Pas bisedimeve mes delegacioneve të të dy vendeve, në konferencën e përbashkët për shtyp, Presidenti Nishani dhe homologu Ivanov shprehën nevojën për rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Në deklaratën e tij, Presidenti Nishani tha se ër Shqipërinë Maqedonia është një vend fqinj shumë i rëndësishëm, me të cilin kemi marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe shumë dinamike dhe me të cilin ndajmë jo vetëm një pjesë të kufirit shtetëror, por edhe marrëdhënie të shumëfishta politike, strukturore e ekonomike.
"Shqipëria ka qënë ndër të parat që e njohu pavarësinë e Maqedonisë në vitin 1993 dhe marrëdhëniet mes dy vendeve në këto 22 vjet kanë evoluar në mënyrë pozitive. Është me rëndësi që ky trend pozitiv të ruhet e përmirësohet gjithnjë e më shumë në dobi të qytetarëve tanë, por edhe në funksion të stabilitetit në rajon", u shpreh Presidenti Nishani.
Ai vërejti se niveli aktual i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve nuk i përgjigjet atij politik, duke vlerësuar nevojën e nxitjes së mëtejshme të marrëdhënieve në këtë drejtim.
"Vlerësuam se ka interes për bashkëpunim ekonomik, sidomos në fushën e infrastrukturës, energjisë, turizmit, bashkëpunimit ndërkufitar, shfrytëzimit të përbashkët dhe të koordinuar të ujrave liqenore, lumore etj, duke vlerësuar nevojën e koordinimit të bashkëpunimit mes institucioneve të të dy vendeve", tha Nishani.
Kreu i shtetit shqiptar vlerësoi se anëtarësimi në BE e NATO është interesi i përbashkët strategjik i dy vendeve, ndërsa theksoi se Shqipëria e mirëpret anëtarësimin e Maqedonisë në Aleancë.
Duke u ndalur tek situata e popullsisë shqiptare në Maqedoni dhe ajo e pakicave maqedonase në Shqipëri, Nishani vlerësoi se ato duhet të shërbejnë si ura komunikimi e bashkëpunimi dypalësh.
Kreu i shtetit theksoi se të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni janë të lidhura ngushtë me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila, tha ai, duhet të zbatohet sa më parë dhe e plotë në të gjithë elementët e saj, si një marrëveshje e ndërmjetësuar nga faktori ndërkombëtar. Duke theksuar se të dyja palët duhet të kontribuojnë në uljen e shkallës së mosbesimit dhe paragjykimeve mes dy popujve, ai nënvizoi nevojën për shmangien e tensioneve ndëertnike, që siç u shpreh Nishani "shpesh ndizen dhe nga incidente të vogla".
Sa i takon situatës së pakicës maqedonase në Shqipëri, Nishani theksoi se nga pala shqiptare po punohet në vijimësi që atyre t'iu garantohen të gjitha të drejtat që iu takojnë, për të ruajtur gjuhën dhe identitetin kombëtar.
Presidenti Ivanov në deklaratën e tij theksoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve fqinje, duke theksuar nevojën e rritjes së bashkëpunimit ekonomik.
"Ne si dy shtete realizojmë një bashkëpunim të frytshëm, me kontakte e takime të shpeshta, por besoj se do të arrijmë të ruajmë e rindërtojmë bashkëpunimin tonë përmes mbajtjes së kësaj dinamike. Presidenti Nishani ka një ftesë të hapur për të vizituar Maqedoninë dhe ne i përkushtohemi avancimit të marrëdhënieve miqësore me Shqipërinë", u shpreh Ivanov.
Duke përsëritur nevojën që marrëdhëniet shumë të mira në nivel politik të përkthehen dhe me rritjen e marrëdhënieve ekonomike, Presidenti maqedonas tha se që nga takimi shtetëror i vitit 2012, ka një farë shkëmbimi ekonomik, por 'dy vende fqinje nuk mund të kenë shkëmbime në nivelin prej 120 milion dollarësh. Madje Shqipëria nuk i takon as grupit të 20 shteteve të para me të cilat Maqedonia ka shkëmbime ekonomike, vërejti Ivanov.
Ai shprehu besim se investimet e mëdha në infrastrukturë do të ndikojnë edhe më shumë në nxitjen e këtij bashkëpunimi.
Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, gjatë vizitës zyrtare në Tiranë, është takuar dhe me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta dhe kryeministrin, Edi Rama.
Në takimin me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, u theksua bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve, pasi vetëm kështu, tha Meta, Shqipëria dhe Maqedonia do të jenë më konkurruese në tregjet e mëdha.
Ivanov shprehu mirënjohjen për vizitën e fundit të kryetarit të Kuvendit në Komunën e Pustecit duke vlerësuar vëmendjen që po i kushtohet pakicës maqedonase dhe nevojave të saj në Shqipëri
Forcimi i bashkëpunimit në kuadrin e projekteve të përbashkëta rajonale, të mbështetura nga BE, ishte fokusi i bisedimeve dypalëshe gjatë takimit me Kryeministrin Edi Rama.
Kryeministri Rama dhe Presidenti Ivanov theksuan marrëdhëniet e mira që ekzistojnë mes vendeve dhe shprehën vullnetin e përbashkët për t'i konsoliduar ato në bazë të respektit e fqinjësisë së mirë, si dhe të së ardhmes së përbashkët europiane.
Kryeministri Rama pret Presidentin e Maqedonisë Ivanov
Të dy personalitetet ndanë të njëjtin angazhim që bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Maqedonisë të jetë më frytdhënës në të ardhmen, veçanërisht në fusha si infrastruktura, transporti, energjia, të cilat do t'i shërbejnë zhvillimit ekonomik të dy vendeve.
/gj.m/ /m.m/