Nishani fund ngërçit me qeverinë 
 dekreton Rekën në Maqedoni

Nishani fund ngërçit me qeverinë <br /> dekreton Rekën në Maqedoni
TIRANE - Presidenti Nishani ka vendosur t’i përgjigjet apelit të përfaqësuesve të mazhorancës për të dekretuar ambasadorin e propozuar nga qeveria në Maqedoni, diplomatin Fatos Reka. Duke vlerësuar situatën e krizës në Maqedoni, kreu i shtetit ka harruar përplasjet me mazhorancës për çështjen e ambasadorëve duke vendosur të dekretojë emrin e diplomatit Reka, i cili prej muajsh qëndronte në zyrën e tij. Dekretimi i ambasadorit Reka nga presidenti Nishani vjen vetëm një ditë pasi qeveria në pamundësi për të dërguar ambasadorin e saj, çoi të derguarin me punë Bashkim Rama. Por historia e përplasjeve mes presidentit Nishani dhe qeverisë, lidhur me dekretimin e ambasadorëve i ka fillesat e saj që kur e majta erdhi në pushtet dhe kërkoi zëvendësimin e disa ambasadorëve, vendime të cilat u rrëzuan në mënyrë të vazhdueshme nga kreu i shtetit Bujar Nishani. Ja 5 pyetjet që sqarojnë konfliktin qeveri-presidencë.

Cila është arsyeja që Nishani nuk pranon propozimet e mazhorancës për ambasadorë?
Përplasjet e njëpasnjëshme qfë institucioni i Presidencës ka pasur me qeverinë, janë reflektuar edhe në vendimet që Presidenti Nishani ka marrë për ambasadorët e propozuar nga qeveria në selitë diplomatike tona në botë. Nga shkurti i këtij viti, Nishani i ka bërë të qartë qeverisë që nuk do të pranojë asnjë emër ambasadori nëse më parë për të nuk do të zhvillohen konsulta me të. Këtë qëndrim të tijin kreu i Shtetit e bazon në të drejtën që i njeh ligji dhe Kushtetuta. Ndërkohë që mazhoranca nga ana e saj në ligjin e ri për shërbimin e jashtëm ja njeh këtë të drejtë ministrit të Jashtëm dhe kryeministrit. Sipas ligjit të ri, presidenti kryen vetëm aktin final, atë të dekretimit të kandidaturave që qeveria përzgjedh për ambasadorë. Duke ruajtur integritetin e shumë ambasadorëve të propozuar, Nishani nuk ka zgjedhur t’i refuzojë por t’i lërë në pritje shumë prej diplomatëve.

Kush është përplasja më e fortë e qeverisë me institucionin e Presidencës lidhur me dekretimin e ambasadorëve?
Qëndrim të hekurt për të mos pranuar propozimin e kandidaturës së qeverisë për ambasadorin në Vatikan, Nishani ka mbajtur për emrin e Visar Zhitit. Duke e konsideruar propozimin e qeverisë si një emër të pakonsultuar me kreun e shtetit, Nishani e refuzoi emrin e Zhitit pavarësisht se dikur ai kishte qenë pjesë e kabinetit “Berisha”. Për emrin e shkrimtarit të njojhur apeluan te kreu i shtetit pavarësisht ndasive politike edhe përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës. Ndërkohë që vetë presidenti i gjendur në vështirësi përballë kandidaturës së fortë të qeverisë dhe profilit pozitiv që i servirnin partitë politike, vendosi të luajë me “kartën” e besimit fetar. Duke shfrytëzuar profilin që duhet të ketë diplomati shqiptar në Vatikan, presidenti e akuzoi Visar Zhitin për disa deklarata që sipas tij ishin jokorrekte. “Unë e quaj jokorrekte që një kandidat për ambasador në Vatikan të shprehet publikisht, duke e konsideruar kishën si inkuizitore. Ky është një qëndrim, i cili mund të krijojë një keqkuptim në raportet e Shqipërisë me Vatikanin”, do të deklaronte Nishani teksa edhe zyrtarisht do të firmoste për mosdekretimine e Zhitit. Për këtë rast qeveria, aplikoi të njëjtën formulë që ndoqi për rastin e ambasadorit në Maqedoni. Për aq kohë sa Nishani refuzoi ta dekretojë Zhitin si ambasador, qeveria vendosi ta çonte këtë të fundit si të dërguar me punë. Mazhoranca nuk do të propozojë kandidat tjetër për ambasador në Vatikan, duke e bërë Zhitin të ushtrojë të njëjtat funksione të cilat do t’i kishte si ambasador.

