'Territorialja',ekspertja Dhimitri nga shoqëria Civile: Nuk vlen që të kemi rritje të numrit të bashkive! Deputeti PD: Ka njerëz që s’dinë pse marrin rrogën në bashki (LIVE)

Për më shumë se katër orë, ku kësaj here radhën për të dhënë mendimin, e kishin përfaqësues të Shoqërisë Civile, Komisioni i Posaçëm i Reformës Territoriale u përfshi në debate opinionesh . Albana Dhimitri nga Instituti i Politikave Publike dhe Private pavarësisht se vlerësoi pozitivisht reformën e vitit 2014, vuri në dukje edhe mangësitë, një prej tyre, ulja e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje, ndaj dha mendimin që reduktimi i bashkive do të sillte zhvillimin e tyre.

'Ne kemi pasur mundësi të jemi thuajse në çdo bashki. Kemi pasur një eksperiencë të rëndësishme për të prekur reformën në pikëpamjet politike, qoftë dhe administrative. Efikasiteti administratës publike, ishin 370 njësi të qeverisjes vendore para 2014. Kemi bërë një studim mbi të ardhurat për kokë nga ndryshimi i hartës territoriale dhe na rezulton që të ardhurat janë shumë më të larta në nivel bashkie se përpara reformës. Sa i takon shërbimeve, ka tregues në rritje. Shpenzimet për investimet janë të rritura me disa fish krahasuar me përpara reformës. Ana negative ishte ulja e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimarrje, pra kishte pjesë të popullatës që për shkak të largësisë me njësinë administrative bashkisë, nuk kishin mundësi fizike për të qenë pjesëmarrës në mbledhjet e zhvilluara apo elementëve të tjerë të përditshmërisë. Ndjesia e të zgjedhurit direkte pra, është ndjesi e humbur. Debati mund të jetë nëse përpara 2014 ishte apo jo efikase zgjedhja direkte, jo! Por të paktën përceptimi se po zgjidheshe, ishte në ndjesinë e komunitetit dhe të zgjedhurit. Barra fiskale e njësive administrative mbetet tek pushteti qendror, duke ulur nivelin e përgjegjësisë fiskale të qeverisjes lokale.'- u shpreh Dhimitri.

Deputetit demokrat Bledjon Nallbati nuk i pëlqeu vlerësimi nga Dhimitri, duke shënjestruar një pjesë të administratës vendore.

‘Sot ka më shumë parazitë që konsumojnë paratë e taksapaguesve. Ka sot shumë punonjës që e marrin pagën pa e ditur se çfarë pune kanë, pa shkuar asnjë ditë në punë.’- tha Nallbati.

Drini Nushi nga Insituti i Kërkimeve foli për mungesën e autonomisë vendore, kurse një tjetër pwrfaqwsuese e shoqërisë civile Gerta Meta, u përqendrua tek fragmentizimi i hartës. Përfaqësuesit e shoqërisë civile ishin të mendimit se roli i qarkut është zbehur pas reformës së 2014-ës, ndaj vlerësuan si pozitive idenë e ndarjes së vendit në rajone.

Mazhoranca dhe Opozita pritet të ndërhyjnë sërish në hartën territoriale të vendit, tetë vite pas asaj të fundit, ku nga 361 bashki e komuna mbetën vetëm 61 bashki. Opozita pretendon rritje të numrit të bashkive, kurse mazhoranca është e bindur se reduktimi i bashkive sjell rritje të efikasitetit dhe shërbimeve te qytetarët

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:22
‘Territorialja’ Mziu përplaset me eksperten shoqërisë civile: Mos bëj hartim! Dhimitri: Nuk vlen që të kemi rritje të numrit të bashkive

1656923340_Screenshot1.jpg

Në komisionin për Reformë Territoriale po zhvillohet diskutime me përfaqësues të shoqërisë civile. Deputeti Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, anëtar i komisionit është përfshirë në një debat me Albana Dhimitrin Drejtore Ekzekutive në Institutin e Politikave Publike dhe Private. Sipas Dhimitrit 61 bashkitë u vendosën për të nxitur ekonominë dhe për të rritur investimet. Për eksperten e shoqërisë civile, nuk vlen rritja e numrit të bashkivë. Por sipas Mziut, ekspertja po bën hartim dhe jo analizë, apo t’u përgjigjet pyetjeve.

