Zbatohet Amnistia Penale! Hapen dyert e burgut për 780 të dënuar, ulje dënimi për 800 të tjerë! Manja: S'përfitoi asnjë zyrtar i lartë

TIRANE- Burgjet e vendit hapën dyert mesditën e sotme (24 prill 2024)  për të gjithë ata që përfitojnë nga Ligji për Amnistinë Penale. 780 të dënuar u liruan nga burgu ndërsa për 2662 persona të dënuar me shërbim prove u mbaroi dënimi. Ndërkohë për protestuesit e opozitës që u pushohet çështja janë 232.

Të shumtë ishin familjarët që kishin shkuar për ti pritur. 

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ishte në burgun e Rrogozhinës, aty ku ishte edhe numri më i madh i të dënuarve që u liruan. Manja kishte një mesazh për të gjithë ata që lanë qelinë, duke u kërkuar që t'i kthehen punës së ndershme dhe të mos e kthejnë më kokën pas. 

"Uroj t'i kthehen jetës së përditshme, t’i kthehen punës së ndershme dhe të mos e kthejnë më kokën pas. Kthejuni jetës normale se mbi çdo gjë është familja, por edhe shoqëria jonë, që për këtë gabim që kanë bërë kemi paguar për ta", tha Manja. 

Manja iu përgjigj edhe njëherë akuzave të Partisë Demokratike, duke thënë se asnjë zyrtar i lartë i dënuar nga GJKKO nuk ka përfituar. Ministri theksoi se amnistia i kursen buxhetit të shtetit rreth 30 milione euro.

"Asnjë zyrtar i lartë që gjendet duke vuajtur dënimin për shkak se është dënuar nga GJKKO apo se është në proces hetimi apo gjykimi nuk përfiton nga kjo amnisti. Me ulje dënimi janë një numër sa gishtat e një dore, nënpunës të thjeshtë që përfitojnë nga amnistia me ulje dënimi dhe lirohen me ulje dënimi. Nga amnistia zyrtarë të lartë nuk ka", theksoi Manja. 

Në Shkodër, i pari që la qelitë e burgut të Reçit ishte ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj, i dënuar me 3 vite burg për tjetërsim pronash në Shëngjin. 

'Uroj, askush të mos e provojë burgun' u tha gazetarëve që ndodheshin atje.

Në total, nga ky burg përfituan lirinë 140 të dënuar, dhe për drejtorin e policisë së Burgjeve Paulin Rajta, kjo zgjidh sidomos mbipopullimin.

Në Lezhë, nga burgu i Shën Kollit u largua sot Dritan Gjuzi i dënuar me 17 vite për trafik narkotikësh. E motra ka ardhur nga Gjermania për të pritur të vëllanë invalid. Në burgun e Shënkollit, 6 u liruan, dhe 3 të tjerëve u ulet dënimi.

Në Korçë ndër 55 të burgosurit që lënë qelitë në burgun e Drenovës është edhe një i dënuar i cili më në fund arriti të merrte në krah të birin jashtë hekurave.

Nga burgu i Fierit, 119 të dënuar lanë qelitë, dhe 311 të tjerëve u ulet dënimit. Klement Omeri, i dënuar për trafik lëndësh narkotike, shprehu jo pak emocione që më në fund është i lirë.

Mes të liruarve nga burgu i Peqinit është dhe një i dënuar që 19 vite të jetës i kishte kaluar në qeli.

Kush përfitoi nga amnistia penale?
Sipas ligjit të botuar në fletoren zyrtare, nga amnistia përfituan personat që u ka marrë formë të prerë dënimi deri në datën 31 mars 2024. Përmes kësaj amnistie, përfituan nga falja totale të dënimit burrat e dënuar me 4 vjet ose më pak vite burg, për dënime të dhëna dhe që kanë marrë formë përfundimtare deri më 31 mars 2023, ndërsa gratë përfituese ishin ato që kishin deri në 5 vite dënim. Sipas kritereve të përcaktuara në ligj përjashtohen nga vuajtja e dënimit edhe burrat kur në datën e hyrjes në fuqi të amnistisë, u ka mbetur pa kryer deri në 4 vjet burg, ndërsa grave kur u ka mbetur 5 vjet. Përfshirë gjobën apo dënimet alternative.

