TIRANË - Presidenti Bujar Nishani ka dekretuar dy anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë. Dekreti është bërë publik ditën e sotme pak pas orës 16:00 dhe dy anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë janë, Gjovalin Përnoca dhe Petrit Çeno.

Me dekretimin e dy anëtarëve të rinj, plotësohet edhe numri i gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë që prej muajsh ishte i mangët. Një njoftimin e bërë nga zyra e shtypit e presidentës, jepet edhe arsyetim dekreteve “Për emërimin e anëtarit të Gjykatës së Lartë”
 
ARSYETIMET E PRESIDENTIT BUJAR NISHANI
 
Të nderuar deputetë,
Me dekretin nr. 8396, datë 22 nëntor 2013, vendosa të dekretoj emërimin e zotit Gjovalin Përnoca dhe Petrit Çeno, si anëtarë të Gjykatës së Lartë, pas realizimit të një procesi të rregullt ligjor të përzgjedhjes së kandidurave për anëtar.
 
Konkretisht, bazuar në përcaktimet kushtetuese, dhe ligjin Nr. 8588, Datë 15.3.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë, të Republikës së Shqipërise”, i ndryshuar, brenda 2 javëve nga marrja e njoftimit nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, më datë 10 Tetor 2013 u bë njoftimi publik mbi fillimin e procedurave për përzgjedhjen e kandidatëve. Pas këtij njoftimi, dhe me përfundimin e afatit të caktuar (21 tetor 2013) për paraqitjen e kërkesave dhe dokumentacionit përkatës , brenda një jave (në 28 tetor 2013) u bë publike lista e kandidatëve të cilët plotësonin kushtet të përcaktuara në nenin 3 të ligjit Nr. 8588, Datë 15.3.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë, të Republikës së Shqipërise”, i ndryshuar.
 
Në vijim të këtij procesi, bazuar në listën e konkurrentëve, përpara se të vendosja mbi dekretimin për emërimin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, së bashku me kryetarët e grupeve parlamentare në Kuvend, mbështetur në nenin 4/1 të këtij ligji realizuam procesin e konsultimeve për përcaktimin e kritereve konkrete, në respekt të kërkesës kushtetuese për kualifikim të lartë, përbërje cilësore dhe të përshtatshme të Gjykatës së Lartë.
 
PER GJOVALIN PERNOCA
Në përfundim të këtij procesi, ndërmjet konkurruesve vlerësova përvojën dhe vjetërsinë në profesion të kandidatit Gjovalin Përnoca, i cili vjen nga rradhët e gjyqësorit me një eksperienë mbi 21 vjeçare, nga të cilat për rreth 5 vjet ka shërbyer si gjyqtar në gjykatat e rretheve Mirditë dhe Shkodër, për rreth 4 vjet si inspektor në Këshillin e Lartë të Drejtësisë si dhe për rreth 10 vjet gjyqtar në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda. Gjithashtu, mora në konsideratë treguesit mbi përformancën e tij si gjyqtar dhe qenien si drejtues gjykate, përkatësisht për rreth 5 vjet në gjykata të shkallës së parë dhe për mbi 8 vjet në gjykata apeli. Për më tepër, zoti Përnoca gëzon dhe një eksperiencë 5 vjeçare si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
 
PER PETRIT ÇENO
Në përfundim të këtij procesi, ndërmjet konkurruesve vlerësova përvojën dhe vjetërsinë në profesion të kandidatit Petrit Çeno, i cili vjen nga rradhët e gjyqësorit me një eksperienë mbi 21 vjeçare, nga të cilat për 6 vjet ka shërbyer si gjyqtar i shkallës së parë dhe 15 vjet si gjyqtar në apel. Gjithashtu, mora në konsideratë treguesit mbi performancëne tij si gjyqtar dhe qenien si drejtues gjykate, përkatësisht për 3 vjet në gjykatën e rrethit gjyqësor Durrës dhe për 5 vjet në gjykatën e Apelit Durrës.
 
Me besim se do të kem mirëkuptimin dhe pëlqimin tuaj për emërimin e zotit Gjovalin Përnoca dhe Petrit Çeno, si anëtar të Gjykatës së Lartë,
 
Me respekt,
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
BUJAR NISHANI
 
Redaksia onlie
(ac/shqiptarja.com)