Mziu: Është rritur hendeku mes pagës në shtet dhe asaj tek privati. Mesatarja është diku 8%-8.25%, në Shqipëri diferenca është 24%. Pra në raport me BE, janë tre herë më shumë. Është dyfishuar numri i të punësuarve dhe fondit për pagat. Në 2014 u tha se taksa e pronës do ishte primare. Kauza që u përdor ishte që brenda mandatit të parë kjo do të kapte vlerë prej 0.8% në raport me GDP. Por sot jemi aty ku ishim para vitit 2014 dhe nuk u arrit kjo kauzë, pse nuk arrit të mblidhej kjo taksë? Lidhet me kadastrën? Lidhet me zgjedhjet?

Qëllimi kryesor në ndarjet territoriale ka si fokus që shërbimi të jetë pranë qytetarëve. Por kjo ndarje që kemi pas 2014-ës ka një disproporcion të shërbimeve, duke shpopulluar dhe njësitë vendore. Pse është jo i vlefshëm aspekti gjeografik? E fundit, nuk dëgjova opinionin tuaj në raport me pushtetin vendor që kemi sot. Pushteti vendor duhet të ketë pavarësi dhe në optikën time, pavarësia, autonomia e pushtetit lokal ka qenë më e cunguar se më përpara. Kishim 309 komuna, me një numër personali 10-15 punonjës. Ajo para publike në gjykimin tim nuk është përdorur në mënyrën e duhur. Fondi i pagave duhet gjykuar nga pikëpamja a administratës dhe shërbimeve publike që ofrohet nga ajo njësi administrative. Por, nuk mbahet thelbi i një reforme duke parë fondin e pagës. Rezultati është cilësia e shërbimit, pasi ai është derivati i fundëm, që jep përgjigje nëse është realizuar mirë apo jo reforma. Taksa e pasurisë është më mbledhur më shumë sesa ka qenë në vlerë absolute.

Dhimitri: Sot vlera e pronës është rritur. Sot bashkitë gjenerojnë më shumë të ardhura falë taksës së pasurisë nuk diskutohet. Se sa është në % pyesni Ministrinë e Financave, por në vlerë është më e madhe. Reforma ka ndikuar në këtë organizim të mirë dhe në mbledhje të të ardhurave. Pse u vendos 61 Bashki? Për të nxitur ekonominë e shkallës dhe për të rritur investimet. Naive të mendosh që Bashkitë janë vetëm për të mbledhur të ardhurat dhe për të asfaltuar rrugët. Ky është opinioni im si eksperte. Në Hollandë autonomia e pushtetit vendor është perfekte edhe pse kryetarët  e bashkive janë të emëruar, jo të zgjedhur. Ulemi e ta diskutojmë në mënyrë konkrete bashki për bashki të shohim se ku çalon. Por jo të kemi rritje të numrit të bashkive, nuk vlen! Performanca e bashkive është shumë herë më e mirë se para 2014. Decentralizimi, ka patur rritje të funksioneve, por nuk jam ti shtohen hallet njësive lokale me elemente të shëndetësisë apo të tjera. Por le të shohim kush funksionon më mirë, si mund ti forcojmë këto pika që janë efikase.

Mziu kërkon fjalën: Ajo s’është shoqëri civile.

Denaj: Mos bëni zhurmuesin, lëre zonjën Dhimitri të përfundoj fjalën, pasi nuk është etike të flasësh mbi zonjën Dhimitri

Mziu: Unë ju drejtova me katër pyetje

Denaj: Lëre të mbaroj fjalën e saj...

Mziu: Po bën hartim, jo analizë dhe s’po i përgjigjet pyetjeve

Dhimitri: Pushteti vendor nuk është i pavarur, por duhet të jetë autonom. Se sa duhet të jetë autonom, hajde e diskutojmë. Duhet diskutuar funksion për funksion, shërbim për shërbim, e ardhur për të ardhur. Diskutimi nuk duhet të jetë me ngjyra politike, por me fakte.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me të paktën 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me të paktën 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar