New York- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka marrë pjesë në Sesionin Plenar të Samitit të Klimës 2014, e organizuar në New York nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, nën kujdesin e Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki-moon. Gjatë këtij takimi Nishani gjithashtu mbajti fjalën e tij për politikat dhe strategjinë e vendit tonë për përballimin e sfidave që lidhen me ndryshimin e klimës.

Gjtaë fjalës së tij, Presidenti Nishani theksoi se ndryshimi i klimës është si një “koefiçent rreziku dhe kontribuon për përshkallëzimin e konflikteve mbi burimet natyrore” duke penguar kështu zhvillimin ekonomik dhe duke rritur njëkohësisht presionet në plan ndërkombëtar.

Gjithashtu Presidenti Nishani u ndal gjërë në problemet klimatike që po has specifikisht vendi ynë, duke mos lënë pa përmendur dhe masat e marra në kuadër të antarsimit në Bashkimin Europian.

“Në përputhje me agjendën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, vendi im po kalon një proces të plotë reformimi, duke përfshirë përmirësimin e legjislacionit kombëtar, i cili merr në konsideratë ndryshimin e klimës.

Si një vend i vogël në zhvillim, Shqipëria kontribuon pak në ndryshimin e klimës globale, por është duke vuajtur shumë nga pasojat e tij negative. Në Shqipëri, ne jemi përballur me ndryshime dhe luhatje klimatike. Përmbytjet e fundit dhe thatësirat tregojnë ndjeshmërinë e sistemeve sociale, ekonomike dhe mjedisore ndaj ndryshimeve klimatike dhe nxjerrin në pah nevojën urgjente për të integruar masa përshtatëse dhe zbutëse në politikat tona të zhvillimit kombëtar.

Si rrjedhojë, një strategji e re Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI) për 2014-2020 është duke u hartuar.”- deklaroi më konkretisht gjatë fjalës së tij Presidenti Nishani.

Ndërsa për sa i përket masave të marra nga vendi ynë mbi zvogëlimin e rrezikut të katastrofave dhe mbrojtjen civile, presidenti Nishani përmendi hartimin e një strategjie kombëtare për vitin 2015-2019. Kjo e fundit është ende duke u përgatitur dhe do të paraqitet në Kuvend për miratim gjer në fund të vitit 2014. Gjithashtu kjo strategji ka në fokus, sipas presidentit, “ndikimin e ndryshimeve klimatike në intensitetin dhe madhësinë e fatkeqësive natyrore në Shqipëri si dhe përcakton planin i veprimit që duhet zbatuar për të zbutur këto efekte”.

Gjatë fjalës së tij, Presidenti Nishani nuk la pa përmendur dhe një sër masash për zvogëlimin e efekteve klimaterike dhe në strategjitë e menaxhimit, në vendin tonë, të energjisë.

“Shqipëria po promovon në mënyrë agresive përdorimin e energjisë së rinovueshme në të gjithë vendin. Duke përfituar nga potencialet e vendit, veç hidrocentraleve, aktualisht ne jemi duke zhvilluar tregun për sistemet e ngrohjes diellore të ujit, energjisë së erës, biomasës dhe bio-karbureve. Ne jemi krenar për përdorimin energjisë elektrike të gjeneruar vetë për rreth 100% të kohës. Një strukturë për Mekanizmin e Zhvillimit të Pastër (CDM) është themeluar dhe një dokument i politikave të karbonit është miratuar me qëllim pozicionimin e Shqipërinë në pozita konkurruese në tregjet globale të karbonit, në përgjithësi, dhe MZHP (CDM) në veçanti.”- deklaroi gjatë samitit presidenti Nishani.

Në përfundim, Nishani ritheksoi angazhimin e Shqipërisë për t’u bashkuar me veprime globale që adresojnë çështjet e ndryshimeve klimatike, dhe për të ofruar kontributin e saj modest ndaj zvogëlimit të emetimeve të karbonit.

Redaksia Online
(e.n/Shqiptarja.com)