Nis stërvitja për raste emergjence 
Tahiri: Reformim mbrojtjes civile!

TIRANE - Ka nisur ditën e sotme stërvitja e përbashkët “Joy Reaction”, që përfshin vendet e Ballkanit Juglindor, ku në fokus të saj do të jenë masat në raste të emergjencave civile.

Në konferencën që shënoi edhe çeljen e stërvitjes, ishin të pranishëm Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, zëvendëskryeministri Niko Peleshi si dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë Donald Lu.

Në fjalën e tij Ministri i Brendshëm Tahiri theksoi rëndësinë e kësaj stërvitje të përbashkët mes vendeve të Ballkanit Juglindor, jo vetëm për bashkëpunim mes tyre por edhe për të krijuar një plan koordinues në raste të emergjencave civile.

Por sipas Tahirit e njëjta frymë koordinuese dhe bashkëpunuese duhet të jetë edhe brenda institucioneve qeverisëse, me qëllim marrjen e masave parandaluese për raste të fatkeqësive natyrore.

Në këtë kontekst Tahiri e cilësoi si të domosdoshme reformimin tërësor të gjithë zinxhirit të mbrojtes civile në vend, në pushtetin qëndror por edhe në pushtetin lokal si dhe krijimin ei kapaciteteve njerëzore me profesionistë, të aftë dhe të stërvitur për tu përballur me situata emergjence.

“Ndonëse kemi bërë përparime të dukshme në mbrojtjen e infrastrukturës kritike, ndihet nevoja për zhvillime më të mëdha, si në aspektin normativ ashtu edhe në aspektin strukturor, teknologjik dhe infrastrukturë, qofshin këto publike apo private. Ashtu siç mbetet objektiv madhor reformimi tërësor i të gjithë zinxhirit të mbrojtjes civile në vend, në pushtetin qëndror por edhe në pushtetin lokal. Siçc lind e domosdoshme krijimi i kapaciteteve njerëzore me profesionistë, të aftë e të stërvitur për tu përballur me situata emergjence. Fatkeqësisht, qytetarët janë tërësisht të pamësuar me skenaret e përballimit të emergjencave.  Por qeveria, pushteti vendor, institucionet, nuk ia dalin dot vetëm. Kjo nuk ndodh kurrë.  Ashtu siç institucionet, sado të konsoliduara dhe me buxhet të konsiderueshëm të jenë, përsëri nuk mund të përballojnë dot këto fatkeqësi, në qoftë se nuk ndërtojmë masa parandaluese, edukative për qytetarin dhe shoqërinë por edhe infrastrukturore, që synojnë të ndërtojnë sigurinë tonë të përbashkët me përpjekje të përditshme.” u shpreh në fjalën e tij Tahiri Fjala e Ministrit Saimir Tahiri për Emergjencat Civile‏

Tahiri: Brenda 2015 përfundon hartimi i Strategjisë Kombëtare dhe ligjit të ri “Për mbrojtjen civile”
Duke folur konkretisht për reformimin e zinxhirit të mbrojtjes civile, në situata emergjente, Tahiri nënvizoi se institucioni që ai drejton pritet të përfundojë brenda këtij viti hartimin e Strategjisë Kombëtare për Reduktimin e Rrezikut ndaj Fatkeqësive dhe Mbrojtjen Civile.

Po ashtu Ministri u shpreh se po brenda vitit 2015 përfundon edhe hartimi i ligjit të ri “Për mbrojtjen civile”, që sipas tij do të hedhë bazat për përballimin e emergjencave civile.

“Për këtë arsye që Ministria e Brendshme këtë vit mbaron hartimin dhe miratimin e Strategjisë Kombëtare për Reduktimin e Rrezikut ndaj Fatkeqësive dhe Mbrojtjen Civile, dhe ndërkohë përfundojmë për pak kohë hartimin e ligjit të ri “Për mbrojtjen civile”, duke hedhur themelet për përballimin e emergjencave civile si nëpërmjet dijes, njohjes, edukimit dhe reagimit të qytetarëve, ashtu edhe për masat që marrin institucionet në parandalimin dhe përballimin e pasojave nga emergjencat civile. Është në këtë kontekst që kjo stërvitje e parë, ky stimulim i përgjithshëm që jo pa shkak quhet “Reagim i Përbashkët”, pse përfshin disa shtete të rajonit dhe mbështetjen e vyer të ekspertëve amerikanë, hedh bazat për ngritjen e një sistemi të integruar të mbrojtjes rajonale në përballjen me emergjencat civile. Mbi të gjitha, krijojmë një platformë solide bashkëpunimi për të tashmen dhe të ardhmen ndërmjet nesh, për shkëmbimin e informacionit dhe dhënien e ndihmës reciproke atëherë kur një prej vendeve tona preket nga fatkeqësitë natyrore apo të shkaktuara nga veprimtaria e njeriut.” theksoi Tahiri

tahiri

Kodheli: Nevojitet hartimi i një plani kombëtar masash për emergjencat civile
Nga ana e saj Ministrja e Mbrojtjes Kodheli, u shpreh se kjo stërvitje, është e para e kësaj natyre, ku në fokus të saj është bashkëpunimi, koordinimi dhe shkëmbimi i eksperiencave në raste të fatkeqësive natyrore.

