TIRANË- Banorët e Astirit kanë zhvilluar sot ditën e 29-të të protestës te Unaza e Re. Banorët kanë bllokuar edhe sot rrugën, ndërkohë që në krye të tyre është kryedemokrati Lulzim Basha por edhe të tjerë deputetë të PD. PD i është bashkuar që nga fillimi kësaj proteste, të banorëve që kundërshtojnë ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës. 

I pranishëm në këtë protestë, ishte kryedemokrati Lulzim Basha e quajti megaaferë projektin për ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës dhe tha se prokuroria e drejtuar nga Arta Marku, nuk ka vepruar megjithëse janë kryer vepra penale.

Banorët kërkojnë shpronësim dhe dëmshpërblim, ndërkohë që Bashkia Tiranë iu ka ofruar atyre një bonus qiraje për 3 vite. Ditën e djeshme policia shoqëroi 5 protestues të cilët dyshohet se ishin protagonist në aktet vandale të protestës së pak ditëve më parë ku u dogjën goma dhe u bllokua rruga për disa orë.

Protesta e banorëve të Astirit vijon paralelisht me ndërhyrjen që IKMT po zhvillon duke shembur objektet e ndërtuara pa leje në këtë zonë për t’i hapur rrugë ndërtimit të Unazës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:23
Protesta te Unaza e Re/ Banorët thirrje Metës: Tek ju i kemi shpresat

Banorët e Unazës së Re i kanë bërë thirrje presidentit të Republikës Ilir Meta që të ndërhyjë për të zgjidhur çështjen e tyre.

Banorët janë shprehur: “I bëjmë thirrje presidentit, të ndërhyjë. President, tek ju i kemi shpresat.”

Ora 17:21
Protesta/ Basha: Po dhunohen banorët që të pasurohet Agai i Surrelit, të hetohet projekti

Kryetari i PD, Lulzim Basha, i pyetur nga gazetarët në protestën që po zhvillohet tek Unaza e Re, ka thënë se zgjidhja e situatës është ndalimi i zbatimit të projektit dhe hetimi i plotë. Basha e quajti megaaferë këtë projekt dhe shtoi se po dhunohen qytetarët që të pasurohet kryeministri Rama. 

Do ta vlerësoja nga fillimi, nevojshmërinë për qytetin, transportin urban, nëse do bindesha për vlefshmërinë do e konsultoja me banorët. Nuk ka patur tranparencë, është shkelur ligji për transparencë, është shkelur Kushtetuta, dhe po dhunohen banorët vetëm që të pasurohet agai i Surrelit. Është shkelur ligji për shpronësimet. Zgjidhja është ndalimi i projektit. Duhet një hetim i plotë i këtij projekti, i kësaj megavjedhjeje.

Lulzim Basha, kryetar i PD

Ora 17:15
Protesta te Unaza e Re/ Basha: Megavjedhje, Arta Marku rri poshtë tavolinës dhe nuk heton

I pranishëm tek protesta e banorëve të Unazës së Re, kryedemokrati Lulzim Basha ka denoncuar atë që PD e quan vjedhje për ndërtimin e Unazës së Madhe. Basha tha se prokuroria duhet të veprojë ndërkohë që sipas tij, kryeprokurorja Arta Marku nuk ka reaguar.

Agai i Surrelit po grabit një shumë astronomike. Media të hetojë dhe të bëjë transparencë. Dënoj dhunën e ushtruar mbi gazetarët dhe kameramanët. Dje qytetarët u provokuan, u shoqëruan 5 qytetarë me urdhër politikë. Ndërkohë që media u dhunua. Kjo është autopsia e regjimit të Rilindjes. Këtu kryhen vepra penale ndërsa kryeprokurorja Arta Marku rri poshtë tavolinës. Tenderi korruptim, po grabiten miliona euro. Mega vjedhje kjo që po ndodh por kryeprokurja rri poshtë tavolinës.

Lulzim Basha, kryetar i PD