Përfitues nga amnistia janë gratë mbi moshën 50 vjeç ose mbi këtë moshë, ndërsa për burrat efekti do të jetë kur janë mbi 65 vjeç. Nga amnistia do të përfitojnë edhe të miturit apo ata që kanë qenë 18 vjeç në kohën që kanë kryer veprën penale, ose nën këtë moshë.

LIROHEN (me përjashtim të veprave të ndaluara)
BURRAT ME DËNIM DERI NË 4 VJET (Dënimet të jenë dhënë deri më 31 mars 2024)
BURRA të dënuar ME MBI 4 VJET (që u ka mbetur deri në 4 vjet pa kryer)
GRATË ME DËNIM DERI NË 5 VJET
GRATË ME dënim  MBI 5 VJET (që u ka mbetur pa shlyer deri në 4 vjet)
GRATË që janë 50 ose mbi 50 vjeç
BURRAT që janë 60 ose mbi 60
LIROHEN (me përjashtim të veprave të ndaluara) personat që kur kanë bërë veprën penale kanë qenë 18 vjec ose nën mbi 18 vjeç

Kush përjashtohet nga amnistia?
Sigurisht nuk përfitojnë falje të dënimit përqindja më e madhe e veprave penale, që përfshin ato më të rëndat që nisin që nga krime kundër njerëzimit, krime kundër jetës, krime kundër autoritetit të shtetit ku përfshihet edhe korrupsioni, terrorizmi dhe shumë e shumë kategori veprash penale, mbi 240 të tilla. Nuk përfitojnë amnisti, as falje e ulje të dënimit dhe as përjashtim nga ndjekja penale të atyre që i janë shmangur drejtësisë. Personat që i shmangen drejtësisë, ata që janë arratisur, që kanë dijeni për procesin apo masat ndaj tyre apo vendimet e formës së prerë, dhe i shmangen me vullnet të lirë

VEPRAT KRYESORE PËR TË CILAT NUK PËRFITON NGA FALJA E DËNIMIT
·        Krime kundër njerëzimit, krime kundër jetës, të kryera me dashje,
·        Vepra penale të kryera me dashje kundër shëndetit,
·        Krime seksuale,
·        Vepra penale kundër lirisë së personit,
·        Kundër moralit dhe dinjitetit,
·        Kundër fëmijëve, martesës dhe familjes,
·        Kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike, kundër falsifikimit të dokumenteve, që Cenojnë regjimin juridik të tokës dhe të ndërtimeve,
·        Kundër mjedisit,
·        Kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues,
·        Krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera,
·        Vepra me qëllime terroriste, kundër autoritetit të shtetit, kundër drejtësisë, që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve, të kryera nga banda të armatosura dhe organizata kriminale

Ulja e dënimit
Ndërkohë, kategoria tjetër e të gjithë personave të dënuar, të cilët nuk plotësojnë kriteret për t’u përjashtuar nga vuajtja e dënimit, domethënë falja totale e tyre edhe pse plotësojnë kriteret për përfitimin e saj (pra masën e dënimit të dhënë apo të mbetur, apo kriterin moshor për përfitimin e amnistisë) dhe nuk përjashtohen nga vuajtja e dënimit për shkak të kufizimeve të përcaktuara (nenet me krimet përjashtuese) u zbritet dënimi me 2 vite nëse janë gra dhe të mitur, ndërsa 1 vit e gjysmë ulje do aplikohet në këto raste për të dënuarit burra. 