Por pavarësisht këtij bashkëpunimi, Kodheli tha se është i nevojshëm hartimi i një plani kombëtar për përballimin e situatave të tilla, me qëllim krijimin e kapaciteteve reale. Sipas Kodhelit prania e Shqipërisë në këtë stërvitje është dëshmi e bashkëpunimit dhe kontributit në raste katastrofash natyrore.

“Karta e Adriatikut u lançua fillimisht në vitin 2003, me synimin kryesor për të ndihmuar vendet aspirante të bëhen anëtare të Aleancës. Një synim tjetër ka qenë, promovimi, adoptimi i standardeve përmes bashkëpunimit. Rezultatet e kësaj iniciative janë sa të dukshme aq edhe të prekshme. “Joy Reaction” është stërvitja e parë në Ballkan, e para e kartës së Adriatikut. Kjo stërvitje u ideua vitin e kaluar gjatë kryesimit të kartës nga Shqipëria, dhe jemi të lumtur që kontributi i Shqipërisë vazhdon. Fatkeqësisht rajoni i Ballkanit është dëshmitar i katastrofave natyrore me pasoja njerëzore dhe materiale të konsiderueshme. Besoj fort në marrjen e masave parandaluese për përballimin e të gjitha natyrave të emergjencave duke hartuar një plan kombëtar dhe duke krijuar kapacitete reale. Ministria e Mbrojtjes i kushton një vëmendje të veçantë bashkëpunimit ushtarak, në përballimin e përbashkët të fatkeqësive natyre. Nga ana tjetër, bashkëpunimi duhet ridimensionuar në rastet e katastrofave natyrore. Pjesëmarrja në këtë stërvitje është dëshmi tjetër e bashkëpunimit dhe kontributit në raste katastrofash natyrore. Ju siguroj se qeveria, do të dijë të vërë në dispozicion të gjitha asetet më të mira jo vetëm në mbarëvajtjen e kësaj stërvitje, por edhe në raste të katastrofave natyrore.” tha Kodheli Fjala e Ministres Mimi Kodheli për emergjencat civile

mimi kodheli
mimi kodheli

Lu: Shtetet e Bashkuara të Amerikës të gatshme të iu ndihmojnë
Ndërkohë kreu i diplomacisë amerikane Donald Lu, u shpreh se kjo stërvitje e përbashkët do t’u shërbejë vendeve të Ballkanit lidhur me masat parandaluese që duhet të ndërmerren në raste të emergjencave civile.

Lu theksoi se nga ana e saj, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të mbështesin vendet e rajonit në raste të një fatkeqësie të mundshme natyrore.

“Nuk ka mision më të madh për një ushtar se të mbrojë njerëzit e tij në raste emergjence. Ne kemi parë përreth botës, ngjarje të rënda, në Haiti, Indonezi, në SHBA dhe së fundmi me sëmundjen Ebola. Sot në Afrikën e Jugut ka 4 mijë ushtarë amerikanë dhe britanikë për të mbështetur Afrikën në këtë situatë. Jam i bindur se kjo stërvitje, do të jetë më shumë se thjesht një stërvitje, pasi do të jetë në shërbim të shumë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Në kohë krizash edhe ushtria e SHBA do të japë sportin e saj. Ne ndiejmë përgjegjësinë për atë që mund të ndodhë.” tha Lu

donald lu

“Joy Reaction” është një stërvitje e përbashkët e vendeve të Ballkanit Juglindor, e cila realizohet për herë të parë dhe që do të zhvillohet në Shqëipëri, ku vendi ynë do të ketë komandën e stërvitjes. Qëllim kryesor i kësaj stërvitje është masat parandaluese që duhen marrë në raste të fatkeqësive natyrore. 

ministria e mbrojtjes

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

El Clasico në finalen e Superkupës, Ancelotti: Na duhet ky trofe! Flick: Sfidë e madhe, Barça gati

El Clasico në finalen e Superkupës, Ancelotti: Na duhet ky trofe! Flick: Sfidë e madhe, Barça gati