Nis Panairi i Librit, Petrit Ymeri:
S’na mbështetën institucionet

Nis Panairi i Librit, Petrit Ymeri:<br />S’na mbështetën institucionet
Panairi i librit që çelet këtë të martë në Tiranë vjen me një organizim më të dobët se vitin e kaluar. Kryetari i shoqatës së botuesve shqiptarë, Petrit Ymeri, pohon se panairi sjell në treg tituj të rinj, por ngushtimi i veprimtarive të këtij edicioni bëhet për shkak të mungesës së mbështetjeve nga institucionet.

“Bashkia nuk jep një qindarkë për panairin e librit dhe nuk denjon tu përgjigjet kërkesave që bëjmë ne”, tha Ymeri.
 
Një vit më parë panairi i librit mori përmasa më të gjera edhe për faktin se janë spikatur aktivitete për personalitete të letërsisë si Fan Noli me rastin 50-vjetorit të vdekjes, ku me emrin e tij u nda edhe një çmim. Por këtë vit përkujtimi i personaliteteve të letërsisë që kanë përvjetorin nuk u organizua për arsye të buxhetit, shprehet Petrit Ymeri.

“Ne nuk bëjmë politika kulturore, ato i bëjnë institucionet shtetërore ose institucione të mëdha që mbahen me fonde. Ça bëri Ministria e Kulturës kur ishte 50 vjetori i Fan Nolit vjet? Bëri gjë? Shteti shqiptar nuk bëri asgjë për Fan Nolin. Shoqata e botuesve dha një çmim të madh për Fan Nolin në Panairin e Librit . Këto punë i bën shteti, ai duhet të flasë që këtë vit kishim përvjetorin e Frashërit, Mjedës, Çajupit, të Esat Mekulit e shumë e shumë të tjerëve”, u shpreh Ymeri.
  
Panairi i librit nuk ka një organizim unik, ndërkohë që një pjesë e botuesve të njohur përpiqen në mënyrë të pavarur të sjellin ndonjë risi.

“Kemi planifikuar që do të sjellim në pavionin tonë autorë të rëndësishëm jo vetëm të traditës por edhe bashkëkohorë. Është një shkrimtare e re kanadeze fituese e Man Booker Prize Eleonor Katon e cila vjen me dy libra”,shprehet Gëzim Tafa
 
Panairi i 19-të i librit që zhvillohet që nga viti 1998 në qytetin e Tiranës,  edhe këtë vit bëhet me pjesëmarrjen e botuesve të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Mali të Zi dhe diasporave të tjera shqiptare. 

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Separatisti katalonas Puigdemont shmang arrestimin pas rikthimit 'kaotik' në Spanjë

Separatisti katalonas Puigdemont shmang arrestimin pas rikthimit 'kaotik' në Spanjë