Ka raste të tjera në të cilat Nishani dhe mazhoranca janë përpalasur për këtë diplomatët?
Propozimi i diplomatit Fatos Reka që qeveria i nisi kreut të shtetit për ambasador në Maqedoni, pasi diplomati Petrit Bushati ndërroi jetë, ju dërguar Nishanit bashkë me një tjetër kandidaturë. Diplomati Bardhyl Canaj, vijon të jetë në pritje të një vendimi të presidentit Nishani pasi mazhoranca e ka propozuar si ambasador të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Shtetin e Izraelit. Vendimi i djeshëm i Nishanit, është nisur nga nevojat specifike që Shqipëria kishte për tu përfaqsuar në Maqedoni dhe përplasjeve në Kumanovë. Ndërkohë që emrin e diplomatit Canaj, presidenti vijon ta mbajë në zyrë. Në listën e ambasadorëve të propozuar nga mazhoranca për në selitë tona diplomatike në botë, të cilët janë refuzuar nga Nishani janë edhe ato të Anila Bitrit dhe Ravesa Lleshit. Kandidatura e Anila Bitrit u propozuar nga qeveria për ambasadore në Itali, por Nishani duke mbështetur ambasadorin aktual Neritan Ceka, rrëzoi propozimin e mazhorancës. Të njëjtin vendim, kreu i shtetit mori edhe lidhur me propozimin e Ravesa Lleshit, të propozuar nga ministria e Jashtme si ambasadore në Misionin e OSBE-së në Vjenë. 

Presidenti nuk ka pranuar të dekretojë edhe tre kandidatë të tjerë të propozuar nga qeveria dhe miratuar nga Komsioni i Jashtëm në shkurt të vitit 2014. Kështu kreu i shtetit nuk ka hedhur firmën për kandidatët për ambasadorë Adriana Hobdari, Artur Kuko dhe Roland Bimo, përkatësisht kandidatë për ambasadorë në Këshillin e Europës, Gjermani dhe Austri. Në listën e gjatë të refuzimeve që Nishani i ka bërë mazhorancës janë edhe emrat e Ermir Gjinishit dhe Ardian Ndrecës. Dy propozimet për ambasadorë qeveria ia përcolli kreut të shtetit për në Arabinë Saudite dhe selinë e Vatikanit.

Kur institucionet kanë bërë “paqe” mes tyre për propozime të veçanta kandidatësh për ambasadorë?
E gjithë beteja institucionale e nisur mes mazhroancës dhe presidencës, pavarësisht se nga kreu i Shtetit është argumentuar gjithmonë si një “luftë” e bazuar në raportet ligjore, në disa raste ka ofruar edhe zgjidhje pragmatiste. Kështu njoftimi për pranimin e kandidaturave për guvernator të Bankës së Shqipërisë në fillim të këtij viti rrezikoi të kthehej në përplasjen e rradhës mes qeverisë dhe presidencës. Nishani me vendosmërinë e tij dhe të drejtën që i njihte kushtetuta, propozoi Gent Sejkon si Guvernator të ri të Bankës së Shqipërisë. Përfaqësues të mazhorancës, pa ditur vendimin që do të merrte më pas kryeministri Rama, dolën hapur kundër propozimit të Nishanit. Negociatat e kryeparlamentarit Meta dhe kryeministrit Rama me kreun e shtetit, vendosën që emri i Gent Sejkos të pranohej nga mazhoranca dhe të kalonte në Komisionin e Ekonomisë. Ishte pikërisht kjo mbështetje që mazhoranca dha në Komisionin e Ekonomisë për Sejkon që shtyu presidentin Nishani të “shpërblente” qeverinë duke dekretuar ambasadoren në vendin më aleat me Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nishani dekretoi emërimin e Floreta Faber, si ambasadore në ShBA vetëm pak orë pasi Komisioni i Ekonomisë dërgoi në Kuvend emrin e Gent Sejkos si guvernator. 

Çfarë zgjidhje parashikojnë palët për të zgjidhur konfliktin institucional mes tyre për çështjen e diplomatëve?
Mazhoranca tentoi ta zgjidhë konfliktin dy vjeçar me presidentin Nishani duke propozuar ligj të ri për shërbimin e jashtëm. Në ligjin e propozuar nga shumica, zgjidhej ndryshe pjesa e propozimit të ambasadorëve, duke e shmangur nga vendimarrja kreun e shtetit. Mazhoranca duke parë zvarritjen e kandidaturave për ambasadorë nga Nishani, zgjodhi të vendosë edhe limite për dhënien e mendimit, duke përcaktuar si afat përfundimtar periudhën 30 ditore për secilin kandidat. Megjithatë edhe kjo zgjidhje u refuzua në paketë nga Nishani. Presidenti i Republikës, vetëm pak ditë pasi i refuzoi mazhorancës emrin e Visar Zhitit, i ktheu pas për rishqyrtim edhe ligjin për shërbimin e jashtëm. Sipas tij, ligji i qeverisë ka ndikim shumë të madh në politizimin e sistemit të shërbimit të jashtëm dhe në disa dispozita të tij ky ligj bie ndesh me Kushtetutën dhe jurisprudencën me fuqi detyruese të Gjykatës Kushtetuese. Vendim ky që më shumë se sa të ofronte zgjidhje, rriti akoma më shumë tensionet institucionale.

nishani fatos reka
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Zbërthimi i SkyECC/ Mes 21 masave sigurie edhe emri i Prek Kodra, në 2021 u akuzua se do të vriste Albin Kurtin

Zbërthimi i SkyECC/ Mes 21 masave sigurie edhe emri i Prek Kodra, në 2021 u akuzua se do të vriste Albin Kurtin