Futbollistët e kombëtares shqiptare të futbollit, stafi kuqezi, drejtuesit e FSHF-së dhe Komitetit Ekzekutiv, kanë mbërritur sot në Varshavë. Me një fluturim charter nga Tirana që zgjat 1 orë e 40 minuta, ekipi ynë ka nisur rrugëtimin për play-off-in e Kupës së Botës 2026.
Të enjten (nesër) në orën 20:45 në 'PGE Arena' kuqezinjtë do përballen në gjysmëfinalen play-off kundër Polonisë, me ndeshjen teke që do ofrojë vetëm një biletë për më tej. Kuqezinjtë duken të qetë, të qeshur dhe gati për të dhënë më të mirën në fushë për një arritje e cila do ishte historike.
Grupi i futbollistëve është i plotë dhe Sylvinho i ka të gjithë të gatshëm. Sot në orën 17:00 trajneri do flasë për mediet nga salla e konferencave në 'PGE Arena', ndërsa në orën 18:00 ekipi ynë do zhvillojë stërvitjen zyrtare në stadiumin e ndeshjes, fusha e të cilit është bërë e re dhe enkas për këtë duel.
Në rast se kuqezinjtë kalojnë polakët në këtë ndeshje teke, më 31 mars do luajnë sërish në udhëtim për finalen play-off kundër fituesit e çiftit Ukrainë - Suedi, me shpresën për një vend historik në finalet e Botërorit 2026 që këtë vit do zhvillohen nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Sa u takon biletave, 'PGE Arena' do jetë i mbushur plot, me 56 mijë tifozë, ku diçka më shumë se 3 mijë fansa do jenë shqiptarë.
Me një fluturim charter nga aeroporti 'Nënë Tereza' i Tiranës, kombëtarja shqiptare e futbollit udhëtoi për 1 orë e gjysmë me destinacion Varshavën. Tanimë kuqezinjtë janë në Poloni dhe pas çlodhjes në hotel, do i drejtohen 'PGE Arenas' ku në orën 18:00 do zhvillojnë stërvitjen gjenerale për sfidën gjysmëfinale play-off. Nesër në orën 20:45 kuqezinjtë luajnë kundër Polonisë për të shkruar historinë.

Trajneri Sylvinho ka qenë hermetik sa i takon formacionit që do hedhë në fushë kundër Polonisë. Pritet që tanët të luajnë me skemën 4-3-3 dhe me një 'sulmues të fshehur', i cili nuk do jetë Muçi.
Mungesat e Dakut dhe Manajt, si edhe forma jo e mirë e Brojës, ka bërë që trajneri mos ketë një pikë orientimi në sulm, duke dashur të jetë në fushë me një 'nëntë false', në këtë rast Nedim Bajrami, që edhe më herët ka luajtur në këtë rol.
Porta, mbrojtja dhe mesi i fushës nuk pritet të ketë ndryshime nga ndeshjet e fundit, ndërsa dilema e trajnerit është për sulmin.
Formacioni i mundshëm i Kombëtares:
Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Hysaj, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj; Shehu, Laçi, Asllani; Uzuni (Asani), Bajrami (Broja), Hoxha (Muçi) Trajner: Sylvinho
Federata Shqiptare e Futbollit njofton se të gjitha biletat e vëna në dispozicion për tifozët shqiptarë në stadiumin “PGE Narodowy” janë shitur, për ndeshjen Poloni - Shqipëri, e vlefshme për fazën play-off të Kupës së Botës 2026. Do jenë diçka më shumë se 3 mijë shqiptarë në impiant, disa prej të cilëve kanë një ftesë nga FSHF-ja.
Federata e Futbollit falenderon të gjithë tifozët për interesin dhe mbështetjen e jashtëzakonshme ndaj Kombëtares në këtë përballje historike, duke i ftuar njëkohësisht të respektojnë dhe ndjekin të gjitha udhëzimet e përcaktuara nga Federata Polake.
Takimi Poloni - Shqipëri do të luhet më 26 mars, në orën 20:45, në stadiumin “PGE Narodowy” të Varshavës.
Komente








Aman o Trajner, fute Hysaj në formacjon se nga ku lojtar kemi pësuar gol në Tiranë nga Levandoski, kemi pësuar gol në Tiranë nga Ozraeli se ky Hysaj ka 2 vjet te Lazio që nuk është as në stol por si spektator në Stadjum.
Përgjigju