VEPRAT QË NUK PËRFITOJNË ULJE TË DËNIMIT
·        Vrasja në rrethana të tjera cilësuese
·        Vrasja e funksionarëve publikë
·        Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit
·        Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare
·        Të dënuarit me burgim të përjetshëm
·        Të dënuarit nga GJKKO (sipas propozimet të opozitës)

Amnistia nga ndjekja penale

Përmes amnistisë, përjashtohen nga ndjekja penale si dhe pushohen të gjitha çështjet penale në hetim, çështjet e pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi nga gjykatat, si dhe për kallëzimet që ndodhen në këto organe, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për veprat penale të kryera deri më 31 mars 2024 që kanë dënim maksimal deri në 2 vjet, edhe këtu me përjashtime disa nene të rëndësishme.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:22
'Hyri 30 vjeç në burg, doli 60 vjeç! Amnistia penale i 'fali' vetëm disa ditë burg

 

Gramoz Yzeiraj 

Jo të gjithë të dënuarit për vepra të ndryshme penale duket se ia “dinë për nder” amnistisë. Një prej tyre është Gramoz Yzeiraj, i cili është liruar ditën e sotme si përfitues i amnistisë, pas më shumë se 20 viteve burg.

Pas daljes nga burgu, i zhgënjyer me drejtësinë shqiptare, e cila sipas tij e dënoi “kot”, Yzeiraj tregon se ishte dënuar me 25 vite burg për vrasje dhe amnistia i ‘fali’ vetëm 2 ditë.

Në fakt, në letrën që tregon dinamikën e vuajtjes së dënimit, thuhet se atij i kishin mbetur për të shlyer edhe 25 ditë nga dënimi, po sidoqoftë Gramozi thekson zhgënjimine tij me drejtësinë shqiptare dhe tregon kushtet e burgut jashtë çdo standarti

“Unë njësoj e kam, si këtu si brenda njësoj e kam. Mua më akuzojnë për vrasje, por s’kam bërë gjë, më kanë dënuar kot. Rashë 30 vjeç në burg, jam 60 vjeç. Edhe 2 ditë më kishin mbetur nga dënimi. E kam bërë burgun kokërr më kokërr me fasulet e këtyre. Më kanë falur dy ditë, vetëm këtyre plehrave nuk doja t’u kisha borxh”,- thotë ai.

Ora 16:16
Amnistia, 142 të dënuar përfitojnë në IEVP-në Kosovë e madhe në Lushnje

 

Rreth orës 13:00 të ditës së sotme nga IEVP Kosovë e madhe Lushnje në bazë të ligjit të amnistisë, ka nisur të zbatohet lirimi i të dënuarve që përfitojnë nga ky ligj.

Mësohet se numri total i përfituesve është 142 të dënuar nga 188 gjithsej që ka kapacitet ky burg i nivelit të zakonshëm.

Veprat penale që kanë prekur këta të dënuar janë "prodhim dhe shitje narkotikësh", "vjedhje", "dhunë në familje", "dhënie ndihmë i kalimit të paligjshëm të kufirit", "armëmbajtje pa leje", "trafikim i narkotikëve".

Të burgosurit që u liruan sot, përfituan amnistinë pasi u ka ngelur deri në 1 vit e 6 muaj dënim i mbetur, ndërsa të dënuar të tjerë përfitojnë ulje dënimi prej 1 viti e 6 muaj nga dënimi i mbetur për të kryer në burg.

Ora 16:00
Amnistia penale, 15 gra dalin nga burgu! E burgosura e liruar: Gjithmonë ka mundësi të dytë

1713967449_burg.JPG

Foto: Te burgosurat duke dale nga burgu i grave ne Tirane pasi fituan amnistine, 24 prill 2024 

15 vajza e gra nga burgu i grave u liruan sot duke përfituar nga amnistia Kurse 9 të tjera përfitojnë 2 vjet ulje.

Përqafime e lot gëzimi jashtë dyerve të burgut ku i presin të afërmit. Fitojnë lirinë dhe tani duhet të nisin një jetë të re ndërsa nuk harrojnë të falenderojnë të afërmit që I mbështetën në ditët e vështira pas burgut.

Shoqeve që lënë pas i cojnë mesazhin se “Gjithmonë ka mundësi të dytë” tha një e burgosur teksa doli nga burgu.

