TIRANË, 10 Dhjetor/ATSH/-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, nderoi personalitete të shquara britanike për kontributin e veçantë e të çmuar në forcimin e miqësisë midis Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe për promovimin e vlerave historike e kulturore e të çështjes shqiptare.
Në një ceremoni të veçantë të zhvilluar në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Londër, Nishani vlerësoi me Dekoratën "Gjergj Kastrioti Skënderbeu" Fort të Nderuarin, Lordin Alan Watson të Richmond CBE; Fort të Nderuarin, Lordin Michael Bates; Sër Noel Malcolm. Me Dekoratën "Nderi i Kombit" zotin Alexander Duma dhe Dekoratën "Nënë Tereza" zotin David Lloyd. Gjithashtu, Nishani i akordoi Titullin "Për Merita të Veçanta Civile" Stephen Nash.
Gjatë ceremonisë së dekorimit, Nishani u shpreh se "Kam kënaqësinë e veçantë që në kuadrin e vizitës sime në Londër, të shpreh në emrin tim dhe të popullit shqiptar, mirënjohjen për disa prej miqve më të mirë që shqiptarët dhe Shqipëria kanë në Mbretërinë e Bashkuar".
Presidenti Nishani gjatë fjalës së tij  solli në vëmendje nje moment të rëndësishem historik, duke kujtuar  gjestin e Lord Beaconsfield (Benjamin Dizraeli), që për të mos lejuar copëtimin e trojeve shqiptare, në vitin 1878 dërgoi flotën britanike për të prishur Traktatin e Shën Stefanit. "Por, sot, përmes dekorimit, dëshiroj të shpreh mirënjohjen për të gjithë ato përsonalitete që kontribuan për Shqipërinë", theksoi ai. /a.ke/