Merr fund kalvari i zvarritjeve për ndërtimin e tunelit të Skarficës, të rrugës Kardhiq-Delivinë. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur fituese bashkimin e operatorëve ekonomik  Gjoka Konstruksion” & “Cobial” & “Gr Albania” & “Geoportal”, të cilët kanë ofruar 1.78 miliardë lekë për realizmin e veprës nga 2.33 miliardë që ishte fondi limit i përcaktuar.

Vetë kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga përfaqësues të kompanive fituese dhe Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku ishin për inspektim në nisje të lotit të shtatë, ku u premtua mbyllje e punimeve për 12 muaj.

"Domethënë në shtatorin-tetorin e ardhshëm ne hapim tunelin. Kjo është fantastike. Do të lidhë aksin e ri Delvinë-Kardhiq, ku po punohet intensivisht për përfundimin brenda vitit të ardhshëm të krejt kësaj vepre të shumëpritur e të stërpremtuar për dekada me radhë, duke realizuar një lidhje të bukur e të shpejtë mes Sarandës e Gjirokastrës, që parashihet t'i japë një hov të ri turizmit, ekonomisë, punësimit", tha kryeministri Edi Rama.

Nga ana tjetër, ministrja Balluku ka bërë një prezantim të shkurtër të punimeve, ku bëri me dije se ka përfunduar loti i 1,2 dhe 3 ndërkohë që në lotët 4, 5, 6 realizimi fizik ka arritur në masën 80%.  Ajo theksoi se është një aks shumë i rëndësishëm që do të ndikojë pozitivisht në turizëm, por edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë.

Të gjitha punimet për këtë aks infrastrukturor pritet të mbyllen përfundimisht në tetor të vitit të ardhshëm.

Tenderi për lotin e shtatë të këtij aksi është shoqëruar me shumë polemika dhe akuza pasi ky bashkim operatorësh që tashmë u shpallën fitues, u skualifikua nga gara rreth një vit më parë.

Pas vendimit të ARRSH-së për të shpallur fitues një bashkim tjetër operatorësh, vendimi u ankimua në Komisionin e Prokurimit Publik, me argumentin që përjashtimi nga gara ishte jo i drejtë. Pas disa muajsh shqyrtim të kërkesës ishte Komisioni i Prokurimit Publik që kërkoi nga ARRSH-ja që të rishikonte vendimin dhe të kualifikonte edhe Gjoka Konstruksion” & “Cobial” & “Gr Albania” & “Geoportal” pasi oferta e saj ishte e rregullt. Në garë për ndërtimin e kësaj vepre ishin 6 konsorciume, dhe fillimisht ARRSH shpalli fituese ofertën më të lartë, edhe pse praktika që ndiqet me tenderat është të shpallet fituese ekonomikisht më e favorshme.

Projekti për ndërtimin e rrugës Kardhiq-Delvinë u nda në 7 lote, ku loti i 1,2 dhe 3 ndërkohë që në lotët 4, 5, 6 realizimi fizik ka arritur në masën 80%.

Projekti i rrugës Kardhiq - Delvinë