Foto: nje e burgosur duke dale nga burgu i grave ne Tirane pasi fitoi amnistine, 24 prill 2024 
Ora 14:35
'Aman zgjeroni pak amnistinë për ata të SPAK, se i lamë shokët prapa!' Apeli i të burgosurit në Vlorë

Nga përfituesit e aministisë është edhe një I burgosur i dënuar për armëmbajtje pa leje. Nga amnistia kishte përfituar 4 muaj dhe ndërsa largohet ka dhe një kërkesë.

“Liri! Aman atë aministinë ta zgjerojnë edhe cik më shumë. Për ata të SPAK-ut se, gjynah i lamë shokët aty prapa, mirë është t’i zërë dhe ata”
 

Ora 14:18
I burgosuri me karrocë largohet nga burgu i Shën Kollit: Faleminderit Zotit që ia arritëm kësaj dite

Dritan Gjuzi është një nga të burgosurit që sot lënë burgun e Shënkollit. Ishte dënuar me 17 vite burg për trafik të lëndëve narkotike. 

52 vjeçari nga Tirana u bë invalid në burg dhe para se të largohet përshëndet të gjithë.

“Shef Mondi vetëm mirë dëgjoshfa për ty! Faleminderit për gjithçka!” u thotë ai pasi dera e burgut mbyllet.

Nuk harron të falenderojë Zotin që ia arriti kësaj dite. E motra nga Gjermania ka ardhur për ta marrë e së bashku do shkojnë tek i ati që është I sëmurë.

“Vëllai ka bërë burg në Greqi dhe 9 vite të tjera këtu.  Për të njëjtën akuzë është dënuar dy herë pro do merret ai vetë me çështjen” tregon e motra e cila falenderon stafin e burgut që janë kujdesur për të vëllanë, ndryshe nga stafi I burgut në Greqi të cilët patën një sjellje ‘shtazërore’

Ka dhe në urim ‘Dalshin të gjithë! Ça ka burgu brenda”

Në burgun e Shenkollit perfituan nga amnistia penale 9 të burgosur. 6 prej tyre lënë qelinë dhe 3 të tjereve ju ul denimi bëri të ditur drejtoresha e IEVP Shenkoll Nertila Koka. Vepra penale që të dënuarit u liruan janë prodhim dhe shitje lëndësh narkotike.
Zbatimini amnistisë penale për përfituesit në burgun e Shënkollit,  përfundoj brenda ditës së sotme. 

 

 

Ora 13:57
Amnistia/ Lirohen 780 të dënuar, Manja nga burgu i Rrogozhinës: Merruni me punë të ndershme, mos e ktheni më kokën pas

 

Nga burgu i Rrogozhinës, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha se janë rreth 780 të dënuar në të gjithë vendin kanë lënë qelitë pasi kanë përfituar nga amnistia. Ndërkohë, 800 të dënuar të tjerë përfitojnë ulje dënimi.

Nga të liruarit, janë 15 gra, ndërsa 9 gra të tjera kanë përfituar ulje dënimi. Manja dha edhe një mesazh duke u bërë thirrje të dënuarve që t’i kthehen punës së ndershme dhe të mos e kthejnë më kokën pas. Nga amnistia 3 të mitur dalin nga burgu, 2 të tjerë përfitojnë ulje të dënimit.

Ndërkohë, përfitojnë edhe 2662 persona të dënuar me shërbim prove.

"Ju falënderoj për praninë në burgun e Rrogozhinës. Në këtë institucion është numri më i madh i të dënuarve që lirohen nga kjo amnisti, rreth 183 të dënuar. Në shkallë vendi ka startuar zbatimi i ligjit për amastinë, në të gjitha burgjet do lënë vendin e vuajtjes së dënimit rreth 780 të dënuar. Kjo shifër pritet të përditësohet, pasi në orët e fundit ka një numër të dënuarish përfitues që gjendjen në komisariatet e vendit, që janë përfitues. Për 780 ka mbaruar procedura. 800 të tjerë janë përfitues me ulje dënimi, që në total shkon tek 1600 të dënuar. 800 përafërsisht lirohen me animisti të plotë, pjesa tjetër me ulje dënimi.

