj.Ik ha grosh me Enkelejdin se vetem njeri tjetrin keni.Shko shtroj tapet te kuq

    Përgjigju
  • Nasi: 07/09/2022 09:42

    Mire mire. Sa te mbaroje procesin e klonimit Rama dhe nga nje Veli per bashki do keni.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Të burgosur prej vitesh në Kinë, lirohen tre amerikanët e burgosur, marrëveshja e rrallë diplomatike me Pekinin

Të burgosur prej vitesh në Kinë, lirohen tre amerikanët e burgosur, marrëveshja e rrallë diplomatike me Pekinin