Nis prodhimi i Kartës së Studentit, Veliaj: Brenda majit nis shpërndarja, shërbime edhe nga privatët 

Një javë pas prezantimit, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe atë të Kulturës kanë nisur prodhimin e Kartës së Studentit, e cila do të shpërndahet gjatë muajit maj. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ministrja e Kulturës, Elva Margariti zhvilluan sot një dëgjesë me studentë që ndjekin studimet e larta në Tiranë, ku njoftuan disa nga mundësitë dhe lehtësirat që do të ofrojë Karta e Studentit, për më shumë se 40 shërbime, muzeume apo biblioteka.

Veliaj vlerësoi punën e bërë me plotësimin e pikave të Paktit për Universitetin dhe tha se Karta e Studentit ka nisur të prodhohet si document, ndaj brenda këtij sezoni universitar do të shpërndahet për gjithë studentët që mësojnë në universitetet e Tiranës.

“Karta është dizenjuar dhe tashmë ka nisur prodhimi. Ne do të jemi në gjendje që javën e tretë të majit të fillojmë ta shpërndajmë, dhe të fillojmë ndoshta nga universitetet e vogla të Tiranës, me më pak studentë, që të testojmë çështjen e përdorimit, derisa pastaj ta masivizojmë në fund të këtij semestri, ose në mes të korrikut, në varësi kur është shtyrë kalendari i mësimdhënies, për t’u siguruar që të gjithë studentët të kenë kartën e tyre”, tha Veliaj. 

Duke u ndalur te lehtësirat dhe mundësitë që krijon karta për studentët, ai theksoi se ata do përfitojnë jo vetëm nga shërbimet që ofrojnë institucionet shtetërore, por edhe ato private. Ai bëri të ditur se shumë kompani private janë shprehur të gatshme që të bëhen pjesë e lehtësirave dhe ofrimit të shërbimeve me kosto të ulët për studentët. 

“Jam i lumtur që menjëherë pas dëgjesës që bëmë me ministren e Arsimit, kanë qenë një duzinë, 10-12 kompani private nga ato që ofrojnë ushqim, te ato që ofrojnë rroba, kancelari, ose shërbime të tjera, që u ofruan menjëherë të ishin pjesë e këtij projekti. Jam i bindur që edhe pas dëgjesës së sotme do ketë shumë kompani që pasi të dëgjojnë ministren e Kulturës se ku ofrohen shërbimet, do duan të bashkohen”, u shpreh Veliaj. 

Një tjetër lajm i mirë i dhënë nga kryebashkiaku gjatë kësaj dëgjese ishte edhe mundësia që do krijohet në të ardhmen për studentët shqiptarë që falë kësaj Karte të mund të përfitojnë edhe nga shërbimet që ofron Karta Europiane e Studentit.

“Ne kemi aplikuar për të qenë Kryeqyteti Europian i Rinisë për vitin 2022, kemi dalë të parët në votimin e parë, me pesë finalistë. Nëse vazhdon kështu edhe në votimin e dytë në shtator, me gjasë Tirana do të jetë kryeqyteti Europian i Kulturës. Duam jo vetëm që të kemi një histori suksesi me emetimin e Kartës për studentët tanë, por do donim gjithashtu që deri në vitin 2022, Karta jonë e Studentit të ishte e lidhur edhe me Kartën Europiane të Studentëve”, nënvizoi Veliaj. 

Sa i përket detyrimeve që lindin nga Pakti për Universitetin, Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës ka nisur punën për rikonstruksionin e shumicës së konvikteve në Qytetin Studenti, ndërsa bëri të ditur se me mbështetjen e KFË do të nisë puna edhe për 5 konviktet e tjera te Inxhinieria e Ndërtimit. Gjithashtu, ai u shpreh se pjesë e kësaj nisme do bëhen edhe konviktet e Universitetit Bujqësor që do të lirohen nga ata që kanë zaptuar prej vitesh për t’ia kthyer studentëve të rikonstruktuar. Ndërkohë, për gjithë zaptuesit ai deklaroi se do të ofrohen programe sociale strehimi nga Bashkia Tiranë.

“Kemi filluar një procedurë të dhënies së bonusit të qirasë e banesë sociale kush ka okupuar konviktet në Institutin Bujqësor prej kaq shumë vitesh, që më pas të lirohen për studentët dhe të kemi mundësi më pas të punojmë aty”, tha Veliaj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:47
Karta e studentit edhe në celular, të gjitha entet publike dhe bizneset do kenë etiketë në xham

Karta e studentit do të jetë jo vetëm fizike, por edhe elektronike, ku çdo student mund ta përdorë atë përmes celularit, pa pasur frikën se mund ta humbasë apo ta harrojë ta marrë me vete. Ndërkaq, të gjitha entet publike apo bizneset që do t’i bashkëngjiten nismës për kartën e studentit, do të vendosin në mënyrë të dukshme një etiketë. Duke folur në dëgjesën me studentët për kartën e studentit, Veliaj theksoi se po punohet që këtë shërbim ta ofrojnë sa më shumë ente publike dhe biznese.

“Gama e shërbimeve të kartës do të pasurohet. Ndërkohë, të gjitha entet që do të ofrojnë shërbim për kartën, duke filluar nga ato publike te ato private, do të kenë një sticker në xhamin e tyre ku thuhet se këtu pranohet karta e studentit. Mund të jetë kinema, librari, kancelari ose supermarket, që dëshmon se ai është një ent që e pranon kartën e studentit dhe ofron një shërbim me një çmim më të ulët për të gjithë ata që janë bartës të kartës”, tha Veliaj.

Të rinjtë që do të kenë Kartën e Studentit, do të njoftohen me email ose me sms për të gjitha shërbimet që entet publike apo ato private ofrojnë. “Kur secili merr kartën, do të vendosë edhe një nr kontakti. Do të kontaktohet me sms apo me e-mail për shërbimet. Tashmë kemi filluar nga ata që ofrojnë pica, ushqim fast-food, një zinzhir supermarketesh, librarish, e kështu me radhë. Me marrjen e kartës, secili vendos opsionin sa herë do të njoftohet ose për çdo kompani të re më çoni një mesazh që unë të di që edhe këtu kam akses. Pastaj, për kartat do të ketë edhe një faqe në internet që do të përditësohet çdo ditë”, tha Veliaj.

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ndjdkdkddj: 26/04/2019 16:26

    Karte super. Te ndihmon te shkosh ne galeri e muze. Gjera te domosdoshme e te perditshme per nje student.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon votimin e detyrueshëm, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

BE dëshiron të rifillojë negociatat me Turqinë

BE dëshiron të rifillojë negociatat me Turqinë