15 gra lirohen menjëherë, 9  të tjera përfitojnë ulje dënimi, që deri në vjeshtë, pra në shtator lirohen. Përfitues nga amnistia janë 3 të mitur, 2 të mitur të tjerë përfitojnë ulje dënimi. Përfitues nga amnistia janë 2662 persona në shërbim në shërbim prove. Falënderoj 116 deputetë që bashkuan votat për t’iu dhënë mundësinë të dënuarve që të bashkohen me familjet dhe ti kthehen jetës normale. Uroj që të kenë një bashkim normal, t’i kthehen jetës së përditshme, t’i kthehen punës së ndershme dhe të mos e kthejnë më kokën pas. Kthejuni jetës normale se mbi çdo gjë është familja, por edhe shoqëria jonë, që për këtë gabim që kanë bërë kemi paguar për ta.

Asnjë zyrtar i lartë që gjendet duke vuajtur dënimin për shkak se është dënuar nga GJKKO apo se është në proces hetimi apo gjykimi nuk përfiton nga kjo amnisti. Me ulje dënimi janë një numër sa gishtat e një dore, nënpunës të thjeshtë që përfitojnë nga amnistia me ulje dënimi dhe lirohen me ulje dënimi. Nga amnistia zyrtarë të lartë nuk ka. I kursen buxhetit të shtetit rreth 30 mln euro", tha Manja. 

Ora 13:56
Dalin nga amnistia në IEVP Berat 27 të burgosur, 33 të tjerë kanë përfituar ulje dënimi me 1.5 vite

 

27 të burgosur në IEVP Berat lanë sot qelitë e Burgut dhe 33 të tjerë do të përfitojnë ulje të dënimit nga amnistia.

Sipas informacioneve,nga amnistia kanë përfituar të burgosurit,të cilëve u ka mbetur pa vujatur më pak se 4 vite nga përfundimi i dënimit. 33 të burgosur të tjerë në IEVP Berat kanë përfituar nga amnistria ulje të dënimit me 1.5 vite burg.

Lirimi i të burgosurve nga burgu i Beratit fllloi në orën 13:00 dhe jashtë ambjenteve të IEVP-së ata priteshin nga familjarët e tyre.

Për arsye sigurie,gjatë proçesit të lirimit nga burgu të të burgosurve që u prekën nga amnistia,kanë qënë edhe forca të shumta policie të DVP-së Berat.

Në burgun e Beratit janë rreth 180 të dënuar dhe të paraburgosur për vepra të ndryshme penale,nga këta 70% janë të burgosur me dënim të formës së prerë.

Ora 13:35
Nga burgu i Reçit lirohen 140 të dënuar, Drejtori: Amnistia zgjidh mbipopullimin

 

Në burgun e Reçit nga aministia përfitojnë 140 të dënuar.  “Përfitues janë ata që nuk përbëjnë rrezik për shoqërinë. Amnistia zgjidh dhe mbipopullimin e burgut” thotë drejtori I burgut të Reçi Paulin Rajda.

Ai beson se kjo do të lehtësojë dhe punën e punonjësve të burgjeve “se është ngarkesë kur ka popullim dhe ne fokusojmë burimet njerëzore në funksion të rehabilitimit të të burgosurve”

Ora 13:33
Fier, përfituan nga amnistia penale. Lirohen 80 të burgosur

 

Foto: Burgu i Fierit

Drejtori i burgut të Fierit, Ervin Bushi në një intervistë për mediat deklaroi se nga amnistia penale do të përfitojnë 119 burgosur.

Nga 119, do të lirohen 80 të dënuar.

Të afërm janë mbledhur jashtë dyerve para orës 13:00, për të pritur lirimin e tyre burgu.

Pjesa më e madhe e të dënuarve që përfituan nga kjo amnisti në IEVP Fier janë dënuar për vepra penale si “prodhim dhe shitje narkotikësh”, “Vjedhje”, “Dhunë në familje”, “Dhënie ndihme i kalimit të paligjshëm të kufirit”, “Armëmbajtje pa leje” etj.

