Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit edhe në seancën e sotme nuk ka vendosur një vendim final për ish kryeprokurorin Adriatik Llalla, i cili kërkon shpalljen e pafajësisë ose rikthimin për gjykim të çështjes sërish në Shkallën e Parë por me një tjetër turp gjykuese. Trupi gjykues nuk ka pranuar asnjë provë të re të paraqitur nga avokati mbrojtës Sokol Hazizaj, ndërsa vendosi se më 22 shtator në orën 14:00 do të jepet vendimi final për Llallën.

Në seancën e sotme vetë ish-kryeprokurori Llalla nuk ishte prezent duke u përfaqësuar nga avokati i tij Sokol Hazizaj.Gjatë seancës avokati i tij mbrojtës, Sokol Hazizaj tha para trupit gjykues që Llalla nuk mund të jetë i pranishëm pasi vuan nga një sëmundje e rëndë dhe është i shtruar në spital. Avokati Hazizaj paraqiti provat e reja, por gjykata nuk pranoi as marrjen si provë raportin mjekoligjor të Llallës dhe as provën se shërbimet spitalore në SHBA janë paguar nga një shtetas amerikan. 

Nga ana tjetër prokuroria kërkon lënien në fuqi të vendimit të Shkallës së parë dhënë për Llallën, i cili është dënuar me 2 vite burg dhe 5 vite përjashtim nga postet publike për fshehje dhe mosdeklarim pasurie. 

Adriatik Llalla u bë zyrtari më i lartë shqiptar i dënuar ndonjëherë nga një gjykatë në vend. Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar. Hetimi ndaj Llallës u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave. Ai u hetua edhe për veprën penale të “mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”.

Më pas, dosja u dërgua në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në korrik 2018, gjykata respektive vendosi sekuestron e pronave të ish-Prokurorit të Përgjithshëm,  një apartament 67 metra katrorë në Durrës dhe katër parcela toke me sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 22 mijë metrash katrorë në periferi të Tiranës.

Megjithatë, akuzat u rrudhën dhe SPAK njoftoi të më 9 mars përfundimin e hetimeve vetëm për veprën penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer tri herë.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:55
Apeli i GJKKO nuk pranon provat e reja për Llallën, vendimi final më 22 shtator

Apeli i GJKKO nuk ka pranuar provat e reja për Adriatik Llallën. Avokati i tij mbrojtës Sokol Hazizaj paraqiti provat e reja, por gjykata nuk pranoi as marrjen si provë raportin mjekoligjor të Llallës i cili ndodhet në spital me një sëmundje të rëndë dhe as provën e shërbimeve spitalore në SHBA për kurimin e djalit të tij, që janë paguar nga një shtetas amerikan. Pas dëgjimit të palëve, trupi gjykues është tërhequr dhe ka vendosur që vendimin final do e japë më 22 shtator në orën 14:00