Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka inspektuar sot punimet për ndërtimin e rrugës ”Teki Selenica”, në njësinë bashkiake nr.4. Sipas Bashës kjo rrugë do të ketë të gjitha parametrat e duhura, kanalizime të ujërave të zeza, trotuare në të dy anët, gjelbërim me 150 fidanë si dhe ndriçim.

Rruga “Teki Selenica” ka një gjatësi prej afro 800 metrash dhe i shërben një komuniteti prej 4000 banorësh.

“Tirana ka shumë punë për të bërë dhe ne për këtë arsye, me buxhetin e 2012, në vazhdim me 2013 dhe buxhetin afatmesëm do u japim përgjigje këtyre problemeve të Tiranës, çka është një punë që nuk kryhet brenda ditës por është një punë që do të kryhet patjetër. Kohëzgjatja e këtij projekti është 8 muaj por kontraktori më siguroi, pa i bërë asnjë presion, se për 5 muaj do ta përfundojë”, u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Investimet që do të përdoren për këtë rrugë shkojnë rreth 40 milionë lekë. Kryebashkiaku theksoi se “këto investime do ta bëjnë Tiranën një qytet modern europian dhe do të transformojnë tërësisht jo vetëm infrastrukturën dhe shërbimet e qytetit të Tiranës, por pse jo edhe mentalitetin e qytetarëve të vjetër apo të rinj të qytetit tonë”.
(v.gj/shqiptarja.com)