 

Ora 13:18
Përfiton nga amnistia penale, lirohet nga burgu ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj: Uroj, askush të mos e provojë qelinë

Përfitues i amnistisë penale që nis të zbatohet këtë të mërkurë është edhe ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj.

Frrokaj u dënua në muajin tetor të vitit 2022 me 3 vite burg për veprën penale shpërdorim detyre, për tjetërsim pronash tek “Rana e Hedhun” në Shëngjin.

"Uroj që askush të mos e provojë eksperiencën e burgut" tha Frrokaj pasi doli nga ambientet e burgut të Reçit në Shkodër ku qëndroi që prej momentit ku vendimi mori formën e prerë.

Ish-kryebashkiaku i Lezhës, është dënuar edhe nga Gjykata e Posaçme me 1 vit e 4 muaj burg për shpërdorim detyre dhe tjetërsim prone. Por për këtë ende nuk ka një vendim të formës së prerë. Ndër të tjera, Frrokaj është dënuar që të mos ushtrojë funksione publike për 5 vjet.

Ora 10:36
Amnistia penale, 15 të dënuar dhe të paraburgosur lirohen sot nga burgu i Fushë-Krujës

1713947997_burguifushekrujes.jpg

Burgu i Fushë Krujës

Në ambjentet e burgut të Fushë-Krujës janë 15 të dënuar dhe të paraburgosur qe lirohen sot duke përfituar nga amnistia.

Por duhet theksuar që ka një problematikë serioze e cila detyron dhjetra të burgosur të vijojnë dënimet edhe pse ligjërisht  përfitojne nga amnistia.

Konkretisht në burgun e Fushë-Krujës janë dhe 30 persona të tjerë që duhet të përfitonin nga amnistia, por e kanë të pamundur pasi nuk janë zbardhur vendimet nga ana e prokuroreve.

Nese këto të denuar apo përfitues nuk do lirohen sot ata do detyrohen që ti drejtohen gjykatave për të përfituar nga amnistia. Lirimet fillojnë në orën 13.

Ora 10:19
Vlorë, 20 të dënuar lirohen sot nga burgu i Vlorës, 5 përfitojnë ulje

 

25 persona përfitojnë nga amnistia penale në paraburgimin e Vlorës. Në ambjentet e IEVP Vlorë ndodhen 35 persona që vuajnë dënimin pasi kanë marrë vendim të formës së prerë nga gjykatat.

Nga këta 20 persona lënë sot ambjentet e burgut , ndërsa 5 përfitojnë ulje dënimi.

Ndërkohë nga personat që janë në shërbim prove të mbikëqyrur në Vlorë përfitojnë 88 persona. 

Kjo e konfirmuar pak ditë më parë edhe nga drejtori i Shërbimit të provës në Vlorë.

Ora 10:12
Korçë, 55 të burgosur lënë sot burgun e Drenovës, 73 të tjerë përfitojnë ulje dënimi

Janë 55 të burgosur në IEVP Drenovë do të lënë sot qelite e burgut dhe 73 të tjerë do të përfitojnë ulje të dënimit. Sipas informacioneve nga amnistia kanë përfituar burgosurit burra të cilëve u ka mbetur pa vuajtur me pak se 4 vite nga përfundimi i dënimit por edhe të burgosurit burra mbi 60 vjeç.

Ndërkohë 73 të burgosur do të përfitojnë nga ulja e dënimit e cila për të burgosurit burra është 1.5 vite. Në burgun e Drenovës janë 450 të dënuar dhe të paraburgosur. Nga këta 140 janë të burgosur me dënim të formës së prerë ndërsa 55 prej tyre lirohen ditën e sotme.

SI.E./S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Të gjithë flasin për Xabi Alonson! Cesk Fabregas pranë ngjitjes së Comos në Serie A pas 21 vitesh

Të gjithë flasin për Xabi Alonson! Cesk Fabregas pranë ngjitjes së Comos në Serie A pas 21 vitesh